Editorial i Periskopit: ‘Sëmundja’ e papritur e Kurtit

Editorial i Periskopit: ‘Sëmundja’ e papritur e Kurtit

Një muaj prej shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, Albin Kurti duket çuditërisht i heshtur. Tepër i heshtur. Kjo është në kontrast me kohën e tij në qeverisje, që e kalonte kryesisht nëpër mediat e Prishtinës duke dhënë intervista të stërzgjatura, dhe në Facebook duke shkruar statuse të panumërta. Pra, kur i duhet të flas – në kohë parafushate – ai hesht. Kur duhej të punonte, ai fliste. Për më tepër, ai refuzoi ftesat e përsëritura për debat me kundër-kandidatin e tij nga PDK duke e bërë kësisoj të njëjtin veprim të pahijshëm si njëherë e një kohë Hashim Thaçi ndaj tij.

Pse kjo ‘memecëri’?

Çështja në fjalë konsiderojmë se ka të bëj me “Ndryshimin”. Ndryshim me shkronjën e parë – ‘N’-në fqinje me ‘M’-në e mashtrimit – të madhe. Shpresa e madhe e krijuar për një ndryshim të përnjëhershëm e radikal në çdo fushë të jetës në Kosovë duket se i ka dhënë për herë të parë liderit të Vetëvendosjes sensin e përgjegjësisë publike, e me këtë një farë sikleti. Për herë të parë ai është i frikësuar nga kjo shpresë e madhe qytetare, dhe nga pritjet që ka krijuar. Qëllimi i marrjes së pushtetit, dhe e gjithë lufta për një gjë të tillë, duket se e ka lënë bosh qëllimin për të cilin merret pushteti: përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në një intervistë të bërë me Qendrën Woodrow Wilson në lidhje me programin e tij qeverisës, Kurti i del kundër euforisë për ndryshimin. Intervista është në anglisht, dhe nuk u kap nga shumica e mediave, por megjithatë manifeston simptomat e një sëmundjeje. Nëse sëmundja, siç mund të kuptohet nga etimologjia e saj në shqip, lidhet me foljen ‘mund’ dhe me apostrofin prapa ‘s’-së bën kuptimin e “nuk mundet” ose “s’mundet”. Një rrjedhojë ndoshta e kulturës bujqësore shqiptare, ku vetëm ai që ishte me “sëmundje” s’mundej të punonte dhe lirohej nga detyra. Pra, në rastin e Kurtit ky është një manifestim i kësaj pamundësie, e evidentuar edhe në qeverisjen e tij të shkurtër të mbushur me statuse Facebook-u e intervista, dhe në fushatën që parapriu atë periudhë pushteti.

Kurti madje, pretendon se populli kësaj here – për dallim nga çdo herë tjetër në historinë shtet-formuese të Kosovës – është i durueshëm dhe pret për ndryshimet.

“Sidoqoftë, kjo do të jetë e para qeveri kur njerëzit duhet të kenë durim për disa gjëra sepse të gjithë ata që premtuan mrekulli, bënë pasuri mrekulluese për veten e tyre. Dhe tash njerëzit janë shumë shumë të durueshëm për qeverinë tonë kur vjen puna te disa ndryshime të caktuara si reforma në sistemin arsimor  apo për fondin e sigurimeve shëndetësore. Ata janë të gatshëm dhe të vullnetshëm që të presin.” – thotë ai gjatë këtij prezantimi.

Ku po e sheh Kurti këtë pritje e këtë durim të qytetarëve? Natyrisht, askund. Shumica dërrmuese e mbështetësve të tij [e atyre që nuk janë aktivistë të paguar nga Vetëvendosja e që presin të punësohen me marrjen e pushtetit] në fakt presin ndryshime të përnjëhershme, ndryshime bile në perspektivën e tyre personale. Dhe kjo është shumë e drejtë bazuar në politikë-bërjen e deritashme të partisë Vetëvendosje. Fundja, çka është e mira e përgjithshme nëse jo tërësia e interesave tona personale?

Ta zëmë, për reformat në sistemin arsimor – nëse jemi aq optimistë sa të besojmë se përnjëmend do të kemi përmirësim e jo përkeqësim drastik të situatës – përfitues do të ishin qytetarët e moshës minore 0 deri në 10 vjeç, dhe ata qytetarë që janë ende të palindur. Për më tepër, procesi i lidhjes së sistemit arsimor me punësimin – orientimi kah arsimi profesional – është bërë edhe nga qeverisjet e mëhershme. Ku është ndryshimi në këtë pikë?

Natyrisht, ndryshimi gradual ka ndodhur në vazhdimësi pavarësisht se kush kishte pushtetin.

Por, t’i përmendim shpejt edhe të tjera premtime të Kurtit për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai ka premtuar rritje të pagës minimale në 250 euro. PDK ka premtuar 300, e PSD 280. Kurti pati premtuar në zgjedhjet e kaluara se buxheti do të arrinte në vitin 2023 në 3 miliardë. Qoftë edhe premtimi është më i vogël se arritja e bërë nga qeverisjet e mëhershme, Thaçi 1, Thaçi 2, Mustafa e Haradinaj. Kujtojmë që buxheti i shtetit në vitin 2008 ishte 815 milionë ndërsa në vitin 2019 ishte 2.4 miliardë. Kujtojmë që Kosova kishte një rritje të madhe të ekonomisë përgjatë gjithë dekadës, pavarësisht korrupsionit. Ku është ndryshimi, atëherë?

E njëjta vlen edhe për procesin e Vettingut në Drejtësi – një proces i nisur nga qeverisjet e kaluara. E njëjta vlen edhe për procesin e ri-vlerësimit të mësimdhënësve, një proces i nisur para disa vitesh e që nuk u finalizua shkaku i kërcënimeve të Rrahman Jasharajt.

Sistemi ekonomiko-politik i deritashëm – me gjithë mangësitë evidente e të këqijat enorme, dhe ndryshimin gradual – duket se prej 15 shkurtit do ta fitojë një avokat të zotin, Kurtin. Prej 15 shkurtit e andej, e gjithë ajo që na u duk gati kolektivisht e keqe, do të na duket përnjëherë e mirë. Pakënaqësia qytetare e pa-artikuluar do të bëhet përnjëhershëm e dënueshme e imorale. Të gjithë viktimat e sistemeve arsimore në 5-6 dekadat e fundit, e që përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë, do të çnjihen si viktima e do të shqyrtohen imtësisht për kompetencën e tyre. Fuqia e pakualifikuar punëtore do të denoncohet, siç u denoncua edhe nga pushtetarët e deritashëm. Dembelia po ashtu.

Albin Kurti krejt papritmas po pozon si një lider që “s’bën magji”, duke e shtypur heshturazi kërkesën e elektoratit të tij për ndryshime serioze e të prekshme që përmirësojnë standardin e jetës.

Mos të harrojmë dështimin katastrofal të “shok terapisë” së Rusisë, që premtonte transformim radikal ekonomik në vitet ’90 – e ku të përfshirë ishin edhe ekonomistët më të mirë botërorë, përfshirë edhe Larry Summersin. Pra, planet ekonomike dështojnë edhe kur prapa tyre qëndrojnë mendjet më të mprehta të ekonomisë – e Kurti s’është fare ekonomist.

Në fund të fundit, kurrkujt nuk i hyn në punë drama politike e prodhuar nga mediat e nga Facebook-u, dhe çdokujt i hyn në punë mirëqenia e tij individuale.

E sa i përket kompromiseve në dialogun me Serbinë e në tema të tjera madhore për të cilat duket në horizont mospajtimi edhe me administratën e re amerikane, nuk po flasim fare kësaj here. /Periskopi

Shpërndaje në: