Editorial | Ramushi në majë të botës

Editorial | Ramushi në majë të botës

Dje u mësua që kryeministri Haradinaj kishte bërë pushime në fshatin më të shtrenjtë turistik në botë, St. Moritz, bashkë me familjen e tij. Insajderi pretendon që ky pushim i ka kushtuar Haradinajt 80 mijë euro ndërsa ky i fundit, tha se ai pushim i ka kushtuar vetëm 7 mijë. Dje, portali tjetër Dialogplus, mori vesh që kancelarja gjermane i kishte refuzuar pushimet në fshatin ku kryeministri ynë kishte qëndruar 9 ditë, duke zgjedhur një tjetër, shumë më modest e me shpenzime më të vogla.

Pavarësisht nëse të hyrat vjetore të familjes së Haradinajt, prej 130-e-kusur-mijë eurosh i mbulojnë shpenzimet e bëra për pushime të tilla, është e rëndësishme të depërtojmë në psikologjinë luks-dashëse të kryeministrit [dhe jo vetëm].

Etimologjia e luksit tregon që si rrënjë kuptimore e kësaj fjale është ‘tepria’. Nga latinishtja, ‘luxus’ përkthehet si ‘tepri’. Ndërkohë që në gjuhën angleze, kjo fjalë përdorej për të nënkuptuar “shthurrjen” dhe “epshin”.

Të bësh pushime në fshatin më të shtrenjtë në botë duke qenë kryeministri i vendit më të varfër në Evropë – nënkupton t’i kesh do ‘dërrasa mangu’. Kjo bën që të shkëputesh skajshëm nga fati i shoqërisë, institucionin kryesor të së cilës e drejton. Padyshim, matur me standardin e kësaj shoqërie, një pushim në St.Moritz është vërtet i ‘tepërt’. Ajo shfaq ‘shthurrje’ dhe ‘epsh’. Madje më shumë se kaq, ajo shfaq ‘pangopje’.

Në reklamën e hotelit ku qëndroi Haradinaj, “Carlton”, thuhej se aty ishte “maja e botës”. Dhe pamëdyshje, marrë parasysh çmimet e luksin që promovohej, ai vend të ofronte ndjesinë se ndodheshe në ‘majë të botës’. Por, natyrshëm lind pyetja: qysh mund të ketë empati për njerëzit me fatin e të cilëve udhëheq, një politikan që ndodhet në majë të botës?

Më shumë se pushimi, ‘pangopjen’ e qeverisë Haradinaj e dëshmon edhe madhësia e saj fizike, në zgjerim e sipër si universi ynë. Sot u kuptua që një post zëvendësministri e kishte marrë edhe një bashkëpartiak i kryeministrit, Burim Ramadani, duke u bëri i 72-i me radhë.

Megjithëse qeveria Thaçi ishte e korruptuar, ajo të paktën mundohej që të ndërtonte një relacion sa më të mirë me publikun, siç evidentohet në bisedat e Aferës “Pronto”. E gjithë kjo, krahas përpjekjes për të përfocuar klientelizmin në prapavijë.

Sidoqoftë, Haradinaj duket edhe më i pagdhendur. Ai po bën përforcimin e klientelizmit fare haptas, ashiqare. Ai e rriti rrogën e tij dhe të vartësve të tij. Iu punësua, ‘pa dijeninë e tij’ dhëndri në një prej fondeve me të hyrat më të mëdha në Republikë.

Qeveria Haradinaj del të jetë një modifikim domethënës metodologjik i “Qeverisjeve Thaçi” dhe logjikës së ashtuquajtur “Pronto”. Ky modifikim kërkon që veprimet e paligjshme përmes të cilave shtrihet klientelizmi të mos mbesin të fshehura, por të bëhen publike. Madje, sa më publike.

Afera “Pronto” nuk bëri gjë tjetër veçse i konfirmoi paragjykimet e sakta të shoqërisë sonë për mënyrën sesi funksiononte pushteti. Dhe, duke qenë të rrezikuar nga saktësia e paragjykimeve shoqërore, pushteti duket se ka vendosur të bëj një zhvendosje të dhimbshme të aktivitetit korruptiv, nga e padukshmja në të dukshmen, publiken. Po, ne gjuajmë me armë. Po, ne bëjmë pushime luksoze. Po, ne korruptohemi. Po, ne i punësojmë familjarët dhe miqtë tanë. Edhe çka? – shprehet logjika e tyre aktuale.

E gjithë kjo përshfaqje në publik, iu mundëson që të jenë të pakompromis në shfrytëzimin e plotë të institucioneve shtetërore. Kjo është e ngjashme me pohimin e Ivan Karamazovit, një ndër personazhet më të rëndësishme të letërsisë botërore: “Nëse nuk ka zot, gjithçka është e lejueshme”. Haradinaj e ka mbytur zotin, dmth opinionin publik, dhe kësisoj për të gjithçka është e lejueshme. Abuzimi me pushtetin është më i qartë se kurrë. Ndërkohë që, ‘maja e botës’ mbërrihet vetëm me shumë para.

Kjo qeveri ka aftësi të jashtëzakonshme që të na çudis. Do të ishte e çuditshme, sikur të kalonte një javë, e njerëzit të mos çuditeshin me ndonjë veprim të saj.

Shpërndaje në: