Editorial | Rama, Haradinaj, mediat dhe lexuesit

Editorial | Rama, Haradinaj, mediat dhe lexuesit

Ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u bëri një qortim të rreptë gazetarëve që kishin shkuar të merrnin prononcim prej tij për ‘Çështjen Tahiri’. I quajti të paditur e të pashkolluar, dhe u kërkoi që të lexonin e të mos bënin pyetje si budallenj. Më shumë se si këshillë dashamirëse, marrë parasysh edhe tonalitetin dhe çehren e Ramës në atë moment, fjala e kryeministrit ishte poshtëruese dhe mund të përkthehej fare lehtë [nëse dekontekstualizohej] si presion ndaj gazetarëve dhe punës që bënin. Një qasje të ngjashme para disa javësh pati edhe kryeministri kosovar Ramush Haradinaj, i cili i pyetur për çështjen mjaft problematike të ‘Demarkacionit’ qortoi poashtu gazetarët se ishin të pashkolluar dhe se nuk dinin anglisht.

E vërteta është se asnjëri nga këto dy ‘qortime’ nuk përbëjnë presione mbi median. Nuk ia fusin frikën askujt. ‘Qortimet’ e kryeministrave janë të papërshtatshme, por ato e dëftojnë një marrëdhënie të hapur e spontane, e cila duke qenë e tillë mund të bëhet sipas rastit edhe e tensionuar. Vendet që e cënojnë lirinë e shprehjes, nuk ‘qortojnë’ gazetarë në konferenca për shtyp, por i burgosin ose i qesin nga puna. Siç është rasti me Turqinë dhe Rusinë. Presioni politik mbi median është strategjik e dhunues. Ligjërimi, ose fjala që thuhet e mund të thuhet është e mbikëqyrur dhe e cenzuruar. Pushteti politik i përfsheh të gjitha dobësitë e mundshme, dhe përplasjet nuk i bën përmes argumentesh në hapësirën publike. Por përmes dhunës. Nuk ka momente spontaniteti, sepse gjithçka është e mirëplanifikuar dhe e mirëkontrolluar. Momentet spontane e me raste të tensionuara janë karakteristike për marrëdhënjet e politikanëve dhe gazetarëve në shoqëritë me demokraci të zhvilluar. Marrëdhënia aktuale e presidentit amerikan Trump me disa media të fuqishme, është mjaft e ngjashme me ‘qortimet’ e kryeministrave tanë. Ai bën qortime dhe sulme përditë ndaj secilës që është rreshtuar kundër tij, por është e qartë se nuk ka fuqinë t’i nënshtrojë. Nuk ka mundësinë të ndërhyjë as në ligjërimin dhe të vërtetat që nxirren prej tij.

Padyshim, mund të jemi përgjithësisht të kënaqur me lirinë që kemi për t’u shprehur lirshëm. Por, një problem tepër serioz i të dyja shoqërive tona është ‘keqinformimi’ dhe ‘keqkonceptimi’ i lajmeve dhe ngjarjeve. Në rend të parë, kjo vjen si rrjedhojë e mosfunksionalitetit të mekanizmave të drejtësisë, të cilat pavarësisht gjithë asaj që thuhet, janë të paafta të kryejne punën e tyre. Kjo ka bërë që ‘fjala publike’ të zhvlerësohet dhe gjithçkaje që thuhet t’i lidhet një fije dyshimi. Pra, ky mosfunksionalitet i këtyre mekanizmave e ka dëmtuar ‘lirinë e shprehjes’ përmes lejes që iu ka dhënë shpifjeve dhe pohimeve ende-të-pavërtetueshme të qarkullojnë në hapësirën publike. Politikisht kjo u ka shërbyer partive politike që nuk kanë profil të qartë ideologjik, por edhe agjentëve të tjerë të interesave të caktuara grupore e klanore për një arsye të thjeshtë: sepse asgjë nuk mirret më aq seriozisht.

Një tjetër arsye që e dëmton informimin e drejtë, e për rrjedhojë edhe demokracinë, është edhe mosprofilizimi i mediave serioze në Kosovë. Prezumimi i paanësisë politike e bën të korruptueshëm informimin dhe fjalën e tyre. Periskopi është një agjent i së majtës dhe përkrah haptas politikat social-demokrate. Një profilizim i tillë edhe nga mediat e tjera, do t’i përforconte ato në aspektin ligjërimor dhe njëkohshëm do t’u jepte një mundësi më të mirë lexuesve të kuptonin qartë problemet me të cilat përballen. Ky lloj korrupsioni ligjërimor [por jo vetëm] ka bërë që shumë gazetarë të rëndësishëm kosovarë të kenë marrdhënje miqësore me shumë politikanë që paragjykohen si të korruptuar, pavarësisht që në të njëjtën kohë merren me çështje të ndryshme korrupsioni. Kjo nuk bën thjesht që të mos preken këta politikanë, por poashtu që të sulmohen oponentët politikë. Dhe kjo vjen si rrjedhojë e mungesës së bindjeve të caktuara, të cilat do të pamundësonin një praktikë të tillë vetë-zhvlerësuese.

Sidoqoftë, problemi më madhor i mediave është lexuesi. Sistemi i dobët arsimor ka prodhuar mendje të cilat ushqehen jo përmes analizash të thella e komplekse, por përmes titujsh dhe lajmesh tronditëse – që jo domosdo duhen të jenë të vërteta. Lexuesit e kanë orientuar mënyrën sesi informojnë portalet. Shkaku i varësisë financiare prej tyre, tregu medial në përgjithësi – i infektuar nga portalet, gazetat online dhe rrjetet sociale – ka rrëshqitur në terrenin e argëtimit. Lexuesit e kanë sforcuar përpjekjen gazetareske për nxjerrjen e së vërtetës – e cila mund të jetë komplekse, e ftohtë, e pra jotronditëse.

Humbja e thellësisë dhe ‘ftohësisë’ së lajmeve ka bërë që lajmet të përcillen me dramë e me bujë. Nuk ka asnjë përpjekje për gërmim më të thellë, ose për analiza më të thella – sepse tregu medial i ka të përcaktuara kërkesat e lexuesve. E vërteta më nuk korrespondon me vetveten dhe faktet, por me lexuesin dhe emocionet e tij. Për çfarë ‘lirie të shprehjes’ mund të flasim kur ‘e vërteta’ nëse nuk është e bujshme dhe tronditëse, dëbohet nga hapësira publike?

Pyetja që i bëri gazetari Ramës [kryeministrit të Shqipërisë] ishte njëmend e pakuptimtë. E mërkura ishte dita kur do të mbahej mbledhja e kuvendit për të vendosur për imunitetin e Saimir Tahirit. Nuk mund të mbahej më herët. Dhe, nuk mund as të mendohet që ‘kuvendi [politika] kishte bërë drejtësinë për Tahirin’ – siç aludohej nga pyetja. Ishte diçka proceduriale, dhe e kuptueshme. Por, gazetari po i shërbente në fakt, lexuesit të tij që kërkonte edhe më shumë zhurmë, dhe edhe më shumë tronditje.

Dalja nga ky terr i madh mediatik e informativ, ku të vërtetat dhe lajmet duken si të ishin parashkruar nga ajo çka lexuesit paragjykojnë dhe presin, duket se është e pamundshme dhe e rrezikon edhe më shumë demokracinë.

 

Shpërndaje në: