Editorial | A duhet mbrojtur qorrazi Grupi i Kumanovës

Editorial |  A duhet mbrojtur qorrazi Grupi i Kumanovës

7 pjesëtarë të Grupit të Kumanovës u dënuan me burgim të përjetshëm. 26 të tjerë morën dënime shumë të rënda, që të mbledhura së bashku bëjnë 736 vjet burg. Ndërsa katër vetë u liruan si të pafajshëm. Ky ishte epilogu i këtij rasti.

Në disa vende të Kosovës u protestua kundër këtij dënimi duke e djegur flamurin e Maqedonisë. Reaguan pak politikanë kosovarë [e megjithatë asnjë parti politike] dhe veteranët e luftës. Këta të fundit [nga rajoni i Dukagjinit] e cilësuan vendimin si antishqiptar dhe që duhej ‘rishqyrtuar nëse shteti fqinj dëshironte të ekzistonte’. Pra, Maqedonia u kërcënua me ekzistencë, ashtu siç ishte kërcënuar seriozisht nga sulmi që kishte ndodhur në Kumanovë.

Është e rëndësishme që hetimi të çohet më tej në mënyrë që të zbulohen e të dënohen edhe njerëzit e tjerë të përfshirë në rast. Por, sidoqoftë, është e pamundur që ky grup të amnistohet nga faji që ka, i cili rrjedhon drejtpërdrejtë nga ajo që është evidente dhe e provuar se ka bërë. Grupi i Kumanovës, ashtu siç nuk duhet të ndodh me asnjë grupacion tjetër që bën akte të tilla, e me asnjë individ, nuk duhet mbrojtur me arsyen se ‘janë shqiptarë’ dhe po ‘mbronin diçka shqiptare’. Mbrojtja e shqiptarëve dhe interesave të tyre, për aq sa besojmë në një rend liberal e demokratik, iu takon atyre që ata zgjedhin: politikanëve dhe partive politike. Edhe në Maqedoni, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri.

Çlirimi i Kosovës u bë në kushte të shtypjes dhe mohimit të vullnetit tonë shoqëror. Pra, në kushte krejt të tjera ku mohohej shprehja e vullnetit demokratik, dhe e drejta për vetëvendosje. Ndërkohë që ‘çlirimet’ e tjera janë jashtë vetë vullnetit qytetar të shqiptarëve dhe duhen parë krejt objektivisht. Askush nuk ka të drejtë të fshihet pas ‘etnisë’ së tij kur kryen një veprim eventual kriminal në një vend tjetër. Për më tepër, kur e cënon haptas vullnetin e asaj që kërkon të çlirojë ose mbrojë.

Për më tepër, siç thamë më parë, është evidente dhe e provueshme se pati plane për destabilizim të Maqedonisë, gjë e cila mund të kishte çuar në edhe më shumë të vrarë, dhe në një rrethanë edhe më të pafavorshme politike për vetë shqiptarët e atjeshëm. Për më tepër, Maqedonia është një shtet që ka marrdhënja relativisht të mira me Kosovën, dhe e cila së fundi e largoi nga qeverisja Nikolla Gruevskin. Për rastin në fjalë, mund të tematizohen dënimet: nëse ishin më të rënda ose më të lehta se që duhej, por kjo fjalë iu takon vetëm eskpertëve të çështjeve penale. Është korruptuese dhe e padrejtë të flitet për diçka të tillë me paragjykim, duke e ndjellë sentimentin kombëtar pa vend.

Një patriot i mirë sot është ai që angazhohet për demokraci, për të drejta të barabarta e për drejtësi sociale. Por nuk janë ata që të dehur nga këngët patriotike, i rrënojnë përpjekjet e heshtura të luftëtarëve të përditshëm në shoqëritë tona për gjërat e përmendura më lart.

Ky aksion i drejtpërdrejtë militar nuk duhet të ketë vend në shoqëritë tona. Është një mënyrë veprimi që dhunon jo vetëm atë që e sulmon, por edhe atë që pretendon se e mbron. Aktet e tilla duhen dënuar, pavarësisht se me cilin grup etnik, religjioz apo politik lidhen.

Reagimi i një pjese të madhe njerëzish paraqet një simptomë të qartë korrupsioni, dhe mendësie korruptive, që për ‘të vetin’ e ‘të afërmin’ i mbyll sytë para asaj që kërkon rendi kushtetues dhe e mira e përgjithshme. Siç thotë Sartri, njerëzit nuk e përcaktojnë veten vetëm përmes një të bëme. Nëse disa nga pjesëtarët e Grupit të Kumanovës kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës, kjo meritë nuk do t’iu hiqet asnjëherë. Por në anën tjetër, kjo meritë nuk i amniston as ata dhe as ish-luftëtarët tjerë, për veprimet e tjera që kryejnë.

Shpërndaje në: