Editorial i Periskopit | Gjykata Speciale dhe gjuha ‘e zgjidhur’ e Thaçit

Editorial i Periskopit | Gjykata Speciale dhe gjuha ‘e zgjidhur’ e Thaçit

Në muajin e fundit i pamë dy protesta të ngjashme nga miqtë ndërkombëtarë drejtuar liderëve tanë. Fillimisht, ambasadori britanik O’Connell e lëshoi sallën kur dëgjoi fjalë të papëlqyeshme nga presidenti Thaçi. Edhe Federica Mogherini, megjithëse e priste për herë të parë Haradinajn në Bruksel, nuk hezitoi po njëlloj që ta lëshonte takimin – sapo i kishte dëgjuar do fjalë të çuditshme nga kryeministri ynë.

Këto dy akte proteste e zbulojnë hapur kufizimin e gjuhës që e kanë imponuar ndërkombëtarët ndaj politikanëve tanë në pushtet. E kanë varfëruar së tepërmi fjalorin e tyre duke i bërë shumë të bajatshëm, të parashikueshëm e të nënshtrueshëm. Kjo politikë reduktuese e mbikëqyrëse, kjo ndalesë strikte, e ka pamundësuar kultivimin e një gjuhe më të përdredhur në politikë, e kësisoj e mënyrave të reja të të kuptuarit. Me të drejtë vërente Wittgenstein-i se “kufijtë e gjuhës sonë, janë kufijtë e botës sonë”. Prandaj, në politikën e sotme kosovare kemi zhvillime krejtësisht të parëndësishme që regjizojnë skena bajate e të dhimbshme për qytetarët.

Kjo politikë tepër-kufizuese gjuhësore ka bërë që shumë prej liderëve të partive politike të operojnë kryesisht nëpër hapësira private për të rritur fuqinë e tyre politike. Për shembull, PDK-së iu bë e qartë përmes “Aferës Pronto” natyra klienteliste e funksionimit. Por në fakt, shoqëria jonë nuk kishte fare nevojë për dëshmi të tilla. Kufizimi i gjuhës publike, ngushtimi i terrenit të të vepruarit, ka bërë që politikanët në pushtet të jenë mosvet të parashikueshëm – gjë që rezultonte me paragjykime shumë të sakta. Institucionet publike u shfrytëzuan për të rritur fuqinë politike të partive. U çelën universitete të reja në qytetet më të mëdha – megjithë dështimin e përsëritshëm të çdo qeverie për të shënuar hapa të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë. Poashtu, u keqpërdor në mënyrë drastike edhe regjistrimi i veteranëve, duke e dyfishuar numrin e tyre. Korrupsioni endemik në përgjithësi, është rrjedhojë e një ligjërimi shterp publik të këtyre partive politike – dhe rrjedhojë e një gjuhe që nuk mundi të lëvrohej.

Kjo e la Kosovën me vetëm një parti serioze politike: Lëvizjen Vetëvendosje. Ajo ishte e vetmja që, deri më tash të paktën, i ka rezistuar agresivitetit të ‘ndërkombëtarëve’. Për ironi, ndërkohë që ushtrohej vazhdueshëm ky reduktim dhe mbikëqyrje gjuhësore, ish-ambasadorja amerikane guxoi të thoshte edhe diçka vulgare si “Mos e dh*** punën” – duke e dëftuar pushtetin e saj në hapësirën tonë publike.

Liderët e partive politike, përjashto Kurtin, u konformuan ndaj kësaj politike agresive. Edhe paaftësia e tyre në artikulim e bënte të veten, padyshim. Kjo bëri që liderët tanë të pamundësoheshin nga mbrojtja e interesave të vendit – e kjo, nuk ka dilemë, është interes i madh i secilës parti. Simptomat e kësaj sëmundjeje, ose pamundësie, i shohim te mënyra konfuze e të mbrojturit të një çështjeje si demarkacioni, nga kryeministri Haradinaj. Por, më së shumti, këto simptoma vërehen te heshtja e vijueshme e një partie të dalë nga lufta, ndaj formave të ndryshme të përlyerjes që iu bë vetë luftës. Asnjë nga partitë që u themeluan nga ish-luftëtarë të UÇK-së, nuk foli për çështjen e manipulimeve me listat e veteranëve. Dhe kjo kulmoi me pamundësinë që të pengohej një Gjykatë Speciale e cila është e qartë se do të rrënojë imazhin e UÇK-së, e poashtu edhe imazhin e shtetit tonë. Një gjykatë që e ndjekë një vijë etnike, që merret me krimet ‘e shqiptarëve’, në një luftë në të cilën shumica e viktimave i takonin pikërisht kësaj etnie.

Interesat e shtetit tonë nuk përkojnë në vijimësi me interesat e ‘ndërkombëtarëve’. As të BE-së dhe as të Amerikës. Ndjesitë romanticiste që ndjellin këto vende përbëjnë rrezik të madh për mirëqenien, e biles edhe thjesht ekzistencën e shtetit tonë. Fakti që roli i Kosovës në vend se të forcohej, vetëm sa është zbehur, tregon qartë se këto vende janë të përkushtuara, e kjo është fare e natyrshme, thjesht t’i shtyejnë përpara agjendat e tyre.

Shoqëria kosovare duhet të zgjohet nga dremitja. Duhet të kuptojë se askush nuk do t’i mbrojë interesat e saj. Politikanët kosovarë duhet të çlirojnë veten nga ky pushtim diskursiv – dhe të zgjerojnë fushën e asaj që mund të flasin, të thellojnë rezonimet, dhe të hapin horizonte të reja kuptimore. Pluralizmi nuk funksionon vetëm përmes ligjërimit të një partie politike, Vetëvendosjes në rastin tonë. Kosovës i duhet një çlirim i ri, kësaj here gjuhësor – te i cili ndryhen shkaqet e shumë fenomeneve negative që ndodhin në shoqërinë tonë.

Është iluzore të mendohet se Gjykata Speciale do të pastrojë skenën politike. Derisa të ekzistojë një masë e tillë nënshtrimi, derisa ambasadorët e vendeve mike të lëshojnë sallën e konferencave gjatë fjalës së presidentëve e kryeministrave tanë, poashtu derisa cilësia e arsimit në vend është kaq e dobët – nuk mund të pritet që korrupsioni të ndalet. Në pamundësi që t’i lidhin mbështetësit me vargonjtë e ideve ose të ligjërimit, siç bën VV-ja në një masë, partitë e tjera do t’i lidhin mbështetësit me vargonjtë e interesave. Dhe këto interesa, do të vazhdojnë që të dëmtojnë jetën akademike e institucionale të vendit. E në anën tjetër, Kosova do të dobësohet edhe më tej në rrafshin ndërkombëtar, duke u bërë edhe më e varur nga ndërkombëtarët.

Gjuha paksa e zgjidhur e Thaçit tregon mosbesim. Mosbesim tashmë kanë shfaqur edhe Haradinaj e Veseli. E pastaj, edhe Limaj – i cili u shpall i pafajshëm megjithëse ishte gjykuar për gati një dekadë nga Eulex-i. Por ky hop vetëdijësor i këtyre politikanëve nuk është diçka e re. Kjo ‘shpurdhje’ diskursive nuk do të ofrojë kurrfarë efekti përmbajtësor – meqë të gjithë këta politikanë janë të konsumuar. Veç kësaj, rruga për një relacion të ri, të rigjeneruar politikisht, është trasuar nga Vetëvendosje qysh para dhjetë vitesh. Dhe duket se, nuk ka një strehë më të mirë diskursive për të gjitha partitë, se ajo që e ka sajuar Lëvizja e Kurtit.

Shpërndaje në: