Efekti i vaksinave anti-Covid bie nga 91% në 78%, por vazhdon të parandalojë vdekjet dhe hospitalizimet
Vaksinat kundër virusit Covid-19 kanë filluar të humbin efektin e tyre.
Në fillimin e tyre, vaksinat kundër virusit Covid-19 kishin një efektivitet prej 91% në parandalim për marrjen e virusit, megjithatë tani pas përhapjes së variantit të ri ‘Delta’, kjo përqindje është në rënie.
Varianti ‘Delta’ ka qenë jashtëzakonisht i paparashikueshëm për institucionet shëndetësore dhe ka shkaktuar një numër të madh viktimash në shumë vende, përfshirë edhe në Kosovë. Vaksinat anti Covid-19 tashmë janë vetëm 78% efektive ndaj këtij versioni të virusit, përcjell Periskopi.
Megjithatë, vaksinat vazhdojnë të ruajnë efektin e tyre sa i përket ruajtjes nga hospitalizomi dhe vdekja e mundshme prej Covid-19.
Vaksinat ishin 92% efektive kundër hospitalizimit dhe 90% efektive kundër vdekjes. Tani, edhe përkundër përhapjes së variantit të ri, kjo përqindje nuk ka rënë.
Nëse jeni të vaksinuar me dozat e duhura, ju jeni 90% të mbrojtur nga hospitalizimi i mundshëm dhe vdekja e mundshme e shkaktuar nga Covid-19.
CDC thotë se njerëzit e vaksinuar kanë pesë herë më pak gjasa që të bartin Covid-19, 10 herë më pak gjasa që të hospitalizohen dhe 11 herë më pak gjasa që të vdesin nga Covid-19. /Periskopi/