Editorial i Periskopit: Drama e pamoralshme politike e Haradinajt

Editorial i Periskopit: Drama e pamoralshme politike e Haradinajt

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga detyra e kryeministrit nuk është as akt burrëror, as etik, por kryekëput politik. Është akt tërësisht i pabesë ndaj atyre që shkuan deri në vetëmohim politik për ta bërë kryeministër dhe për t’u bashkuar si krah i luftës në përballje me Gjykatën Speciale. Ai u përmbys vetë, sepse ishte ngufatur nga rezultatet e sjelljes së tij të papërgjegjshme, që e modeluan më shumë si të llastuar e tekanjoz, se racional dhe të maturuar.

Haradinaj nuk dha dorëheqje për një intervistim fjalëpakë në Hagë, sepse sigurisht që do mbrohet në heshtje – si shumë të tjerë që ndajnë fatin e njëjtë, por dha dorëheqje për të zhurmuar dhe për t’i prodhuar një palë zgjedhje të zhurmshme. I bindur se retorika populiste e ka rritur politikisht dhe ka arritur pikun e tij, ai sistematikisht ishte në kërkim të rrëzimit dhe kur askush nuk rrëshqiti në ngricën e tij, vendosi të rrokullisej i mbështjellë me një simbolikë speciale, që as militantët e verbër të tij nuk e kapërdijnë dot.

Ndonëse dha dorëheqje nga detyra e kryeministrit, ai në Hagë po shkon si kryeministër në largim dhe sapo të kthehet, deri në zgjedhjen e kreut të ri të ekzekutivit, sërish si i dyshuar dhe si kryeministër në largim pretendon të kërkojë votë qytetare për ta rimarrë detyrën. Sikur të ishte parimor, siç edhe u mundua ta shes dorëheqjen e tij, ai do ta nominonte dikë tjetër për kryeministër, ashtu qysh kishte vepruar edhe në marsin e 2005-ës, por këtë nuk e bëri. Prandaj, bashkëdyzimi i intervistimit si proces me dorëheqjen e tij si marifet politik kanë prodhuar jo vetëm një dramë të panevojshme, por edhe tërësisht të pamoralshme politike. Ndërsa, kjo bredhja kryeministrore me përpjekje vajtje-ardhjeje dhe paketim të tejdukshëm mashtrues, sigurisht se duhet të ketë edhe kosto elektorale për të!

Me kamikazllëkun politik, ai u prish me amerikanët. U prish edhe me gjermanët. Edhe me francezët. U izolua tërësisht nga ndërkombëtarët dhe nuk i mbeti më vend ku të kapej, përveçse në sajesat miope të populizmit përçudnues të tij. U prish edhe me partnerët e tij të koalicionit. Madje, edhe me PSD-në, që i luti të përfshiheshin në Ekipin Negociator, por i mashtroi dhe më pas vetë i bllokoi.

I mbërthyer me gjuhën e tij populiste: emotive, agresive dhe shpeshherë banale. I armatosur me një njëtrajtshmëri të thjeshtë politike, që vetëm moralizon, sulmon popullorqe dhe përvetëson, Haradinaj asnjëherë nuk diti t’i ruaj dhe respektoj as kundërpeshat politike përbrenda vetë institucioneve shtetërore. Ai në fund mbeti i shoqëruar vetëm me kupolën e tij, që përveç kalkulimeve financiare, i kalkuluan edhe dy thirrjet: juridiken e zakonshme të Gjykatës Speciale dhe politiken për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Me këtë formulë ai arriti ta materializoi një ftesë koti dhe t’i elektrizoi politikisht shumicën e qytetarëve.

Haradinaj me veprimet populiste edhe mund të jetë bymyer pak politikisht, por jo aq sa për të dalë përtej membranës së tij. Zgjedhjet e shumëdëshiruara mbase edhe do të mund t’ia shtonin ndonjë deputetë, por performanca kryeneçësisht e papërgjegjshme tashmë veçse e ka bërë si partner tërësisht të padëshiruar.

Papërgjegjësia e tij ka shkuar aq larg, saqë duke kërkuar shteg të favorshëm për pezullimin e taksës, pas presioneve direkte të atyre me emisarët e të cilëve flirtonte, në kërkim të një përvetësimi të ri e rihapi edhe paketën e mbyllur për liberalizimin e vizave, duke rinegociuar me kokëgdhe veçmas kërkesa politike të shteteve sipas tekeve të tyre. Pra, u mundua ta përvetësojë edhe procesin e liberalizimit të vizave, siç përvetësoi edhe procese që nuk kishte haber për to, sakaq që nga 2014-ta vazhdon të jetë bllokuesi më i madh i tij.

Me kuturisje për të shpikur kauza të rreme, që pesë vjet ai e ka bllokuar edhe progresin e vendit dhe procesin e integrimit euroatlantik. Por, më pas, po këto kauza që egërsisht i mbron, pas vjeljes politike, vetë i hedh në shportë dhe i tjetërson.

Haradinaj e humbi rrugën në oborrin e Qeverisë, sepse pafuqinë e tij politike me vetëm tri vota në kabinetin qeveritar, u mundua ta kompensoi me arrogancë politike. Ai në fund e gjeti veten të prishur me të gjithë dhe mbeti i pafuqishëm për ta pezulluar edhe taksën e shtrydhur tejmase politikisht prej tij, pezullimin e përkohshëm të së cilës, dyshojmë shumë që për shkak të qasjes joparimore të tij përbrenda partneritetit politik, më as vetë partnerët e koalicionit qeveritar nuk do ia votonin.

U kurthua në vendimet e tij dhe u gjunjëzua prej vetë atyre, sepse luante jo fer dhe lojërat e tilla nuk zgjasin shumë. Por, edhe pse nuk zgjasin shumë, pasojat e tyre bëhen edhe më të mëdha kur për të dalë ndërveprohet sërish njëjtë dhe hapet një lojë e re edhe më e madhe.

Haradinaj e kishte mundësinë e tij si kryeministër. Këtë mundësi nuk ia humbi thirrja për intervistim nga Gjykata Speciale, por egoja dhe oreksi i shfrenuar politik.

Lojërat politike nuk do ndalen, sepse secili ka fushën dhe lojtarët e tij, fer apo jo fer gjykon arbitri, por marrëdhëniet me SHBA-në, deri sot të pakontestueshme, nuk duhet lejuar që të vihen në lojë nga askush.

Ruajtja e marrëdhënieve me SHBA-në është interes nacional dhe strategjik, sepse mbijetesa e Republikës së Kosovës, sovraniteti dhe integriteti territorial, janë kryekëput të lidhura me përkrahjen amerikane./Periskopi/

Shpërndaje në: