Editorial | Ramushi shpalli luftë kundër Thaçit dhe Veselit për veriun

Editorial | Ramushi shpalli luftë kundër Thaçit dhe Veselit për veriun

Mes liderëve tanë institucionalë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt  ka nisur një luftë për atë se kush ka lidhje më të forta me serbët e Kosovës, dhe kush është faktor më me ndikim në atë pjesë

Mbrëmë në emisionin Rubikon ishte i ftuar kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Ai foli për një varg çështjesh, por ndër më të ndjeshmet kishin të bënin me ngjarjen e fundit në veri që kulmoi me arrestimin e drejtorit të zyres për Kosovën, Marko Gjuriq, e më pas me reagimin e ashpër të Listës Sërbe.

Sa i përket çështjes së Asociacionit ose Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, Haradinaj mbajti një qëndrim institucionalist. Duke folur për logon e prezantuar dje, ai tha se ajo nuk ka peshë kushtetuese e ligjore, mirëpo propozimet mund të bëhen. Ndërkohë, sa i përket paralajmërimit të themelimit të Asociacionit më 20 prill, ai tha se kjo do të ishte e jashtëligjshme dhe e pavlefshme. Duhet të ulemi e të bisedojmë – ishte propozimi që ai bëri.

Kryeministri e sulmoi logjikën e imponimit përmes së cilës vepron Lista Sërbe dhe Serbia. Ai tha se iu kishte dërguar letra liderëve të vendeve perëndimore për të ndihmuar Kosovën që të merrte njohje nga Serbia – si një hap vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve tona. Por, lëshimet e bëra nga Thaçi në një proces të padefinuar që ka nisur më 2011, e bëjnë qëndrimin e Haradinajt mjaft utopist. Është e zorshme të konceptohet tash e tekëndej, një pranim i Kosovës nga Serbia pa Asociacionin që do ta dëmtonte shtetësinë tonë.

Dhe këtu fillon rrëshqitja e diskursit të Haradinajt nga një pozicion institucionalist drejt një pozicioni parainstitucionalist. Ai tha se nuk e kuptonte pse i ishte ndaluar Marko Gjuriqit të hynte në Kosovë, dhe se nuk shihte asgjë të keqe që ai të futej brenda territorit tonë. Megjithatë, ai tha se ka qenë në dijeni të procesit për ndalimin dhe arrestimin eventual të tij, gjë që edhe ndodhi.

Por, kryeministri më pas u distancua nga arrestimi i z.Gjuriq, përmes një varg pohimesh të ndryshme që me gjasë nxirreshin nga zemërimi i tij në lidhje me ngjarjen. Ai nënkuptoi se ishte bërë fushatë zgjedhore nga Kadri Veseli dhe Hashim Thaçit. Madje të parit ia përmendi edhe një shprehje që e kishte përdorur në postimin e tij në Facebook: “zot shtëpie”. Nuk ka nevojë tha Haradinaj të bëhemi euforikë duke thënë se këtu ka ‘zot shpije”. Ndërsa heshtjen e tij 24 orëshe për ngjarjen, e mbuloi me një pohim patetik: ‘U mush televizori, fol ky e fol ai. Dikush duhet me punu’. I gjithë ky paragraf, dhe përgjigjjet shpesh njërrokëshe të kryeministrit në pyetjet e gazetarit, e zbulojnë qartë një konflikt të hapur mes tre liderëve institucionalë.

Haradinaj e bëri të qartë përçarjen në koalicionin aktual qeverisës edhe përmes informacionit që dha në lidhje me Listën Sërbe, të cilët i kishin thënë atij me anë të zëvendëskryeministrit Jevtiq, se do të dilnin nga Qeveria në rast të ndonjë incidenti apo dhune siç edhe ndodhi më vonë. Kjo lë të kuptohet se Lista Sërbe ishte në dijeni të skenarit që ishte përgatitur, dhe se në fakt e gjithë ndodhia kishte një skenarist të caktuar.

I pyetur për Radojiçiqin, ai u tregua shumë i paqartë. E pranoi se e njihte dhe se kishte lidhje me të. Poashtu, e pranoi se njeriu në fjalë kishte autoritet në veri, por duke thënë se nuk e dinte se çfarë lloj autoriteti kishte.

Shpjegimi i tij ishte se donte ta integronte veriun përmes një njeriu, për të cilin nuk e dinte as vetë se çfarë autoriteti kishte. Dhe për të cilin është raportuar të jetë i lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Kështu kryeministri i vendit përfundoi nga një ligjërim i kufizuar institucionalist në një ligjërim të rrezikshëm joinstitucionalist ku veprimet e tij nuk i nënshtrohen asnjë normative të caktuar. Duket se mes liderëve tanë institucionalë ka nisur një luftë për atë se kush ka lidhje më të forta me serbët e Kosovës, dhe kush është faktor më me ndikim në atë pjesë. Një luftë që nuk zgjedhë mjete, e që aleatët i zgjedhë vetëm përmes kriterit të forcës.

Kjo bën që pushteti i Serbisë brenda Kosovës të forcohet edhe më tej, përmes një zhvendosjeje të mençur: nga institucionet në prapavijë, te autoritetet kriminale.

Në intervistën e mbrëmshme, Haradinaj poashtu tha “Më duhet veriu” e jo “Kosovës i duhet veriu” gjë që mund të merret si një simptomë e kësaj lufte të brendshme për kontroll në të mirë të pozicioneve individuale politike.

A do të futet Serbia brenda Kosovës? Ajo tashmë është brenda e vendosur aktualisht te nevoja e liderëve tanë për pushtet, dhe që do të shpërndahet në një varg formatesh të ndryshme institucionale e joinstitucionale për ta coptuar përfundimisht Republikën tonë.

Shpërndaje në: