Editorial | Vetëvendosje, emancipimi dhe pushteti

Periskopi Editoriale

Ishte e natyrshme që pas luftës në Kosovë të krijohej një skemë e re prodhimi, dhe për rrjedhë, një strukturë e re sociale. Dhe poashtu ishte e natyrshme që do të përdoreshin ‘meritat në luftë’ ose ‘meritat për çështjen e kombit’ ose merita të tjera të ngjashme që të kishim përvjedhje në atë skemë e atë strukturë. Veç kësaj, Kosova e pasluftës e trashëgoi një traditë improvizimesh në shkolla e universitete. Kjo bëri që njerëzit të mos ngriteshin në bazë të kualifikimeve ose meritave, e kësisoj u çelën rrugë të tjera të paligjshme e të dëmshme për të ardhmen e vendit. Partitë politike e shfrytëzuan atë gjendje dhe krijuan rrjete klienteliste, duke i angazhuar njerëzit në rrugën e mbërritjeve të pamerituara.

Ky ishte kushti i nevojshëm për krijimin e kosovarëve të rinj. Duhet pranuar që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës nuk duan të punojnë. Duhet pranuar gjithashtu që ka mungesë kuadrosh profesionale për kompanitë vendore – siç raportohet shpesh në media. Me një fjalë, megjithë papunësinë dhe varfërinë e madhe, njerëzit hezitojnë të profesionalizohen e kualifikohen duke qenë të sigurtë për hapësirën e madhe që ndodhet në Kosovë për profesionistët. Kjo sepse në krye të strukturës sociale ndodheshin njerëz ashiqare të paformuar e të papërgatitur – duke e bërë të demotivuar shoqërinë për t’u angazhuar më përmbajtësisht për ngritjen e vetes. Ëndrra e pathënshme kosovare ishte një vend i mirë pune, pa u lodhur fare, pra krejt pameritueshëm.

Dhe shumë njerëz e realizuan atë ëndërr. Përmes administratës shtetërore, universiteteve publike e private, qeverisë, shoqërisë civile etj. u futën në punë shumë jomeritorë. Por Kosova vazhdoi të kishte një ekonomi thuaj shterpe, të mos prodhonte asgjë as në fushën e dijes, dhe shumë pak në atë të kulturës e sportit. Një vend dymilionësh, me një popullsi me një moshë mesatare shumë të re, u bë si një pansion pleqsh që nuk prodhonte asgjë.

Pakënaqësia e kosovarëve me gjendjen politike ishte evidente. Madje edhe mes njerëzve që përfitonin diçka nga pushteti. Shihnim ndonjëherë profesorë të ndryshëm universitarë, që me gabime të shumta drejtshkrimore e logjike, kritikonin gjendjen arsimore në vend. Ose, vetë kryeministrin që kritikoi nivelin arsimor të gazetarëve megjithëse për një postim të shkurtër në Facebook iu deshën katër redaktime. Sidoqoftë, pakënaqësia me keqvajtjen e gjërave vërehej gjithkund. Dhe askush nuk shihte ndonjë gjë konkrete e shpresëdhënëse. Me diçka të huaj në natyrshmërinë tonë kaotike. Meqë autoritetet morale ishin rrënuar kjo bëri që të prishej kohezioni social.

“Papunësi, varfëri, hajni” – thoshte një qytetar i rëndomtë kur pyetej për gjendjen e përgjithshme të vendit. Mbase ai nuk ishte i vetëdijshëm, por një ndërlidhje e tillë njëmend ekzistonte. Padrejtësitë sociale duke i mbajtur njerëzit të keqangazhuar e duke i bërë keqpërdorues, nuk arritën ta funksionalizonin sa duhej sistemin ekonomik dhe të krijonin vende pune e mirëqenie më të lartë. Drejtësia nuk është një kërkesë morale ose fetare, madje as në shoqëritë perëndimore. Ajo është në rend të parë e ekonomizuar në mënyrë që gjërat të shkojnë mbarë për shoqërinë. Që të ketë më shumë zhvillim e prodhim.

Prej futjes së Lëvizjes Vetëvendosje në politikë gjërat ndryshuan. Shoqëria kosovare e bëri më të thekshme kërkesën e saj për drejtësi e zhvillim dhe të kuptonte ndërlidhjen mes këtyre të dyjave. Vetëvendosje shërbeu në një formë si të ishte superegoja e shoqërisë, nëse flasim me terme të Freudit. Ajo i doli kundër fenomenit të klientelizmit dhe korrupsionit, duke promovuar një frymë tjetër angazhimi, duke promovuar meritokraci, drejtësi e zhvillim.

Vetëvendosje e përçau mendjen e shoqërisë sonë duke e bërë më të thellë, e njëkohshëm, më rezistente ndaj praktikave korruptive. Kjo nuk reflektohet vetëm në rritjen e kësaj partie në vitin e fundit, por sidomos në tkurrjen e vazhdueshme të rrjetës klienteliste të partive në pushtet. PDK-ja humbi një pjesë të madhe votash. Po njësoj edhe LDK-ja. Ndërkohë që AAK-ja vijon t’i mbajë njerëzit e saj përmes njëfarë klientelizmi më të vrazhdë se asnjëherë. Se kemi hyrë në një nivel më të skajshëm klientelizmi dëshmon rritja e mëtejme e madhësisë së Qeverisë, dhe poashtu rritja e rrogave për ata shërbyes politikë. Kjo nuk është tjetër veçse një rritje klientelizmi. Por në anën tjetër, kjo tregon se mbështetje shoqërore për klientelizmin si metodë ka rënë ndjeshëm dhe përpjekja tashmë është që të lidhen sa më shumë njerëz që është e mundur me vargojtë e interesave. Dhe poashtu, që këto interesa të jenë sa më të fuqishme.

Shoqëria kosovare tregoi gatishmëri që të përqafonte një model qeverisës nga e cila mund ta pësonte vetë për hirë të së mirës së përgjithshme. Kjo sepse, edhe më tej shoqëria jonë është e pakualifikuar dhe paprofesionalizuar sa duhet që të marrë pjesë meritueshëm në skemën prodhuese. E megjithatë, ajo u tregua e gatshme të votonte një alternativë që të ndërhynte në atë shpërndarje padrejtësie që e linte shterp zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror.

Dhe kjo bëri që njerëzi te pushtetit të ndjenin një rrezik të madh për pozitën e tyre social dhe privilegjet që i gëzonin nga pushteti. Poashtu, një pjesë prej tyre edhe për krimet që mund t’i kishin kryer rrugës drejt arritjes së një fati të mirë individual. Ishte një përmbysje e madhe që për habi u pasua nga një lehtësim i madh. Pas disa muajsh doli në shesh përçarja brenda vetë Vetëvendosjes dhe kjo iu dha ndjenjën e çlirimit këtyre njerëzve. Sepse, kjo e pamundësonte zhvillimin, ndërkohë që moszhvillimi e pamundësonte një dinamikë sociale nga e cila do të rrezikoheshin.

Këto ditë u mbajtën zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje. Kryetar u zgjodh Albin Kurti me 98% të votave të anëtarësisë. Paraprakisht, nga funksionet në parti ishin dorëhequr disa njerëz mjaft të rëndësishëm e kredibilë të saj duke rrezikuar ndarjen e partisë në prag të një fitoreje vendimtare. Por, duket që pushteti qeverisës nuk është në interesin e kryetarit të rizgjedhur të partisë, Kurtit. Platforma e tij për t’u zgjedhur kryetar, e publikuar disa ditë më parë, bën një ndarje thuaj të ngurtë mes ‘pushtetit’ dhe ‘partisë’ dhe njëkohshëm e idealizon më tej kursin e partisë. Kurti duket i painteresuar që të fitojë pushtetin qëndror politik duke dashur rivitalizimin e rolit emancipues të Lëvizjes. Pra, të një roli pak më të ndryshëm se superegoja e Freudit. Kjo dëftohet edhe në përshkrimin e përpiktë të aktiviteteve kulturore me të cilat duhet të merren aktivistët, pastaj vetë ndjesitë e aktivistëve e kështu me radhë.

Injektimi i masave strategjike për ndryshime të rrënjësishme shoqërore pa një rol aktiv të vetë shoqërisë, mund të çojë në qeverisje arbitrare e brutale. Dhe mbase, në kohën e një terri kaq të thellë intelektual e vleror, Kurti mendon se nuk është mirë që Lëvizja të marrë pushtetin, e shoqëria të humbë Lëvizjen.