Editorial: Të pezullojmë taksën, ajo përfaqëson mllefin e dështimeve të elitës politike

Editorial: Të pezullojmë taksën, ajo përfaqëson mllefin e dështimeve të elitës politike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në bashkërendim me partnerët qeveritarë iu vendosi tarifë prej 100% mallrave të importuara nga Serbia. Kjo ndodhi në nëntorin e vitit të kaluar, kur vendi ynë kishte dështuar për herë të tretë të anëtarësohej në Interpol shkaku i propagandës serbe, që nga shefi i diplomacisë Pacolli u cilësua si e ndyrë.

Tarifa në fjalë, marrë parasysh agresionin e shtuar të politikës së jashtme serbe, mund të cilësohet e drejtë në parim. Por, vendet e vogla s’kanë mundësi të operojnë me parime duke e pasur takatin mangut. Kosovës pra, i duhet të jetë në bashkërendim me aleatët e mëdhenj ndërkombëtarë. Pa çare!

Por, të ndalemi te Interpoli. Kosova nuk dështoi të anëtarësohej vetëm në këtë organizatë. Ajo kishte dështuar të anëtarësohej edhe në UNESCO, me vota kundër edhe nga vendet që e kishin njohur pavarësinë e vendit. Kësisoj, nuk mund të bëhemi naivë dhe të themi se nuk e kemi pritur një luftë serbe edhe në nëntorin e kaluar. Jo. Në vendosjen e taksës, ku të gjithë krerët ishin ‘pro’ [besojmë se edhe presidenti Thaçi] mund të vërejmë mllefin e akumuluar për dështimet e njëpasnjëshme dhe tendencën për shfajësim.

Gjithçka ishte gati për festë. Dhjetëra gazetarë vendorë ishin në Dubai bashkë me presidentin Thaçi, kryediplomatin skandaloz Pacolli e të tjerët. Dështuam në mënyrë spektakulare!

Dhe kështu, i erdhi radha asaj që populli e njeh gjerësisht si taksa 100%. E parë nga kjo perspektivë, kjo taksë më shumë del si një politikë jovizionare e elitës sonë politike dhe e psikologjisë së tyre të humbësve karshi Serbisë, se sa si një politikë kombëtare e dalur dhe e artikuluar nga shoqëria.

Deri tash, shoqëria kosovare praktikisht ka refuzuar t’i bojkotojë produktet e importuara nga Serbia në cilindo moment politik. Kësisoj, logjika brenda taksës 100% edhe pse në dukje e mbështetur gjerësisht prej saj, në të vërtetë përfsheh logjikën e traumatizuar të elitës sonë politike. Dhe si e tillë, ajo duhet të hiqet duke qenë se së fundi doli që prej saj na rrezikohet seriozisht miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër, vendi më i fortë në botë që na mbështeste, e ka ulur ndjeshëm përkrahjen edhe përpara kësaj takse në rrafshin ndërkombëtar. Ulja e njohjeve për vendin e ka shkas ndaljen e lobimit të tyre, pastaj shtrëngimi për të negociuar pa kushte dhe tolerimi i agresivitetit të shtuar serb, janë ndër kallëzuesit e kësaj politike të zbutur. Së fundi, fakti që janë të gatshëm të prishen me Kosovën shkaku i 2%-shit të eksporit serb [sa vlen në përqindje masa e eksportit të përgjithshëm të vendit komshi] tregon se gjërat janë tëkequr në një masë të papërfytyrueshme disa vite më herët.

Ambasadori i ri amerikan, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova ka të drejtë të sillet si shtet i pavarur por se duhet të jetë e gatshme t’i vuajë pasojat për vendimet e saj. Kërcënim i hapur!

Por, në anën tjetër kjo politikë agresive ndaj Kosovës mund të përkthehet në ngulmimin për ta kryer një herë e mirë konfliktin e ngrirë me Serbinë. Mbase, diplomacia nuk është aq vijëdrejtë sa mund ta mendojmë ne, brenda një vendi që nuk ka traditë në politikë të jashtme.

Tashmë, është e qartë për secilin që Kosova duhet ta heq taksën por njëkohshëm të kuptojë më drejtë natyrën e politikës, dhe në veçanti atë të diplomacisë. Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, deklaroi për mediet serbe pardje se reagimi ndërkombëtar për taksën i ka dhënë “dush të ftohtë” pushtetit në Prishtinë. Gjë që të përkujton përgjigjen e kryeministrit Haradinaj në pyetjen pse i kishte ndërmarrë disa veprime të cilësuara si skandaloze: “m’u ka tekë”. Mund të konkludojmë se nuk kishte paramendim brenda këtij vendimi, sado i drejtë të na duket.

Çka nëse mbajtja e paarsyeshme e taksës është një veprim i pabashkërenduar nga brenda dhe nga jashtë, pra një teke e radhës e kryeministrit?! Se do t’i kushtojë rëndë vendit tonë nëse Haradinaj nuk tërhiqet brenda një afati të paracaktuar, kjo nuk do koment. Dhe kjo do të bënte që Haradinajt mbështetja për taksën t’i kthehej në bumerang, në zhvlerësim të menjëhershëm e substancial politik. Populli është i luhatshëm. Ndërron anë. Reagimi i tij politik është i paartikuluar por edhe i paregjistrueshëm.

Prandaj, ta pezullojmë!

Shpërndaje në: