Editorial: Belbëzojnë për luftën e UÇK-së sa herë që dështojnë

Editorial: Belbëzojnë për luftën e UÇK-së sa herë që dështojnë

Pardje i patëm dy reagime nga njerëz të rëndësishme të pushtetit. Bekim Çollaku, ministri i mëhershëm i integrimeve, tha që ka grupe të cilat duan t’i hanë kokat e çlirimtarëve. Ai e përdori atributin e ‘çlirimtarëve’ vazhdimisht në shkrimin e tij duke iu referuar kështu shefit të tij Thaçit, dhe partnerëve aktual të koalicionit. Shkrimi ishte si një rikujtim që thoshte: zonja e zotërinj, është bërë çka është bërë, por mos harroni se kush iu çliroi. Mos harroni se kush janë çlirimtarët tuaj. Streha e fundit e mbetur e horrave në pushtet, pas një qeverisjeje të tmerrshme që e dëmtoi rëndë vendin, është ende lufta.

Në shkrimin e tij, ish-ministri përdori qasje poetike. Natyrisht, është e zorshme të shfajësohesh përmes një rregullsie ligjërimore për gjithë ato të këqija që iu bënë vendit gjatë dhjetë viteve të fundit. Politika, kryesisht në raste kur i humbet arsyeja, përdorë qasje të tillë që të ndikojë te masa. Politika dhe poezia luajnë me ndjesitë e njerëzve, dhe mjet qëndror e kanë përsëritjen dhe figurat. Edhe më tej, në mënyrë të paturpshme pikërisht në sferën politike, në vendin ku bëhet shpërndarja e të mirave dhe shtypjeve, një pjesë e klasës politike vendos të vetëquhet ‘çlirimtare’. Qytetarët e dinë se ‘çlirimtari’ i Çollakut u bë ‘sundimtar’ i mëvonshëm, dhe kjo kollaj evidentohet nga përgjimet që i publikoi Insajderi, e më vonë edhe portali Koha për Lumezin. Jo qeverisës, por sundimtarë. Po e themi troç.

Të imagjinojmë një 18 vjeçar kosovar, me potencial të madh e ambicje të mëdha, që sapo është regjistruar në ndonjërin prej fakulteteve të UP-së. Fillimisht, me naivitetin e një të riu të pasprovuar mirë me rrethanat tona, ai do të mendojë se duhet të angazhohet në një drejtim: të mësojë e të përgatitet sa më shumë, në mënyrë që t’i çelen dyert për një karrierë të mirë. Por, të imagjinojmë se ai dëgjon ato që thuhen në “Aferën Pronto”, dhe kësisoj merr vesh logjikën me të cilën ‘çlirimtarët’ e shtrijnë pushtetin e tyre. Që merr vesh se në krye të vendit të tij, në majë, ndodhen do analfabetë funksionalë. Më pas, po ky student i ri, shkon në ligjërata e hyn në provime, i përgatitur, ku njoftohet edhe me analfabetizmin funksional të profesorëve të tij të cilët nuk i kuptojnë ato që i lexojnë e shkruajnë. Me gabime drejtshkrimore e logjike. Me autoritete që kërkojnë nënshtrim, e që e ndëshkojnë çfarëdo rebelimi. Pastaj merr vesh që ky tip profesori e ky tip autoriteti është shumëzuar nga analfabetët funksionalë në pushtet përmes hapjes së Universiteteve edhe në qytete tjera. Ajo çka ndodh brenda kafkës së të riut, është një metamorfozë e frikshme e trupave që përbëjnë autoritetin me të cilin i duhet të përballet. Studenti e ka të qartë se nuk ndodhet përballë profesorësh, por përballë copave të ndryshme të këtij pushteti. Studenti në fjalë, e kupton që përtej asaj që shkruhet në ‘syllabuse’, përtej librave që kinse duhet t’i lexojë, i kërkohet një angazhim tjetër. Atij i duhet të konsiderojë mënyrat e përshëndetjes së profesorëve, mënyrat e ofrimit të respektit për ta, dhe përtej fakultetit, të shqyrtojë marrëdhëniet me të afërmit ‘e fortë’, poashtu copa të pushtetit, e të përdorë mënyrat më meskine të depërtimit. Pra, me fjalë tjera: atij i duhet të konformohet ose… të kalbet në paperspektivën e njeriut që i shtron kërkesa të mëdha vetes, e që revoltohet e vetmizohet duke qenë i paturmëzueshëm.

Zgjedhjet për të ‘riun’ që ka mësymje të mëdha për veten janë të pakta. Ai është i pamundur brenda shoqërisë sonë. Ata që quhen ‘çlirimtarë’, duke qenë krejtësisht të padijshëm, fare natyrshëm, për mbijetesën e llojit, kanë bërë përmbysjen e mundësive për kosovarët e dijshëm – duke ofruar formë tjetër angazhimi. Thaçët, veselët e haradinajt, veçse pa atributin e çmueshëm të çlirimtarëve, i sheh në çdo pozitë të rëndsishme, madje edhe në shoqëri civile e opozitë, madje në skutat që perceptohen si kritike ndaj këtij pushteti. Përpjekja për të shumëzuar njerëzit si vetja, për të ngritur idiotët, në mënyrë që të mirëmbajnë analfabetizmin funksional, ishte fare e  dukshme: prej madhësisë së qeverisë e administratës publike në përgjithësi, e deri te licensimi i universiteteve private dhe çelja e vazhdueshme e universiteteve publike. Me një fjalë, ‘shkelja e vazhdueshme e kritereve’ që pasqyrohet në ‘Pronto’, është mjeti që shtyp mundësitë për të riun që të ‘vetëngritet’ përmes një pune të madhe të bërë prej tij. Asgjë nuk është e merituar, gjithçka është e dhuruar! Kjo bën që copat e këtij pushteti, copa që iu ofrua mundësia të ishin copa ose pjesë të tij, bëjnë ç’është e mundur që t’i mbrojnë autoritetet e tyre. Ndërkohë që lufta, shërben si një ‘burim i pashtershëm’ legjitimiteti e pushteti – që blen heshtje e symbyllje për të tjerët.

Reagimi i dytë ishte ai i Daut Haradinajt, vëllait të kryeministrit. Ai tha që “me fillimin e arrestimeve të para nga Gjykata Speciale” do të “riaktualizohej UÇK-ja” Po i njëjti politikan, para disa muajsh kur Ramush Haradinaj ishte ndaluar në Francë, kishte thënë që “nuk do të mbes asnjë sërb në Kosovë nëse Ramushi nuk kthehet”. Paramendojeni, në një shoqëri demokratike deklarata të tilla kaq të papërgjegjshme mund të bëhen, e opinioni publik të dremis i qetë, me një mendje të topitur e me privilegje të vogla për të mbrojtur.

Por, t’i kthehemi ‘riaktualizimit”. Këtu kemi të bëjmë me një abuzim të tmerrshëm të “UÇK”-së në një rrafsh diskursiv. Këta zotërinj në pushtet, e kanë privatizuar luftën e e kanë vjedhur, në mënyrë që ta përdornin për t’i ikur drejtësisë ndërkombëtare, për ta kapur drejtësinë vendore, për të ndërtuar narrativat për luftën – ku shumë pyetje nuk duhet as të mendohen, e lëre më të shtrohen – dhe në mënyrë që t’i sundonin vulgarçe e idiotçe qytetarët e Republikës sonë.

Qytetari i dijshëm, zonja e zotërinj, është armiku i vërtetë i këtij pushteti. Ne pamë sesi, Ramushi e Dauti, e pastaj edhe Behxhet Pacolli, të gjithë e përdorën edhe vetë kundërshtarin e tyre politik, Albin Kurtin dhe namin e tij, që të përfitonin njëfarë dromce të vogël paqtie në imazhin e tyre të ndotur. Sepse nuk ka dyshim, që prej të parit e deri te i fundit, janë të ndotur. Padija, injoranca, kur marrin pushtet mund të shndërrohen në krim – siç argumentonte Sokrati dymijë-e-katërqind vjet më parë. Ne pamë këto njëqind ditët e fundit, një kryeministër ‘cullak’, pa kurrfarë idesh a metodash për të nxitur zhvillim. Ai vepron qysh t’i teket. E shpërndan zullimin mes qytetarëve të rëndomtë, në mënyrë edhe më vulgare dhe në masë edhe më të madhe se qeverisjet Thaçi. Dhe prandaj, zonja e zotërinj, UÇK-ja është e domosdoshme për të – që të mbrohet nga dështimet e tij. Sa herë që dështon, e bën një ‘replay’ përmes ‘UÇK-së’. Por tash, është koha t’iu thuhet “game over” nga qytetarët.

Gjykata Speciale është një e keqe e madhe për Kosovën. Ajo do të rifreskojë sundimtarët përmes imazhit të tyre si ‘çlirimtarë’ të dikurshëm. Këta pushtetarë e ratifikuan vetë atë gjykatë. Thaçi e bëri, e do ta bënte në vend të tij edhe Haradinaj, megjithëse atëherë si pjesë e opozitës ishte i lirë të mbante qëndrimin kundër. Se kjo kastë nuk e kurseu as UÇK-në, për të rritur pushtetin, tregon edhe fakti që e ndotën mosvet keq imazhin e veteranëve të luftës – duke e shfrytëzuar në mënyrë perverse gjendjen e rëndë ekonomike e sociale, përmes shtimit të numrit të veteranëve. Ata që e pësuan nga kjo, ishin veteranët e papushtet, të papërfshirë në politikë, anonimët me një fjalë. Ku mund ta dijë një qytetar i rëndomtë, që kishte respekt për luftën e UÇK-së, se a është apo nuk është veteran i vërtetë, një anonim i caktuar. Ata që do të njihen si veteranë, janë pikërisht këta që i shohim përditë në televizion.

Luftëtarët e thjeshtë të UÇK-së, pavarësisht asaj që ndodh në muajt e ardhshëm, nuk do të duhej të dilnin në rrugë e t’i ndiqnin në aventurat e tyre të reja këta politikanë. Ata ashiqare e vodhën luftën prej tyre, dhe i tradhëtuan idealet për të cilat luftuan. Ata ashiqare e ndërtuan një pushtet të cilit Kosova do t’ia sheh sherrin edhe për njëzet vitet e fundit.

Shpërndaje në: