Editorial | Hashim Thaçi, kaos-krijues

Editorial | Hashim Thaçi, kaos-krijues

Periudha post-demarkacion mendohej se do të ishte si një periudhë post-apokaliptike: e qetë, e zymtë, pa shumë ndodhi. Marrë parasysh edhe njëfarë shpërfilljeje nga komuniteti ndërkombëtar në rritje e sipër ndoshta më në fund do të mësoheshim me përmasën e vogël të vendit tonë, të zvogëluar edhe më shumë përmes demarkacionit, dhe me parëndësinë tonë gjeo-strategjike, edhe më e parëndësishme me ngjarjet e fundit në botë. Do të mësoheshim që zhvillimet e ndryshme globale nuk sillen rreth Kosovës. E që, edhe e kundërta zor se ndodh.

Por jo.

Dy ngjarjet e fundit në Kosovë e kultivuan iluzionin se megjithatë Kosova gëzon njëfarë pozite të privilegjuar në skenën politike ndërkombëtare.

Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës e arrestuan Marko Gjuriqin, një politikan problematik serb që punon si drejtor i zyres për Kosovën në qeverinë e Vuçiqit. Pastaj ndodhi edhe arrestimi dhe deportimi i 6 shtetasve turq të akuzuar nga Turqia si ‘terroristë’. Në momentin e parë, Kosova e belbëzoi ngapak shtetësinë e saj. Por në momentin e dytë, vetëm tri ditë më vonë, ajo i përpiu ato fjalë të belbëzuara dhe shfaqi ‘vazalitet’ ndaj presidentit turk Rexhep Taip Erdoan. E sidoqoftë, Kosova u bë e para në diçka: e para deportoi në Turqi të ashtuquajturit ‘gylenistë’ duke e thërrmuar sigurinë juridike të njerëzve që jetojnë në Kosovë.

Prapa të dyja ndodhive thuhet se ishte Hashim Thaçi, president i Republikës. Një president i zgjedhur në mënyrë të kontestuar pikërisht nga parlamenti. Nga Alma Lama dhe LDK-ja që donte të ruante qeverinë Mustafa me PDK-në.

Si president Thaçi kishte shfaqur një dobësi të trishtë në vazhdimësi, duke dështuar në iniciativat e tij. U përpoq të formonte ushtrinë pa Listën Sërbe, duke thënë që e kishte mbështetjen e ShBA-së, por u bë horë ndër sy kur erdhi Hoyt Brian Yee dhe tha se kjo nuk mund të bëhej. U përpoq të rrëzonte Gjykatën Speciale, bashkë me Haradinajn e Veselin, dhe përsëri dështoi. Ndërkohë që përgjatë këtyre viteve ai kishte pasur shumë pak vizita zyrtare në vendet e tjera. Në një moment kritik, kur Kosovës i duhet sa më shumë reklamë, imazh sa më i mirë, vizita sa më të shumta për të forcuar subjektivitetin e saj – presidenti, duke qenë se emrin e kishte Hashim Thaçi, mbeti i izoluar. Në një pozitë shumë më të mirë kishte qenë Jahjaga. Ajo nuk i takonte asnjë partie politike, e megjithatë, kishte treguar më shumë forcë në politikën e jashtme se Thaçi. Kishte bërë më shumë vizita dhe kishte bërë më pak gabime.

Për shkak të pozicionit politik, dhe jo aktivitetit të dendur, Thaçit iu adresuan fjalë shumë të rënda nga oponentët politikë dhe kritikët e ndryshëm. U quajt dinak, tinëzar, kriminel e vrasës. Por, të mbajmë mendjen në këtë pikë. Çka ndajnë mes tyre të gjitha këto atribute? Mbase njëfarë zotësie. Por, jo zotësi në bërjen politikë, zotësinë në çuarjen e çështjeve përpara, në forcimin e pozitës së tij, por në krijimin e kaosit, lëmshit. Domethënë, zotësi për asgjë.

Nuk po flasim as për zotësinë makiavelliste. Ata që e mendojnë kësisoj e bazojnë gjykimin e tyre në një lexim të keqkuptuar të mendimtarit të shquar italian. Në principatat e asokohshme interesi i princit, sundimtarit, ishte praktikisht edhe interesi i principatës. Të përdorësh çdo mjet të mundshëm që të forcosh pushtetin nënkuptohej si një masë tepër e rëndësishme për të parandaluar përçarjen dhe shkapërderdhjen e një vendi. Princi, ose sundimtari, do të duhej t’i mbante qytetarët në frikë. T’i lidhte me vargonjtë e frikës. Por Thaçit askush nuk i frikësohet. Dhe askush nuk e mbështet, pa qenë i futur në rrjetën e klientelizmit të krijuar nga partia e tij.

Dinakëria e Thaçit nuk është tjetërgjë veçse një deluzion nga i cili nuk duam të shkëputemi. Edhe në qoftë i përfshirë në dy rastet e arrestimeve dhe deportimeve, këto nuk mund t’i shkojnë në favor as atij dhe as vendit tonë. Ajo i shkon në favor, në rastin e parë Serbisë dhe Vuçiqit, ‘dialogut [lexo: monologut] të tij të brendshëm për Kosovën’ dhe Turqisë e Erdoganit, dhe luftës së tij kundër ‘gylenistëve’. Zotësia e Thaçit si president është një konstrukt i përbashkët i asaj që nuk duket, i njëfarë veprimtarie kurrë-të-dokumentar që kryhet në terr. Zotësia e Thaçit është konstrukt llafesh jokonsistente e konspiracioniste, që pretendojnë se Kosova nuk mund të pushtohet nga budallenjtë. Por, edhe Albin Kurti, në një intervistë për Rubikon, në një moment kishte hequr dorë nga demonizimi i Thaçit duke e akuzuar atë vetëm për injorancë. Duke treguar sesi nuk kishte ditur as të shkruante siç duhej emërtimin e postit që e mbante [kryetarë e jo kryetar i PDK-së].

Ja disa ilustrime të shkurtëra të gabimeve të tij të qarta politike. Shkaku i ‘shpurdhjeve’ të tij, PDK-ja e tij mbeti e izoluar pas zgjedhjeve parlamentare të 2014-s. Askush nuk donte të qeveriste me ta. Dhe pas këtyre zgjedheve, megjithëse dolën të parët, ata u nënvendosën në qeveri duke i dhënë partive më të vogla postin e kryeministrit.

Të rikthehemi më pas në kohë. Thaçi ishte lider i një partie me bazë të gjerë, me mbështetje shumë të madhe, por kjo parti sot shihet gjerësisht si e kriminalizuar. Në skenën politike, pozita e saj është tëkequr në vazhdimësi nga skandalet e shumta të qeverisjes së tij. Thaçi bëri që një parti e dalë nga lufta të eksploatonte luftën – duke mos pasur kurrfarë programi politik. Ta bënte të përbuzshme edhe luftën, edhe PDK-në, edhe veteranët, dhe edhe veten e tij. Ku është zotësia këtu?

Nëse Thaçi është prapa arrestimit dhe deportimit të Gjuriqit, është se kështu është komanduar në Bruksel. Nëse Thaçi është prapa arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq, është se kështu është komanduar nga presidenti Erdogan. Zotësia e vetme e Thaçit është të qenët i komandueshëm në publik. Dhe i të qenët hajvan e i papërgjegjshëm në terr, në prapavijë. Një hajvan që i sheh sherr vetes.

Çkado që ai mbronte, u zhvlerësua. Prandaj, qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të pasigurtë me një president si ai.

Zotësia e Thaçit është konstruksion i një fryme cinizmi që fryen në Kosovë tash e sa kohë. Një frymë cinizmi që e sulmon cilindo idealizëm, që i shkelë të gjitha parimet, që nuk njeh madje as forcën, zotësinë a kompetencën, por vetëm rrëmujën, kaosin dhe rastësinë.

Shpërndaje në: