Editorial | Demarkacioni u ratifikua. Çka tash?

Editorial | Demarkacioni u ratifikua. Çka tash?

Pas një përpjekjeje të gjatë, më në fund partitë në koalicionin qeveritar ia dolën të ratifikonin marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Gjatë ditës, Lëvizja Vetëvendosje gjuajti gaz lotsjellës dhe e pamundësoi votimin, por megjithatë në fund u arrit që të sigurohej mundësia fizike që kjo marrëveshje të kalonte. Me 80 votat e nevojshme, marrëveshje e shumëkontestuar kaloi.

Kësisoj, u përmbyll një çështje që zgjati thuaj 3 vjet. Por, frika se Kosova i ka humbur 8200 hektarë është më e madhe se ndonjëherë tjetër, marrë parasysh deklaratat e ndryshme që kanë dhënë një pjesë deputetësh që e votuan marrëveshjen e demarkacionit.

Vetë Haradinaj ishte mjaft i pasigurtë në lidhje me vullnetin e Malit të Zi për të korrigjuar marrëveshjen aktuale, por sidoqoftë e votoi bashkë me deputetët e partisë së tij.

Nëse do të liberalizohen vizat ose jo, mbetet të shihet. Por është e sigurtë se kjo çështje do të riaktualizohet edhe në vazhdim, me çështjen e korrigjimit që mund të përdoret në forma të ndryshme, sërish e sërish, nga partitë politike.

Nëse Mali i Zi, ashtu siç pritet, nuk do të bashkëpunojë për korrigjimet sipas gjetjeve të komisionit të z.Bulliqi, atëherë pritet të kemi një diskurs të ashpërsuar pikërisht nga partitë në pushtet me në krye Haradinajn, i cili nuk do të pranojë gabimin e tij, por do t’i vërsulej Malit të Zi.

Kjo çështje e lëndoi rëndë demokracinë në vendin tonë përmes një varg gjërash. E para, ishte padyshim përdorimi i mjeteve jodemokratike në Kuvend, së pari nga e gjithë opozita [VAN] e tash vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Se këto metoda janë jodemokratike nuk besojmë se ka ndonjë që e mohon. Por Vetëvendosje megjithatë mund të thirret në mbrojtjen e integritetit territorial, dhe këtu mund të ketë të drejtë.

E dyta, por jo për nga rëndësia, është papërgjegjësia e tmerrshme e kryeministrit Haradinaj. Ai e bëri veten kryeministër duke e sulmuar marrëveshjen e cila kaloi sot në kuvend, por duke hequr dorë nga kjo marrëveshje. Kjo është sjellja më e papërgjegjshme politike që mbahet mend që nga shpallja e pavarësisë. Dhe si zgjatim i kësaj papërgjegjësie, ishte përpjekja e tij për të mashtruar opinionin publik përmes marrëveshjes së presidentëve, dhe përmes futjes së gjetjeve të komisionit Bulliqi.

Një tjetër pasojë e tmerrshme [veço territorin që mund të jetë humbur] është edhe tensionimi i mendjeve dhe ashpërsimi i gjuhës në sferën publike, e poashtu edhe në parlament. Përgjatë seancave që mbaheshin për demarkacion, kryetari i kuvendit Kadri Veseli, shau rëndë dy herë. Njëherë Kadri Veselin, e herën tjetër gjithë grupin parlamentar të Vetëvendosjes. Por në anën tjetër, edhe Vetëvendosje haptas ka përdorur një fjalor mjaft të ashpër ndaj pushtetit, dhe mjete të rënda ndaj tyre. U rihap mundësia për t’u përdorur ‘patriotizmi’ dhe ‘tradhtia’.

Humbja eventuale e 8200 hektarëve nuk është e vetmja. Për qytetarët e Kosovës, mjaft e rëndësishme ishte edhe kjo periudhë e gjatë kohore, që i stagnoi proceset në vendin e tyre. Kosovarët janë trajtuar jodenjësisht nga BE-ja, dhe kjo është mundësuar edhe nga kjo temë. Të vetmit pa liberalizim vizash. Të vetmit që duhej të merreshin me kufijtë në mënyrë që të udhtonin pa viza.

Veç kësaj, partitë në pushtet me në krye PDK-në e kanë vazhduar një praktikë të tmerrshme për të siguruar votat e deputetëve [qoftë dhe të tyre]. Ata japin favore të ndryshme, që i kushtojnë qytetarëve, në mënyrë që të marrin një votë për një çështje të rëndësishme. Papritmas, u mësua se deputeti-biznesmen i LDK-së, Ramiz Kelmendi, kishte një sëmundje dhe i duhej të mos ishte i pranishëm në kuvend. Paraprakisht, u tha se ai kishte marrë një kërcënim, dhe shkaku i atij kërcënimi nuk do të votonte. Merret vesh që pas gjithë këtyre mund të veprojë logjika e një biznesmeni. Madje, një praktikë e tillë shprehet qartë me Listën Sërbe, e cila haptas kërkon favore për veten dhe për Sërbinë.

Tashmë do të jemi përballë një teme tjetër shumë të rëndësishme: korrupsionit. A mund të marrim liberalizimin e vizave duke qenë se problemi ynë me korrupsionin është shumë më i madh, e më i dukshëm, sesa ai me kufijtë dhe demarkacionin? Zor të thuhet.

Shpërndaje në: