Editorial i Periskopit: A duhet të votojë diaspora në Kosovë

Editorial i Periskopit: A duhet të votojë diaspora në Kosovë

Rezultati i ngushtë i balotazhit në Prishtinë, ka bërë që votat me kusht dhe ato nga diaspora të kenë fjalën vendimtare. Duke e ditur se votat nga diaspora do të jenë në shumicë për Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes – gjë që e bën thuaj të sigurtë fitoren e tij – përkrahësit e Arban Abrashit së fundi kanë shprehur pakënaqësinë për një gjë të tillë.

Në parim, kjo mund të duket e drejtë. Njerëzit që jetojnë nëpër vende të ndryshme perëndimore, nuk ndajnë të njëjtin fat me ne, të këtushmit. Sidomos kur bëhet fjalë për probleme të nivelit lokal.

Por, gjërat janë më të ndërlikuara se kaq. Diaspora kosovare, ose shumica dërrmuese e saj, është e evidentueshme se ka mbetur jo-aq-e-integruar me vendet nga të cilat vinin. Poashtu, është e evidentueshme përmes statistikave të ASK-së, se një pjesë e madhe e tyre vijnë në Kosovë të paktën një herë në vit. Dhe, kontributi i tyre në ekonominë tonë, është jashtëzakonisht i madh.

Varfëria e madhe në Kosovë është zbutur në vijimësi nga familjarët që ndodheshin jashtë vendit. Ardhja e tyre e vazhdueshme, dhe kontributi i tyre në ekonomitë familjare të varfëra, ka bërë që diaspora të njihte mjaft imtësisht rrethanën e përgjithshme ekonomiko-sociale në të cilën ndodheshim e ndodhemi. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 63,4% e emigruesve kosovarë e kishin vizituar Kosovën tri deri në katër herë brenda një viti. Ky numër flet hapur e qartë për të drejtën e tyre që të votojnë përbërjen e institucioneve të Kosovës.

Një tjetër statistikë që duhet të merret parasysh është edhe numri i madh i njerëzve që ikën nga vendi ynë në vitet e pasluftës. Sipas po të njëjtës agjenci, 52,1% e mërgatës sonë është larguar nga Kosova në vitet e pasluftës [deri në vitin 2013] ndërkohë që 47,9% në të gjitha vitet e dekadat e paraluftës [dhe të luftës]. Është e pakuptueshme të mendohet se këta njerëz, numri i të cilëve është mosvet i madh, t’i kenë shkëputur krejtësisht lidhjet me vendlindjen e tyre në një periudhë aq të shkurtër. Veç kësaj, duhet të argumentojmë atë që e hodhëm më lart sa për të shpjeguar qëndrimin e Periskopit: meqë shumica e njerëzve që ikën nga Kosova e bënë një gjë të tillë shkaku i situatës së rëndë ekonomike, mund të thuhet se ata bëjnë pjesë në shtresat më të varfëra të vendeve të zhvilluara, e kësisoj janë edhe të paintegruar në shoqëritë respektive.

Diaspora jo vetëm që duhet të votojë, por edhe të inkurajohet që të përfshihet më shumë në çështjet tona. Kosova e ka një ministri të posaçme për diasporën. Për më tepër, Kombëtarja e Kosovës në futboll, shërben si një ilustrim mjaft i mirë i kontributit të diasporës në vendin tonë. Më shumë se gjysma e lojtarëve të kombëtares, i përkasin kësaj kategorie. Natyrisht, lojtarët më të mirë të diasporës, ngjashëm edhe me artistët e shkencëtarët, zgjedhin të përfaqësojnë kombet ku janë zhvilluar, por kjo nuk është arsye për t’i menjanuar të gjithë ata që mbeten jashtë, ose që kanë nivel më të dobët performance [në sport, kulturë, politikë, e kudo]. Politikanë e ndërmarrës të rëndësishëm nga diaspora nuk kanë interes të merren me Kosovën dhe kontributin e tyre e orientojnë krejtësisht në vendet ku jetojnë. Por as kjo, nuk është arsye që të mos i lejojmë të tjerët, më pak të rëndësishëm e më pak të suksesshëm, që të përfshihen në punët tona dhe nëse duan, edhe të votojnë.

Kosova nuk është një vend i dashur për kosovarët. Dhe kjo u dëshmua edhe me fluksin e madh të njerëzve që u turrën drejt Hungarisë, për të depërtuar pastaj në vendet perëndimore. Padyshim, te një pjesë e konsiderueshme e diasporës ka mjaft hipokrizi. Kosova ka nevojë për ndryshime që nisen nga brenda. Kosova ka nevojë për ndërmarrës e politikanë që punojnë në Kosovë. Është më e kollajshme dhe më sipërfaqësore të angazhohesh për Kosovën, thjesht si një votë, ose në rrjete sociale – duke qenë qindra ose mijëra kilometra larg saj. Dhe është shumë më e zorshme të duash Kosovën kështu si është, e të bësh më shumë për të, duke qenë i pranishëm plotësisht në fatin e saj. E përkundër gjithë kësaj, kontributi i diasporës, jo vetëm ai financiar, por edhe ai që vjen thjesht përmes tastierës e gojës, është konstruktiv.

Kosova ka probleme serioze thuajse gjithkund. Dhe është e fundit, jo vetëm në sport e arsim gjë që u provua, por thuajse në çdo tip tjetër kulture. Prandaj, lidhjen me shoqëritë e zhvilluara perëndimore, mund dhe duhet ta kultivojmë qoftë edhe përmes të paintegruarve nga diaspora, ose pjesëve tona në shoqëritë më të parëndësishme të shoqërive perëndimore.

Shpërndaje në: