Edhe Ramë Vataj refuzon postin e deputetit (Video)

Edhe Ramë Vataj refuzon postin e deputetit (Video)

Pas refuzimit të Bajram Zejnullahut dhe Bajram Rexhepit për tu bërë deputetë të PDK-së, vjen edhe refuzimi i radhës. Është Ramë Vataj që sot zyrtarisht ka paraqitur deklaratën e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku refuzon të bëhet deputet.

Se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit, rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj e ka thënë për herë të parë në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.

“Sot kam dërguar deklaratën time në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku nuk e kam pranuar postin e deputetit. Arsyet janë të shumta, por për të qenë real dua të them se kur kam konkurruar për të qenë rektor i Universitetit të Prizrenit, kam dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake dhe nuk është e moralshme tani të kthehem në pozitën e deputetit”, ka deklaruar Vataj.

Ai thotë se tani për tani është përcaktuar për punën e rektorit dhe nuk i ka mbetur merak që të ishte pjesë e kësaj legjislature.

“Kur i kam parë skenat e dhunës në Kuvendin e Kosovës, hedhjen e gazit lotsjellës dhe përplasjen e deputetëve mes veti, i kam thënë vetës mirë që nuk jam pjesë e kësaj legjislature”, ka deklaruar Vataj./Tribuna/

Shpërndaje në: