Editorial i Periskopit: Cili kandidat duhet të votohet në Prishtinë

Editorial i Periskopit: Cili kandidat duhet të votohet në Prishtinë

Të dielën qytetarët e Prishtinës duhet të zgjedhin mes dy kandidatëve për kryetar komune: Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes dhe Arban Abrashit të LDK-së. Por, më shumë se mes dy individëve, qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin mes dy mënyrave të ndryshme qeverisëse, dhe mes dy kaheve të ndryshme ideologjike. (megjithëse që të dy janë pjesë të partive politike centriste, njëri në qendrën e majtë e tjetri në qendrën e djathtë)

Abrashi i hyri garës si një fytyrë e re në politikë, dhe pamëdyshje si një politikan më i pranueshëm se ish-kandidati i mëparshëm i LDK-së, Isa Mustafa. Por ‘e reja’ te fytyra e tij u rravgua nga debatet politike që pamë, sidomos nga debati ku ata përballeshin me njëri-tjetrin, nga qëndrimi i shtanguar dhe nga lavdërimi që vazhdimisht po i bën qeverisjes komunale të Isa Mustafës. Abrashi ndodhet në një pozitë të papërshtatshme politike, meqë duhet ta mbajë gojën mbyllur për çdo gjë që u bë keq në Prishtinë gjatë katërmbëdhjet viteve sa LDK-ja e kishte pushtetin në komunë. E kjo është dëmtuese për vetë qytetarët, sepse mospranimi i gabimeve çon në përsëritjen e tyre, dhe në praktika të njëjta qeverisëse. Nga ky pozicion, Abrashi do të duhej që të paktën t’i qiste në shesh ato veti e veçori që e dallojnë nga shefi i tij i partisë, dhe nga ish-kryetari i kësaj komune. Por, ai nuk e bëri një gjë të tillë. Kësisoj, ai nuk mundi të krijonte identitetin e tij si kandidat dhe kryetar i ardhshëm i kryeqytetit. Një gjë e tillë krijon potencial të madh që ky kandidat të jetë i shantazhueshëm dhe i nënshtrueshëm ndaj grupeve të ndryshme të interesit që qarkullojnë në kryeqytet – duke e dëmtuar për rrjedhojë interesin e qytetarëve të rëndomtë.

Shpend Ahmeti në anën tjetër, në këtë aspekt, ndryshon shumë. Që në zgjedhjet lokale të vitit 2013, ai fitoi vota të shumta shkaku i identitetit të tij si akter i rëndësishëm i shoqërisë civile, duke e afirmuar identitetin e tij të përveçëm nga partia, gjë që e bëri në një masë të konsiderueshme, kryetar të panënshtrueshëm e në shërbim të qytetarëve. E megjithatë, ka vend për kritikë në këtë drejtim. Përmes forcës politike që mori si kryetar komune, ai ishte i përfshirë ndoshta më shumë se që ishte e nevojshme në nivelin qëndror të politikbërjes. Është shqetësues edhe numri i madh i militantëve të punësuar – megjithëse është e qartë se numri prej afër 500 vetëve që e përmendën kundërshtarët e tij (përfshirë Abrashin) nuk qëndron. E sidoqoftë, Shpendi arriti të përshfaqte shembullin e kryetarit të panënshtrueshëm nga grupet e biznesit – shembull që as nuk mund të pretendohet nga Abrashi, duke qenë se ai është vetë pjesë e atij grupi.

Arban Abrashi ndërkohë, ishte i pakujdesshëm në premtimet që bëri duke reflektuar në këtë formë joseriozitetin e tij. 1.2 miliardë euro investime për katër vite, është një shifër e paprovueshme dhe madje tallëse për qytetarët. Pikërisht në këtë pikë qëndron një dallim tjetër i madh me Shpend Ahmetin – i cili vazhdimisht merret edhe me mënyrën ose metodën përmes të cilës bëhet një punë. Në vend të fjalës ‘premtime’ ai përdor fjalën ‘zotime’. Qasja e Ahmetit e afirmon një relacion tjetër mes qytetarit dhe qeverisjes komunale: më të afërt, e më transparente. Abrashi e ka të njëjtën mendësi, e prandaj shërben thjesht si një agjent i të njëjtit pushtet që vepronte në Prishtinë para katër vitesh. Jo një agjent për ndryshim e përparim, por e kundëra, për mosndryshim dhe atymbetje.

Një përparësi e Arban Abrashit ndaj Shpend Ahmetit rrjedh pikërisht nga e keqja e tij më e madhe. Fakti që është i nënshtrueshëm, meqë nuk ka ndonjë projekt ose ndonjë ide e madje as bindje të veten politike – i mundëson atij të jetë më bashkëpunues me institucionet qëndrore, si Qeveria dhe Kuvendi. Në katër vitet e fundit, kjo ishte një ndër të metat kryesore të qeverisjes Ahmeti. Por, në këtë aspekt ka shenja të qarta të përmirësimit. Vetëvendosje e ka fituar një numër të madh ulësesh në asamblenë komunale, dhe me shumë gjasë pas fitores së mundshme, Shpend Ahmeti nuk do të bllokohet nga ky institucion. Poashtu, ai e ka cilësuar qeverisjen Haradinaj si “goxha bashkëpunuese” dhe rrjedhimisht pritet të ketë bashkëpunim të mirë edhe me Qeverinë. E madje, bashkëpunim pritet të ketë edhe me Kuvendin, nëse marrim parasysh numrin e madh të deputetëve që ka Vetëvendosje në këtë legjislaturë, përfshirë edhe një masë deputetësh nga partitë e tjera të cilët nuk kanë qasje bllokuese.

Përmendëm edhe dallimet ideologjike. Duam apo s’duam, të gjithë bëjmë zgjedhjet tona (madje edhe kur nuk zgjedhim fare) dhe jemi të përfshirë në sfondin ideologjik. Ahmeti dhe Abrashi, megjithëse pjesë të partive centriste, i pari vetëdijshëm e tjetri jo-aq-vetëdijshëm, janë vënë në ‘skajet’ e njërës dhe tjetrës bindje ideologjike. Politikat sociale të Ahmetit, përfshirë edhe kiflet dhe autobusët, janë përqeshur nga kandidati tjetër Abrashi. Njësoj siç është përqeshur mosguximi i tij për të bërë investime kapitale, në dëm të nevojave konkrete qytetare të shtresës së mesme dhe të shtresës së varfër. Abrashi nuk është përfillës i politikave sociale, ose të mirëqenies, dhe kjo vërehet edhe nga premtimi për krijimin e zonës ekonomike të Prishtinës, nga premtimi për të shtyer përpara projekte të mëdha – nga të cilat, të parët që do të përfitojnë janë kompanitë e ndryshme. Programi i tij, dhe premtimet e tij nuk duhet të merren më seriozisht se qasja e tij.

Qytetarët duhet të jenë mjaft të vëmendshëm në këtë pikë. Kjo sepse, ishte evidente që gjatë qeverisjeve komunale të Isa Mustafës, Prishtina u zhvillua në bazë të nevojave që kishin grupe të ndryshme të interesit, përfshirë kompanitë ndërtimore, të cilat nevoja shpesh nuk përkonin me të mirën e përgjithshme dhe nevojat e qytetarëve. Qytetarët e Prishtinës, ashtu si të gjithë qytetarët e Kosovës, nuk kanë qenë përcaktues të dinamikave dhe orientimit të zhvillimit – përmes nevojave dhe interesave të tyre. Qe një kohë të gjatë, ishte e domosdoshme që të punohej në zbutjen e pabarazisë sociale, dhe në përgjithësi, në prioritetizimin e nevojave të njëmendta të qytetarëve – pa interferimin e ndërmarrjeve biznesore në to. Pasojë e një mendësie të tillë, është edhe tolerimi i mijëra ndërimeve-pa-leje gjatë katërmbëdhjet viteve të pushtetit të LDK-së. Pasojë tjetër, për shembull, ishte edhe mos-konsiderimi i blerjes së autobusëve të rinj. Ose, shpërfillja e çdo pune ‘të vogël’ ku nuk ndërlidheshin interesat e ndonjë kompanie të madhe: ta zëmë, krijimi i parqeve, i terreneve sportive apo i këndeve të leximit, siç ndodhi gjatë kohës së Ahmetit. Ç’është më e keqja, qeverisjet e LDK-së e kishin shpërfillur edhe çështjen e ngutshme dhe mjaft delikate të cilësisë në arsim, madje duke e rënduar edhe më shumë përmes drejtorëve të emruar në baza partiake, e me gjasë edhe të të gjithë stafit. Në qeverisjen Ahmeti, një zhvillim domethënës është edhe rritja e notës mesatare të mësimdhënësve.

Qasja burokratike mund të mos jetë aq e preferueshme për kompanitë kosovare, dhe për biznesin në përgjithësi, por padyshim është e dobishme për interesin e përgjithshëm qytetar. Në të mirë të ‘çuarjes së punëve përpara’ Arban Abrashi ka shprehur gatishmëri për të shkelur procedurat dhe ligjet. Kjo u shpreh haptas nga ai në debatin në Klan Kosovë, në lidhje me fasadimin e ndërtesave në lagjen Ulpiana.

Marrë parasysh këto që u thanë, por edhe shumë gjëra të tjera të cilat nuk është e nevojshme të përsëriten shkaku i debateve të shumta, Periskopi shpreh bindjen se qytetarët e Prishtinës duhet të votojnë kandidatin e Vetëvendosjes Shpend Ahmetin. Kjo do të ishte në favor të një zhvillimi të orientuar, dhe në favor të vetë qytetarëve të Prishtinës – duke i vënë nevojat dhe interesat e tyre në rend të parë.

 

Shpërndaje në: