Editorial: Demarkacioni – Lufta për mbijetesë e Haradinajt

Editorial: Demarkacioni – Lufta për mbijetesë e Haradinajt

Përsëri tema kryesore në vend është demarkacioni. Tash e tri vjet, tema në fjalë është aktualizuar vazhdimisht – duke u bërë më e përfolura në opinionin kosovar. Edhe vetë fjala [demarkacion] mesiguri që nuk ndjell tjetër veç pështirosje te qytetarët e vendit. Dikush mund të thotë se tejzgjatja e tij i konvenon njerëzve në pushtet, si njëfarë ikjeje nga përgjegjësia kur njerëzit të drobitur të thonë: “Kalojeni se u lodhëm – s’ka lidhje nëse humbim territor”. E një pjesë e madhe kështu po thotë këto ditë. Pra, ky ‘dikush’ ka të drejtë.

Nga kjo stërlodhje me demarkacionin, ratifikimi në Kuvend nuk shihet vetëm si një hapje e mundësisë që Kosovës t’i liberalizohen vizat por poashtu edhe si një hapje e mundësisë për të diskutuar tema të tjera. Dhe qytetarët që e shohin politikën vendore si një film serik ku roli i tyre është pësor, i një teleshikuesi e komentuesi të parëndësishëm lëngojnë për një tjetër shfaqje.

Se në reagimin e opinionit për ratifikimin e marrëveshjes ndryhet një sens estetik, kjo evidentohet edhe në shpërthimin e njëfarë ironie në rrjetet sociale të Internetit. Bajatësia e një shfaqjeje, sado e drejtë qoftë, është një instrument i fortë politik në duart e pushtetit. Ideja është që t’iu mbillet njerëzve ideja se çkado që bëhet, edhe ndonjë tradhti eventuale, le të bëhet [sepse u lodhëm]. Por për ‘demarkacionin’ dikush është fajtor. Ose Ramush Haradinaj dhe komisioni i tij, për shpifje ose gabime që e mbajtën vendin në një vend për 1/3-n e dekadës, ose Hashim Thaçi dhe komisioni i mëparshëm shtetëror për nënshkrimin e diçkaje me të cilën do të humbnim territor.

Kryeministri Haradinaj qartë e ka tradhtuar veten në këtë pikë. Ai po kërkon ratifikimin e një marrëveshjeje të cilën e kishte kundërshtuar ashpër. Në projektligj kanë hyrë edhe gjetjet e Komisionit të caktuar politikisht [gjë që e sforcon anën profesionale] prej tij, dhe marrëveshja e presidentit Thaçi me presidentin Vujanoviq, por këto nuk kanë kurrfarë rëndësie. Edhe marrëveshja e kaluar parashikonte përmes nenit 9, që palët kishin të drejtë të merreshin me kontestimin e pikave kufitare pas ratifikimit. I kushtëzonte madje, sepse nëse Mali i Zi do të refuzonte, Kosova do të kishte të drejtë ta padiste për mosrespektim të marrëveshjes. Pra, e gjitha kjo është haptas një tendencë për të mbuluar atë tradhti që Haradinaj, partia e tij dhe Nisma për Kosovën, po i bëjnë kauzës së deridjeshme.

E megjithatë, Haradinaj ka mundësi të dalë ‘i palagur’ nga e gjithë kjo rrugë pa shtegdalje, qorrsokokak ku është futur. Megjithëse e nisi vet temën përmes një episodi premtues duke ia përplasur fytyrës një hartë Murat Mehës [ish kryetar i komisionit për shenjimin e kufirit] bile edhe duke e quajtur ‘peder’, ai e braktisi kauzën e tij. Dhe prej asaj dite e tekëndej, gjërat kanë mbetur në një pikë. Drama politike ishte e vogël. Senzacionet ishin të pakta. Dhe Kosova për herë të parë, i ndjeu masat izoluese dhe një gjuhë tepër të ashpër nga miqtë ndërkombëtarë. Fatmir Limaj, partneri politik i Ramush Haradinajt – në opozitë e pozitë, në ndërtimin dhe braktisjen e kauzës – u shfaq i lodhur në një studio televizive. Ai hezitoi të fliste kur u pyet për njerëzit që duhet të mbajnë përgjegjësi për marrëveshjen në fjalë. Tha që Kosova ka nënshkruar marrëveshje edhe më të këqija [ja tendenca relativizuese që po provojmë të dëshmojmë përmes këtij artikulli]. Madje, për të shtuar dozën e relativitetit ndaj temës, me një fytyrë prej gjynahu, paralajmëroi ditë të ‘zeza’ po e presin Kosovën.

Dikush ka faj. Dhe padyshim që dikush t’i vuajë pasojat politike për dëmet që i pësoi vendi. Qoftë për humbjen eventuale të territorit, qoftë për humbjen e një periudhe goxha të madhe kohe e energjie.

Kjo përpjekje për të relativizuar temën dhe shpërndarë fajin nuk duhet të ‘hahet’ nga qytetarët e vendit. Më shumë se liberalizim vizash, ne kemi nevojë të sulmojmë fajtorin për situatën e krijuar.

Ramush Haradinaj, mbase duke parandjerë situatën në të cilën do të ndodhej, e kishte bërë një metaforë ku vetes i thoshte macë [e cila ngrihej, sa herë që rrëzohej]. A do të ngrihet sërish? Po, nëse i përgjigjet vetëm instinkteve. Jo, nëse arrin të jetë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe t’i kapërcejë instinktet e tij.

Shpërndaje në: