Editorial | Kukatja e Thaçit, heshtja e Kurtit dhe ndarja e Kosovës

Editorial | Kukatja e Thaçit, heshtja e Kurtit dhe ndarja e Kosovës

Eventet politike në Kosovë ndodhin në formë të fjalëve [ose heshtjeve]. Në formë të deklaratave. Kryesisht, ngjarje ose event politik përbën rasti kur dëgjojmë një fjali të re, ose kur një fjali e dëgjuar shpesh kontestohet nga një tjetër, ose kur rresht së përsërituri. Apo, edhe kur një fjali që pritej të dëgjohet më në fund dëgjohet.

Por, ngjarje politike nuk përbën një fjali ose deklaratë e një politikani kosovar. Edhe president qoftë. Sepse, fjala e tyre është e papeshë, e zhvlerësuar, jokonsistente. Nuk përkthehet në ndonjë ndryshim. Popullorçe kjo lloj fjale që nuk përbën event quhet pallavër.

Ta zëmë, Hashim Thaçi kishte deklaruar se Kosovës do t’i hiqeshin vizat para shtatë vitesh. Pastaj, Ramush Haradinaj kishte thënë që ‘demarkacioni i Murat Mehës’ nuk duhet të ratifikohet dhe e ratifikoi vetë. Parulla kryesore e Lëvizjes së drejtuar nga Albin Kurti kishte qenë “Jo negociata” por ai në 2014-n donte që të bëhej ministër i Punëve të Jashtme që të negocionte me Serbinë. Këto disa nga pallavrat e kota e të parëndësishme.

Sidoqoftë, këto ditë ndodhën disa ngjarje të rëndësishme në Kosovë. Komisioni Evropian dha rekomandim pozitiv për heqjen e vizave. Domethënë, e kemi përmbushur edhe kriterin e mbetur: luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne e dimë që korrupsioni dhe krimi i organizuar në vend është harlisur dhe po lulëzon si asnjëherë tjetër – por e dimë që ky ishte kriter sa për të thënë, dhe që vizat ka gjasë të hiqen.

Një tjetër event me rëndësi të madhe është edhe heshtja e ambasadorit të ShBA-ve në Prishtinë, Delawie, në pyetjen nëse kishte mundësi për shkëmbime territoriale apo ndarje të Kosovës. Qëndrimi amerikan në këtë pikë duket se është lëkundur.

Partitë opozitare duken të dremitura në parëndësinë e tyre. Edhe njëra, edhe tjetra, duket se nuk kanë fjalë të reja për të thënë. Çka të kundërshtosh, dhe më e rëndësishmja, qysh? Do të përbënte event të rëndësishëm politik nëse këto parti do të ndërronin kursin duke e rrëzuar qeverinë përmes Listës Sërbe, ose në të kundërt, do të bëheshin pjesë e një ekipi të unitetit për çështjen e dialogut. Nuk ndodh sepse, si njëra ashtu edhe tjetra, e vuajnë shterpësinë e tyre retorike të së kaluarës.

Derisa vazhdon dremitja e opozitarëve në një anë, dhe belbëzimi i tipit [Kosovo-EU family] në anën tjetër nga njerëzit e institucioneve, Kosova del se rrezikon të ndahet territorialisht. VV-ja vuan se nuk e di qysh ta legjitimojë para elektoratit një koalicion në të ardhmen me PDK-në, ndërsa LDK-ja vuan sepse nuk e di qysh të bëhet konstantja e pushtetit në Kosovën kinse-demokratike duke ia marrë rolin partisë së Veselit.

Askush nuk del të thotë se dialogu në fjalë nuk është çështje thjesht lokale, që do të prekte vetëm Kosovën dhe Serbinë. Askush nuk kishte kurajë të hiqte ‘çlirimin’ si ngjarje të prodhuar nga UÇK-ja. Njerëzit që erdhën në pushtet pas vitit 2008, e që ishin edhe më herët të pushtetshëm në diskursin që i dha rëndësi atij formacioni politik e ushtarak, e penguan pamësinë që tregonte se Kosova nuk ishte çliruar vetë. Dhe që intervenimi ndërkombëtar që e prodhoi çlirimin vazhdon të formësojë eventet e rëndësishme politike që na vijnë në formë fjalësh nga diplomatët ndërkombëtarë. A mendoni që Kosova do të futej në procesion negociator më 2011 nëse UÇK-ja do ta kishte fituar çlirimin vetë më 1999? Por, pa dallim, të gjitha partitë politike t’i rreken rrëmimit në histori për të treguar se kah vijnë të gjitha këto kushtëzime ndërkombëtare.

Tash e një dekadë, agresioni rus është shtuar ndaj vendeve perëndimore. Në konferencën për medie pas samitit të Helsinkit, presidenti amerikan Trump doli në krah të presidentit rus Putin dhe praktikisht e legjitimoi për agresionin e vendit të tij. Rusia e kishte aneksuar Krimenë në vitin 2014, dhe as që ishte lodhur ta justifikonte atë veprim. Ky është ai së cilës i druhen të gjithë – një agresion ligjërimor. Ligjërimi i Rusisë është tepër arbitrar – dhe, për rastin e Krimesë ai e kishte përmendur edhe intervenimin që e kishte bërë NATO në Kosovë.

Ja se çfarë kishte thënë Putin kur u pyet nga gazeta Bild për rastin e Krimesë: “Çka për ligjin ndërkombëtar?”

“Natyrisht, duhet ta ndjekim gjithnjë ligjin ndërkombëtar. Kjo qëndron për rastin e Krimesë. Sipas Kapitullit të Kombeve të Bahskuara, çdo njeri ka të drejtën e vetë-vendosjes. Merreni Kosovën: atëherë, trupat e OKB-së vendosën që Kosova të bëhej e pavarur nga Serbia dhe që interesi i qeverisë së Serbisë duhej të shkilej. Mund ta lexoni një gjë të tillë edhe në gjermanisht.”

Prandaj, në mënyrë që të legjitimohet intervenimi i NATO-s në Kosovë, Serbia duhet ta njohë formalisht Repubikën tonë të shpallur njëanshëm!

Dialogu i nisur më 2011 ishte një ngjarje tjetër e rëndësishme politike. Por, skena politike në Kosovë u bë shurdhe dhe memece ndaj saj. Thaçi gënjeu se nuk po negocionim veç për çështje teknike, e jo për ato politike. Në rrenën e tij, u futën edhe partitë e tjera përveç Vetëvendosjes – e cila sidoqoftë, vendosi të thurrte një rrenë edhe më të madhe: ne nuk kishim asnjë nevojë të negocionim me Beogradin. Ky qëndrim ishte konsistent me protestat kundër Pakos së Ahtisaarit që i mundësuan Kosovës pavarësinë dhe me kundërshtimin e Marrëveshjes së Rambouillet-së, tekst i cili bëri që NATO t’i fillonte bombardimet ndaj Serbisë.

Megjithatë, ishte Thaçi ai që nuk ia doli mbanë të ndërtonte një konsensus politik mbi çështjen dhe të pranonte me vakt ‘të vërtetat e dhimbshme’. Ishte kryesori.

Ai u delegjitimua si jashtë Kosovës, ashtu edhe brenda. Fjala e tij u bë aq e papeshë, sa Hoyt Brian Yee e kishte demantuar një javë pasi kishte thënë që “ShBA-ja e mbështeste Kosovën që ta formonte ushtrinë pa ndryshime kushtetuese”. Nuk po përmendim këtu skandalet e shumta në qeverisje, dhe zbardhjen e metodologjisë së pushtetit përmes Aferës Pronto.

Për më keq, Thaçi ka një oratori aq të varfër dhe një mbështetje nga partitë politike të cilat praktikisht janë evidentuar si klienteliste e keqpërdoruese, dhe nuk arrijnë të legjitimojnë asnjë veprim që e bëjnë.

Në një bashkëbisedim me disa studentë, Thaçi sot tha: “Kosova duhet ta vazhdojë dialogun e brendshëm.” Për çfarë dialogu e ka fjalën? Kurrfarë dialogu i brendshëm për marrëveshjen me Serbinë nuk po ndodh në vend. Qeveria në një anë, dhe opozita në tjetrën bëjnë monologje të kota. Një i tillë ndërkohë [ekskluzivisht për Kosovën] është duke ndodhur në Serbi. Presidenti Aleksandër Vuçiq, muaj më parë kishte shkruar një letër të guximshme ku kishte thënë se “duhej të hiqnin dorë nga mitet për Kosovën dhe të pranonin një zgjidhje të dhimbshme”. Për dallim nga Thaçi, Vuçiqi qe një kohë të gjatë po merret me publikun serb dhe po iu jep idenë se njohja e Kosovës, duke përfituar diçka në dëm të kësaj të fundit, është detyrim nëse vendi dëshiron të futet në BE. Sipas të gjitha gjasave, në Serbi do të kemi edhe referendum për këtë çështje. Kjo do të ishte hera e parë që Serbia do të pranonte një marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën, dhe në rast se Kosova nuk do t’ia dilte ta pranonte – mbështetja ndërkombëtare përnjëmend do të binte në mënyrë të frikshme, dhe statusi i Kosovës do të hapej për negocim.

Siç po thuhet në vazhdimësi, marrëveshja pritet të jetë e dhimbshme për vendin. Ky do të duhej të ishte alarmi i nevojshëm për opozitën që të zgjohet nga dremitja politike. Që të parandalojë mundësinë e ndarjes territoriale, e cila njëmend do të mund t’i bënte ngjarjet politike të mos na vinin në formë fjalësh, por në formë krismash e kukatjesh.

Shpërndaje në: