Editorial i Periskopit: Ikja e Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale dhe rreziku i një trazire politike

Periskopi Editoriale

Hashim Thaçi i ka ndryshuar fjalët për Gjykatën Speciale. Arrestimet e para pritet të ndodhin në fillim të vitit të ardhshëm, dhe presidenti mund të jetë një prej tyre. Përfaqësuesit e veteranëve po e bëjnë një peticion kundër kësaj gjykate. Ndërkohë që flitet se Kuvendi mund ta rikthejë në shqyrtim këtë çështje. 

Gjykata Speciale është bërë makth për shumë politikanë kosovarë. Ajo pritet të fillojë punën dhe të bëj arrestimet e para qysh në muajt e parë të vitit 2018. Dhe, sa më shumë që kalojnë ditët, aq më drobitës bëhet makthi. Kjo gjykatë është e bazuar në një raport të përgatitur nga raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty. Aty flitej për diçka monstruoze si ‘trafikimi i organeve, dhe mes të përmendurve ishte edhe presidenti i tashëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Kur u publikua raporti, përfaqësuesit e veteranëve, por edhe militantët e partive të luftës, e bënë një fushatë tepër agresive ndaj Martyt, duke e quajtur njeri të lidhur me Rusinë e Serbinë, anti-shqiptar etj. Në ditët dhe javët e para të daljes së atij raporti, akuzat tingëllonin si trillime, madje edhe për kundërshtarët më të mëdhenj të politikanëve që i prodhoi lufta. Por, ky perceptim ka ndryshuar rrënjësisht. Qeveritë që prodhoi PDK-ja ishin tmerrësisht të korruptuara të cilat e zvetënuan edhe shpirtin e një mase të madhe njerëzish. Keqpërdorimet që ishin në gjendje t’i bënin dhe mendësia provinciale në të vepruar, siç u vërtetua nga Afera Pronto, nuk lejonin hapësirë që këta njerëz të mendonin edhe për interesin e përgjithshëm. Prandaj, sot ka vetëm heshtje dhe moskuptim për Specialen. Askush nuk i mbron këta politikanë, përjashto militantët të cilët kanë mundur t’i lidhin me vargonjtë e interesave. Nëse mund të ishin kaq mizorë në trajtimin e institucioneve të shtetit, mund të bënin edhe gjërat që përshkroi Marty– thotë logjika.

Thaçit do t’i vyente më shumë se kurrë një mbështetje e madhe qytetare. Ose, një mbështetje nga të gjitha partitë politike në vend. Ose, të paktën, një imazh më i mirë si politikan në relacion me ndërkombëtarët. Korrupsioni, nepotizmi, logjika me të cilën e ka shtrirë pushtetin, megjithëse mund të jenë menduar si lëvizje ‘dredharake’ e ‘të mençura’ prej tij dhe njerëzve rreth tij, në fakt e kanë rrënuar politikisht. Ai sot e gjen veten mes pasojave të të bëmave të tij. Mes rrëmujës që krijuan dështimet e tij, të parakuptuara si suksese. Dhe prandaj, ‘shpurdhja’ nga frika e Speciales, dhe tjetërsimi i diskursit është mëse i natyrshëm. Ai e ka kuptuar që ka qenë një rastësor në politikë, i dalë nga rrethanat e jashtëzakonshme të luftës. Një lider, dështimet e të cilit i pëson tashmë i gjithë vendi. Sot, Thaçi mbajti një fjalë të mangët para një parlamenti të përgjysmuar – që ia kujtoi atij se nuk ishte njeri i unitetit, por i përçarjes. Një fjalim i trishtë, që në vend se të ndjellte shpresë e entuziazëm për punë më të madhe në vitin e ardhshëm, dha ndjesinë se ishin në një fazë para-apokaliptike.

**

Në këto ditë të ftohta dhjetori, përfaqësuesit e veteranëve të luftës kanë dalë nëpër vende të ndryshme për të mbledhur nënshkrime kundër Gjykatës Speciale. Ata ishin stacionuar edhe para konvikteve në Prishtinë ku ndodhen mijëra studentë, shumë prej të cilëve nuk kanë qenë as të lindur në kohën me të cilën do të merret kjo gjykatë. Por, këta veteranë-përfaqësues-veteranësh e kanë humbur mbështetjen e njerëzve, njësoj siç e kanë humbur nxitësit e tyre, përfshirë Thaçin. Tanimë, keqpërdoruesit e kanë vetëm njëri-tjetrin dhe po përpiqen në vijimësi që të helmojnë me dobësinë e tyre, edhe të tjerët: duan të rrisin rrjetin klientelist.

Thaçi javë më parë deklaroi se ishte mashtruar nga “ndërkombëtarët” në lidhje me Gjykatën Speciale. Marrë parasysh logjikën që u ravijëzua te ‘Afera Pronto’, mund të paragjykohet me të drejtë se Thaçi është munduar të negociojë një marrëveshje për ‘shpëtim personal’ nga ajo gjykatë. Ikja e tij nga ndjekja e Gjykatës kishte filluar disa vite më herët, kur kishte deklaruar për një televizion ndërkombëtar se ai në fakt, nuk kishte luftuar, nuk kishte pasur armë, ishte marrë me politikë mes krismave të luftës.

Thaçi e Veseli mund të provojnë në muajt e ardhshëm të shkaktojnë trazira në Kosovë, nëse nuk mund t’i sigurojnë vetes një fat shpëtues. Kjo gjë dëshmohet edhe përmes peticionit që po e bëjnë veteranët. Por, edhe përmes retorikës së tyre. Qytetarët nuk duhet t’i mbështesin në këtë ndërmarrje. Ata ishin përgjegjësit për krijimin e saj, njësoj siç ishin përgjegjës për kapjen e sistemit gjyqësor duke e cënuar rëndë Kushtetutën që kërkon ndarje të pushteteve.