Editorial: Moment ideal për t’i dhënë fund problemit shqiptaro –serb

Editorial: Moment ideal për t’i dhënë fund problemit shqiptaro –serb

Çka e bën këtë vit “moment ideal për t’i dhënë fund problemit shqiptaro –serb” dhe a e kuptojnë vendimmarrësit në Beograd dhe Prishtinë seriozitetin dhe rëndësinë e problemit?

Dje, Delegacioni i Departamentit Amerikan të Shtetit ishte në Beograd, ndërsa sot erdhi në Prishtinë. Qëllimi i tyre është i qartë: t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë rivalitetit më të rrezikshëm në këtë kënd të Evropës – atij mes shqiptarëve dhe serbëve. Nëse për një moment e zbërthejmë elegancën e gjuhës diplomatike, nuk do shumë mend se mesazhi që ata përpiqen t’ua përcjellin liderëve të Beogradit dhe Prishtinës, thënë brutalisht, mund të përmblidhet në tri fjali:

Veriu i Kosovës sot është për Kosovën si Kosova që ishte dikur për Serbinë. Një pjesë e territorit, e banuar kryekëput me serbë që nuk dëshiron të jetë pjesë e Kosovës, mbi të cilin autoritetet e Prishtinës nuk kanë kontroll dhe e mira prej të mirave kishte me qenë që sa më parë të gjendet një zgjidhje;

Shqipëria Etnike dhe Serbia Etnike [Mos t’i quajmë të mëdha] nuk e përjashtojnë njëra tjetrën, dhe

Koha për t’i dhanë fund këtij kapitulli të historisë suaj është tani. Por, koha nuk është e pakufizuar: andaj, juve liderëve politikë ndoshta edhe nuk ju ngutet, mirëpo amerikanëve dhe popujve tuaj po. Edhe atë, shumë.

Pse mu tani?

Çka e bën këtë vit “moment ideal për t’i dhënë fund problemit shqiptaro –serb” dhe a e kuptojnë vendimmarrësit në Beograd dhe Prishtinë seriozitetin dhe rëndësinë e problemit?

Shikuar historikisht, serbët kanë qenë gjithnjë pala me apetit agresiv të madh dhe kanë dëshmuar gatishmëri për sakrifica të mëdha që përkufizohen me jo-racionalitet [Lufta e Parë Botërore] për të ndërtuar shtet sa më të madh dhe sa më të fuqishëm.

Gjithashtu, ata kanë shfrytëzuar me mjeshtri shkatërrimin e rendeve të mëdha shtetërore ose ideologjike që kanë sunduar këto anë, si: Perandoria Osmane, ajo Habsburge  dhe rajhu i tretë. Dhe, pas çdo tërheqje të të mëdhenjve, ata kanë dalë me më tepër territor dhe ndikim – sidomos në dëm të shqiptarëve. Kjo, deri në shkatërrimit e rendit të fundit të madh – Luftës së Ftoftë.

Të pavendosur se kah t’ia mbajnë, të udhëhequr jashtëzakonisht keq dhe të përçarë në vija ideologjike – 20 vite pas rënies së Murit të Berlinit, gjatë të cilit përjetuan tkurrje territoriale dhe ekonomike, demoralizim dhe izolim ndërkombëtar – serbët janë duke rrëshqitur rrezikshëm drejt statusit të irelevancës, madje edhe në suaza regjionale.

Lajmi i mirë për Serbinë është që elita e tyre politike duket se e ‘ka kuptuar filmin’ më në fund.

Sot, në Beograd, politikanët shumë më pak i dëgjojnë akademikët senilë dhe vazet e priftërinjve dhe shumë më tepër fishkëllimën e zorrëve të qytetarëve.

Kur në Beograd thonë zëshëm dhe publikisht se “Nuk kemi çare pa e zgjidh problemin me shqiptarët” dhe “pa e zgjidhur çështjen me Kosovën nuk mund të hyjmë në Evropë” është dëshmi se sipas të gjitha gjasave në Beograd ka arritur zëri i arsyes.

Kjo valë e re në rezonimin dhe qasjen në politikën zyrtare në Beograd, tashmë po shihet dhe po dëgjohet qartazi në çdo deklarim publik, andaj nuk ka mbetur pa u vrenjtur edhe nga Uashingtoni.

Administrata amerikane për dallim prej evropianëve nuk i lëshon mundësitë e krijuara dhe si pasojë ‘Pax amerikana’ po përsëritet në Evropë, kushedi për të satën herë. Për ne shqiptarët që zakonisht kemi përfituar prej iniciativave amerikane pasi kemi qenë viktima, kësaj radhe duket se është pak më ndryshe: kësaj radhe serbët i kanë tanket nëpër garazhe dhe nuk kanë përpiluar rezolutë me kushte obligative ende pa filluar bisedimet.

Lista serbe e dëshirave

Përkundër dallimeve semantike, shumica në Beograd  tani kërkon që t’i jepet fund telashit më të madh – atij me shqiptarët. E këtu fillon semantika: atë që në Prishtinë disa po e quajnë “ndarje të Kosovës”, ndërsa në Beograd i thonë “razgranicenje sa allbancima”.

Për serbët, përkufizimi mes dy popujve është përkufizim mes dy popujve. Në këtë rast, përkufizim i serbëve dhe shqiptarëve në nivel shtetëror, dhe jo vizatim i kufirit të shtetit të Kosovës. Deri vonë kjo ka qenë pengesa kryesore për zhvillimin e çfarëdo dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Për serbët deri vonë, çështjet e mëdha siç është kufiri mes dy popujve do duhej të bisedoheshin vetëm me ata që i konsideronin të denjë: ajo ishte dhe është ende Tirana. Disa herë, zyrtarët serbë publikisht kanë deklaruar mes rreshtash se prapa dyerve të mbyllura të takimeve kanë insistuar se “nuk kanë asgjë kundër Shqipërisë Etnike”, por shumë më vështirë e kanë të kapërdijnë faktin për ekzistimin e dy shteteve shqiptare.

Sidoqoftë [është koha të thuhet publikisht kjo gjë], hapi më i madh drejt pranimit të Prishtinës si partner në fazën e bisedimeve në Bruksel u arrit gjatë vizitave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës në Beograd dhe aktiviteteve vijuese të diplomacisë shqiptare. Siç thonë diplomatët perëndimorë “shembull i rrallë dhe shumë shpresëdhënës, në suaza të Ballkanit, i iniciativave të suksesshme, pa ndërmjetësimin e fuqive”.

Nëpër kuloare ende qarkullon një dromcë e pakonfirmuar nga bisedat mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit, ku ky i fundit i thotë Edit: “kam drojën se ata [kosovarët] as ty nuk kanë me të dëgjuar për çdo gjë”. Dhe thuhet se pas refuzimit për heqjen e taksës, Vuçiq ia kishte përkujtuar dikujt bisedën me Edi Ramën.

PRISHTINA

Kësaj vale të re nga Beogradi, Prishtina deri më tani i është përgjigjur me emocione mikse. Përkundër përshtypjes së krijuar, taksa 100 për qind për produktet serbe nuk është problemi më i madh, e as që renditet shumë lartë në listën e problemeve [për shkak se kur amerikanët të vendosin që ajo të hiqet me të vërtet, ajo do të hiqet dhe ditën e pezullimit të saj besoj që do ta mësojmë sot]. Andaj, është mirë që sa i përket çështjes së kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë – apo si po i thonë në Prishtinë kufirit shqiptaro – serb – është mirë t’i sqarohen opinionit disa gjëra.

Ku ta fillojmë këtë pjesë?

Në Kosovë, duke filluar prej gjysmës së vitit të shkuar – kryesisht për nevoja të politikës së brendshme ditore – është fryrë dhe demonizuar përtej mase togfjalëshi “ndarje e Kosovës”. Politikanë praktikantë, të ndihmuar edhe  nga burokratët evropianë, herë me patetikë patriotike e herë me parashikime apokaliptike për pasojat e ‘ndarjes’ , përpiqen të shtrembërojnë realitetin se bëhet fjalë për këmbim territoresh ose si thonë shumë diplomatë “për përditësim të një kufiri që është vendosur me luftë”.

Evropianët – gjithnjë duke harruar se kufijtë e stërkequr ballkanik janë pikësëpari pasojë e budallallëqeve dhe politikës së tyre klienteliste karshi ballkanasve – ende nuk pandehin që të pranojnë që ballkanasit vetë t’i saktësojnë kufijtë e tyre, nëse bëhet pa dhunë e pa presion.

Por, kjo ‘ndarja’ nuk është ndarje, por shkëmbim. E duke marrë parasysh volumin e shkëmbimit, ma tepër i shkon fjala saktësim i kufirit. Pra, nëse palët dakordohen, Kosova do të jap, por edhe do të marrë territor. Do të jap territor prej të cilit nuk vjel taksa, territor në të cilin fjala ‘sundim i ligjit’ është vetëm ide, territor nga i cili dëmet nga kontrabanda askush nuk është në gjendje t’i llogarisë, territori nga i cili nuk paguhen as faturat e rrymës – apo thënë në saktë, faturat e të cilëve i paguan pjesa tjetër e qytetarëve – dhe territor nga i cili delegohen përfaqësues që paguhen nga buxheti i Kosovës, por që nuk kanë kurrfarë përgjegjësie ndaj Kushtetutës së Kosovës [Cit. Këto janë vetëm një përzgjedhjeve e vogël e problemeve të Veriut të Mitrovicës].

Pra, pjesa e territorit të Kosovës, e cila është në tavolinë për “Update” është e Kosovës vetëm në letër. Bëhet fjalë për anën e majtë të Lumit Ibër dhe askush në Kosovë, prej kryeministrit e teposhtë nuk e ka madje as idenë ma të vogël se çfarë dobie ka nga kjo pjesë Kosova, përveç telasheve të vazhdueshme, si dhe kur dhe si mundet që kjo pjesë së paku të duket si territor i integruar. E njëjta vlen edhe për këta të Brukselit, të cilëve duhet përkujtuar se për 20 vite rresht janë sorollatë me OSBE-ja dhe EULEX-a këndej pari pa arritur që të lëvizin një gur të vetëm prej vendit. Andaj, rendi është që tani të heshtin pak.

Kur bëhet fjalë për Liqenin e Ujmanit, puna qëndron ndryshe, kjo pasi Liqeni përmban asete pa të cilat Kosova nuk i duhet askujt. I gjithë thëngjilli i Kosovës nuk vlen as pesë pare, nëse uji nga Liqeni nuk shfrytëzohet në procesin e prodhimit të energjisë elektrike. Kosova nuk ka burim tjetër për këtë destinim, andaj mbetja e Liqenit nën kontrollin e Kosovës është çështje ekzistenciale.

Njohësit e këtij lloji të kontestit thonë se përveç kthimit të kontrollit fizik mbi sipërfaqen e Liqenit, zgjidhja afatgjate duhet të bëhet me marrëveshje trepalëshe për shfrytëzim dhe mbrojtje e jo për pronësi, në mes të Kosovës, e cila ka 90% të Liqenit, Serbisë me 10% dhe Malit të Zi  nga i cili vjen e tërë sasia e ujit. Malazezët na kanë pak borxh andej kah malet, dhe nga kjo perspektivë, Demarkacioni duket si investim jo edhe aq i keq.

Çka fiton Kosova me këtë përditësim, gabimisht të quajtur ndarje?

Padyshim se bisedimet për detajet e vijës kufitare nuk do të jenë të lehta rreth asaj se cilat pjesë të Serbisë do të hyjnë brenda Kosovës, por duke e njohur qëndrimin fetishist që kanë ballkanasit ndaj tokës, së pari si sasi e pastaj si kualitet, askush asnjëherë nuk ka përmendur proporcion ndër 1:1.

Pra, Kosova do të fitojë dhjetëra mijë tatimpagues dhe komuna që do të krijojnë të hyra për buxhetin, në këmbim për një shportë pa fund në aspektin financiar. Dikush me talent të vogël për llogaritje mund t’i llogarisë shumë lehtë sa euro më tepër në vit do të fitojë çdo qytetar i Kosovës. Më pas, Kosovës, por edhe Serbisë do t’u hiqet aura e vendeve me rrezikshmëri dhe potencial për destabilizim dhe më e rëndësishmja: politikanët vendorë më në fund ndoshta do të fillojnë të merren me problemet e përditshme të qytetarëve, me spitale dhe shkolla, me ndërtim të shtetit të mirëqenies dhe të drejtësisë, si zëvendësim për shtetin që me orar të plotë të punës merret me rrezikun nga Serbia dhe aleati i saj, Rusia.

Sidoqoftë, taksa dhe saktësimi i kufirit nuk u radhitën si çështjet më të rëndësishme të zgjidhjes së relacionit Serbi-Kosovë-Shqipëri, sepse pas përcaktimit të kënaqshëm të mexhave mes dy popujve dhe para nënshkrimit të ndonjë dokumenti historik, përfaqësuesit e Tiranës, Beogradit dhe Prishtinës duhet të bien në ujdi për arkitekturën politike që do t’i rregullojë çështjet mes dy popujve dhe në këtë pikë lista e të interesuarve rritet shumë. Prej vendeve fqinje, e deri te BE- ja, Rusia dhe natyrisht SHBA-ja, të gjithë duan ta dinë  se “What next”?

 

 

 

Shpërndaje në: