Edi Rama thotë se një ditë do të mbahet referendum për bashkimin kombëtar, nuk e di se kur

Edi Rama thotë se një ditë do të mbahet referendum për bashkimin kombëtar, nuk e di se kur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është pyetur rreth referendumit për bashkimin kombëtar.

Kryeministri i Shqipërisë ka deklaruar se momentalisht nuk e di kur do të mbahet referendumi për bashkimin kombëtar, por ka deklaruar se një ditë do të bëhet.

“…tani në rast së më pyesni a do ndodhi kjo apo jo, meqë ju provokoni do ju provokoj edhe unë, unë them që kjo do ndodhi. Nuk e di kur do ndodhi, si do ndodhi, sot, por që kjo do ndodhi një ditë, unë them që po. Tani atyre që mund ta marrin këtë dhe mund të dalin dhe të bërtasin për Shqipërinë e Madhe, unë them që fallxhoret nuk mund të gjykohen. Se është një fall, meqë po më pyesni të hedhim fall, dhe nëse unë do të hedhja fall, në këtë rast po e hedh me imagjinatë se unë nuk shoh filxhan, unë them që kjo do ndodhi, se kur do ndodhi, kur do ndodhi këtë nuk e di”, ka deklaruar Rama.

Pyetjen se si do të votonte nëse do të mbahej referendumi për bashkimin kombëtar, Rama e ka quajtur provokim, megjithatë është përgjigjur se do të votonte pro.

“Kjo është pyetje apo është “provokacja” sepse unë s’kuptoj. Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, unë do bëja një shkelje të Ligjit për fshehtësinë e votës, do votoja hapur “po””, ka deklaruar Rama.

Dy kryeministrat shqiptarë kanë dalë në konferencë pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive që u mbajt sot në Elbasan.

Në këtë mbledhje, Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar 16 marrëveshje bashkëpunimi.

Shpërndaje në: