Editorial: Përplasje për flamujt e varfërisë

Editorial: Përplasje për flamujt e varfërisë

Te lokacioni në hyrje të Prishtinës që njihet si “rrethi”, sot valon flamuri i Republikës së Kosovës. Për katër vite rresht, në atë vend valonte flamuri kombëtar shqiptar. Mbrëmë patëm një përplasje mes një grupi qytetarësh dhe autoriteteve që me urdhër të kryeministrit Haradinaj, kishin ardhur ta vendosnin flamurin e Kosovës, dhe ta hiqnin flamurin kombëtar të Shqipërisë.

Kjo prodhoi një reagim të madh në rrjetet sociale në Internet. Madje sot u raportua që flamuri i Republikës së Kosovës ishte djegur në Gjilan. Edhe një refuzim i tillë, i skajshëm, pritet të prodhojë reagime të tjera në mbrojtje të tij.

Por, pse ndodh e gjithë kjo zhurmë?

Askush nuk i pengon njerëzit që ta përdorin flamurin kombëtar shqiptar, e megjithatë është evident kërcënimi që ndjen një pjesë e madhe njerëzish nga flamuri i Republikës. Kjo është fare e natyrshme, duke marrë parasysh që shoqëritë në vetvete i druhen ndryshimeve. Dhe njerëzit në Kosovë po pësojnë një krizë identitare – duke qenë se, nevoja e tyre për identitet ka qenë tepër e thjeshtuar dhe e ngushtë. Ky konceptim kërkon që njerëzit të jenë të uniformuar me vetëm një identitet – i cili duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.

Kjo tendencë vihet re edhe në përpjekjen e zyrtarëve të Policisë së Kosovës për të interpretuar ‘islamin e butë shqiptar’, kur flitej për ‘radikalizmin’ dhe versionet e tjera të islamit që praktikoheshin në Kosovë. Por poashtu edhe në përdhosjen e statujës së Skënderbeut në Kaçanik, ose edhe në debate të ndryshme nga njerëz të besimit islam – që e kishin të pamundur të bënin një lidhje mes këtyre gjërave.

Kjo krizë identitare është e ushqyer edhe nga një pranim në heshtje i idesë se ‘flamuri i Kosovës’ nuk ishte thjesht ‘shtetëror’, por poashtu edhe ‘kombëtar’. Pra, se kishim lindjen e një kombi të ri – i cili ndodhej krejtësisht në duart tona. Por, a nuk është e mundur dykombësia? Padyshim që po. Me dykombësi [e jo prandaj, edhe me dyfytyrësi] i kemi edhe liderët e institucioneve si Thaçi, Haradinaj, e bile edhe Albin Kurti.

Edhe ashtu, përveçimi i një identiteti të ri, të cilin mund ta quajmë si të duam, ka nisur tash e një shekull dhe është e pamundur të mohohet. Nëse nuk jemi kosovarë, atëherë të paktën jemi ‘shqiptarë të Kosovës’. Dhe kjo ‘të Kosovës’ në këtë rast është shumë e rëndësishme. Pra, në relacionin tonë me shqiptarët e Shqipërisë.

Identiteti është i qarkullueshëm, lëvizës dhe jo një mbetje e pandryshueshme, organike e cila duhet kultivuar me romanticizëm. Këtu me gjasë qëndron rrënja e kësaj përplasjeje të panevojshme në shoqërinë tonë. Askush askujt në një shoqëri demokratike nuk duhet t’ia mohojë lirinë e mendimit, shprehjes dhe të ndjesisë. Flamuri kombëtar shqiptar nuk e rrezikon shtetin e Kosovës. Kjo është paranojë e shoqërive totalitare, që e mësyjnë kontrollimin e çdo forme reprezentative të njerëzve.

Nëse njerëzit ndihen shqiptarë në Kosovë, le të ndihen. Poashtu, nëse ndihen kosovarë, le të ndihen. E vetmja gjë që vlen, është respektimi i rendit dhe ligjit dhe moscënimi i lirisë së tjetrit për të manifestuar identitetin e tij.

Deri më tash, as Kosova e as Shqipëria nuk gëzojnë dashurinë e qytetarëve me të cilët është lidhur kontrata për t’iu dhënë shërbime. Të dyja vendet kanë mekanizma jofunksionale, drejtësi të shtrembër, kanë një kulturë që varfër, dalin të fundit në sportet kryesore, e të ngjashme. Prandaj, pse duhet të ndodhë një përplasje për simbole – kur ajo që simbolizohet është kaq trishtueshëm e varfër, e palavdishme, e madje edhe e turpshme?

Shpërndaje në: