Editorial | Pse Kosova duhet të rrijë indiferente ndaj çështjes së Katalonjës

Editorial | Pse Kosova duhet të rrijë indiferente ndaj çështjes së Katalonjës

Marrë parasysh rrethanat e shtypjes dhe dhunës në të cilat shoqëria kosovare ka kaluar, një numër i madh njerëzish dje në rrjete sociale shprehën përkrahjen e tyre për Pavarësinë e Katalonjës, dhe kërkuan që Kosova ta njihte si shtet “meqë kishte kaluar në rrethanë të ngjashme”.

Por ky qëndrim i shkelë vrazhdë ndryshimet rrënjësore në kontekstet ekonomiko-politike të të dy rasteve.

Fillimisht duhet potencuar se Kosova mësyn krijimin e një shteti social, një shteti ku ulen pabarazitë e krijuara sociale, e pra edhe ekonomike, mes njerëzve dhe qyteteve tona. Fatmirësisht, në Kosovë nuk ka një dallim të madh ekonomik mes qyteteve ose krahinave që e përbëjnë. Por shumica e vendeve tjera evropjane e kanë shumë të theksuar atë pabarazi. Shembulli më i njohur është Italia. Sicilia është shumë e varfër në krahasim me Lombardinë dhe përgjithësisht pjesën veriore të Italisë. Një dallim i ngjashëm, por pak më i vogël, qëndron edhe mes Katalonjës dhe shumicës së krahinave tjera autonome që e përbëjnë Spanjën.

Meqë e synojmë një shtet social, dhe meqë vota për partinë socialdemokrate kosovare Vetëvendosje është në rritje, do të ishte e drejtë që të ishim për një shpërndarje të buxhetit i cili mësyn uljen e pabarazisë. Besoj secili i ka të qarta sloganet e protestuesve që kërkonin pavarësi në Katalonjë. Një prej tyre ishte “Spanja po n’a vjedhë”. E vërteta është se, Spanja paratë që merr nga Katalonja nuk i kthen të gjitha në Katalonjë. Nga 20% e parave që merren nga ky shtet, kthehen 16%. Por, meqë Spanja është një shtet që pavarësisht kush ishte në pushtet, aplikoi një vijë të qartë ekonomike drejt arritjes së një shteti social, ato para u çuan në zbutjen e varfërisë në zonat e tjera.

Dhe, Spanja është ndër vendet që aktualisht ka një hapërim të jashtëzakonshëm ekonomik – marrë parasysh krizën e thellë në të cilën ishte futur duke e rrezikuar madje edhe falimentimin. Para disa ditësh, edhe Lombardia kërkoi nga Roma një taksim të ri, meqë paratë e taksapaguesve të tyre shkonin për të varfërit në Sicili e vende tjera. Ky është një arsyetim, që ne kosovarët, që përballemi përditë me padrejtësitë sociale, nuk duhet ta pranojmë.

Një tjetër arsye edhe më e fortë për të mos e njohur Katalonjën, është edhe mos-shprehja e plotë e vullnetit të katalanasve. Referendumi i 1 tetorit u shoqërua me parregullsi të shumta, dhe me një dalje tepër të ulët. Shkaku ishte që partitë katalanase që kërkojnë mbetjen në Spanjë, e bojkotuan në tërësi procesin. Dhe mund të merren me mend, sa abuzimet me vota janë bërë duke qenë të vetme në organizim, partitë që kërkonin shkëputje. E përmendëm edhe përqindjen e ulët të dalësve 43%, nga të cilët 90 votuan kundër. Katalonja ka mbajtur edhe në të kaluarën referendume për pavarësinë, dhe çdoherë vullneti i katalanasve ka qenë qëndrimi me Spanjën, me një distancë të madhe votash. Rasti i Kosovës ishte krejt i ndryshëm, duke qenë se ne ishim mbi 90% pro pavarësisë dhe shkëputjes së plotë nga Jugosllavia.

Një tjetër arsye e qëndrueshme për të mos i dhënë ‘njohje’ pavarësisë së shpallur njëanshëm, është mosmbështetja nga asnjë vend perëndimor, dhe në anën tjetër mbështetja nga lideri rus Vladimir Putin. Ne kemi pjesë e një loje gjeostrategjike, dhe nuk është në interesin tonë të dobësojmë BE-në (i cili është shkaku i Putinit për mbështetjen e Pavarësisë së Katalonjës) dhe të forcojmë Rusinë.

Si rrjedhojë e një suksesi të mundshëm të kësaj pavarësie, edhe të paktën pesëmbëdhjetë vende tjera evropiane, brenda Francës, Spanjës përsëri, Gjermanisë, Polonisë, Italisë, etj. do të rrisnin votën për partitë populiste që kërkojnë ndarje. Tashmë Lombardia, ka bërë një hap politik. Tirolli i Jugut kishte përpjekje të përgjakshme për ndarje nga Italia në të kaluarën. Ashtu siç kishin edhe baskët dhe grupi separatist tashmë i shuar ETA.

Kosova duhet të jetë pragmatike në rrafshin gjeostrategjik dhe të rreshtohet krah aleatëve të saj. Ndërkohë, duhet që po ashtu, përtej një pragmatizmi qorr, të shoh edhe interesat e brendshme për qytetarët e saj, në mënyrë që të mos përkrahë diskurse që e sulmojnë kërkesën tonë për një shtet social e me mirëqenie për të gjithë.

Dhe për të përfunduar nevojitet një saktësim sa i përket aspektit kulturor e kombëtar të Spanjës në radhë të parë. Me kuptimet e shumicës së njerëzve në Kosovë në lidhje me kombin si një entitet organik e romantik, Spanja si komb nuk ekziston, e as spanjolli si shtypës i të drejtave të një kombi tjetër. Spanja, nga ky pikëshikim në lidhje me kombin, është shtet artificial. Përbëhet nga 17 krahina dhe 2 qytete autonome, të cilat nga aspekti kulturor e kombëtar (nëse flasim me terme organike) dallojnë tepër shumë me njëra-tjetrën. Pra, nëse duam që kombin ta kuptojmë në këtë mënyrë, atëherë kombe janë të gjitha këto krahina, përfshirë Katalonjën, Vendin Bask, Ekstremadurën, Kastiljën, Andaluzinë etj. por jo Spanja.

E sidoqoftë, kjo nuk ka lidhje me aspektin kulturor meqë nuk ka asnjë kufizim ndaj asnjërës prej krahinave. Dhe do të ishte paradoksale nëse do të kishte, sepse praktikisht, do të vendosnin të kufizonin kulturalisht edhe veten ose krahinat prej të cilave vijnë.

Shpërndaje në: