Editorial | Dramaturgu Kadri Veseli

Editorial | Dramaturgu Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, ka publikuar sot një opinion në lidhje me Gjykatën Speciale.

Opinioni duket se është shkruar përngutshëm, meqë çalon të formojë lidhje kuptimore mes fjalive të ndryshme. Çrregullësia ligjërimore bën që opinioni në fakt, të mos arrijë që të përkthehet në ndonjë mesazh të qartë, e madje edhe në ndonjë qëndrim të qartë në lidhje me çështjen. Pohimet që bën Veseli kërkojnë: a) të bëjnë një zhvendosje/prapakthim në kohë, dhe b) të shprehin një qëndrim ambig, të dykuptimshëm e për rrjedhë të kundërthënshëm.

Të artikulojmë të parën. Që në fillim të tekstit, autori kujdeset që të thotë se “opinioni në fakt është shkruar para vitit të ri” – por që u publikua vetëm sot, shkaku që nuk donte t’i rëndonte me ‘tema politike’ qytetarët e vendit. Por ndërkohë, ne nuk vuajmë nga amnezia dhe e dimë se ‘drama politike’ të cilës i referohet Kadri Veseli ndodhi më 22 dhjetor – dy ditë para krishtlindjeve, dhe vetëm dhjetë ditë para vitit të ri. E kjo dramë, do të mund të vazhdonte e t’i rëndonte shumë më shumë qytetarët e vendit nëse qëllimi i Veselit për shfuqizimin e Speciales do të përmbushej. Kësisoj, qëllimi i tij i shprehur ndër fjalët e para, del i pasinqertë e i rremë. Por, cili është qëllimi i kësaj përpjekjeje për ta kthyer opinionin e tij gati dy javë në kohë? Duket që Veseli u tremb nga ajo që i ndodhi kryeministrit Haradinaj ditë më parë, kur iu refuzua viza nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Dhe po ashtu u tremb nga reagimi i ashpër i ambasadorëve që në kor kërkuan të mos rrezikohej e ardhmja e vendit për motive krejt individuale.

Te e dyta, opinioni shpreh një qëndrim asnjanës për Specialen. Në një anë, ai thotë që kjo gjykatë tashmë është një domosdoshmëri, e në tjetrën thotë që ajo është e padrejtë. Duke marrë parasysh këtu edhe përpjekjen e tij për shfuqizimin e saj, e gjithë lëvizja e Thaçit del të jetë një lëmsh i paftillueshëm. Por, ndërkohë që shpërndan sulme ndaj oponentëve politikë, ai bën një sulm të çuditshëm edhe ndaj deputetëve që e kërkonin shfuqizimin – se nuk e çuan, dhe nuk e mbrojtën qëndrimin e tyre politik deri në fund. Mirëpo, ndaluni e mendoni pak: është vetë Veseli që ashiqare e ka ndërruar mendimin, që është dorëzuar. Qysh mund të sulmohet dikush tjetër, që ndante të njëjtin qëndrim dhe që bëri lëvizjet identike politike me tuat? Duket që Veseli e ka humbur mendjen i kapluar nga drama, siç titullohet edhe opinioni i tij.

Mund të thuhet se në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një “qëndrim pa shtrirje”. Veseli provon, përmes një qëllimi të mirë, Vitit të Ri, që ta shtrijë opinionin e tij dy javë më parë. Nuk ia del, sepse e tradhton ajo që deshi të bënte. Ai po ashtu provon t’i sulmojë oponentët politikë në një anë – që e duan Gjykatën – e në tjetrën, t’i ledhatojë veteranët e bashkëluftëtarët duke thënë se “gjykata është e padrejtë”, dhe provon poashtu të shtrijë kokën për ledhatim te ndërkombëtarët –  duke deklaruar se megjithatë Gjykata është e pandalshme. Zonja e zotërinj, kështu thyhet kurrizi.

Por ndoshta, opinioni i tij është shkruar nga këshilltari ose ish-këshilltari i tij Blerim Latifi. Një dyshim i tillë lind kur shohim termet që po i përdorë Veseli për të parën herë: “revanshizëm”, “oportunizëm brutal”, dhe “kërcim i madh revolucionar”. Dyshimet forcohen nëse shohim shkrimet e tjera të z.Latifi, që bëjnë shkarje të ngjashme logjike, dhe ku përdoret mjaft shpesh sidomos ‘brutaliteti’ si term, vend e pavend.

Oportunizmi brutal, kësaj here, iu mvesh Lëvizjes Vetëvendosje e cila nuk e kishte mbështetur ‘shfuqizimin’ e Speciales megjithëse paraprakisht kur ajo ishte miratuar, kishte votuar kundër. Ndërkohë që LDK-në e sulmoi për një oportunizëm të thjeshtë, se donte të përfitonte politikisht nga Specialja. Dhe, se nga një lëvizje ‘apatike’ ishte bërë lëvizje ‘hiperaktive’ gjatë kohës sa ndodhte ‘drama’.

Oportunizëm brutal është të mbash qëndrime kundërthënëse në një opinion të vetëm. Oportunizëm brutal është të sulmosh të tjerët për një pozicion që e përqafon vetë. Ose, të sulmosh të tjerët për dorëzim dhe pak rreshta më poshtë të deklarosh edhe dorëzimin tënd. Nëse jo oportunizëm, atëherë është injorancë.

Nëse ky shkrim nuk është bërë nga Veseli, atëherë ka shumë gjasë që po ta bënte vetë, do ta bënte shumë më mirë. A s’mund të jetë e barabartë me tjetër veç A-së. Ky është parim logjik. Dhe politika që bën shkarje logjike, është e dhunshme edhe nëse nuk vret.

Kur dikush ia ‘futë kot’, në diskursin popullor që i pëlqen aq shumë Blerim Latifit, themi se ai po “flet për hava”. Dhe ky pohim popullor mund të ishte epigrafi i këtij interpretimi. Mendimet e pashtrira, të kundërthënshme, janë pikërisht mendime ‘për hava’.

 

Shpërndaje në: