Ekipin e filmit ‘SHOK’ nuk i priti askush nga institucionet në Prishtinë

Ekipin e filmit ‘SHOK’ nuk i priti askush nga institucionet në Prishtinë

Ekipi i filmit “Shok” i cili ka hyrë në histori të kinematografisë kosovare dhe asaj shqiptare në përgjithësi, duke u nominuar për çimin Oscar, sonte ka ateruar në aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në momentet e para pas kthimit nga Hollyëood-i, gjegjësisht Los Angelesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ekipi simpatik i këtij filmi dhe në veçanti dy protagonistët kryesorë, djelmoshat e rinj Lum Veseli dhe And Bajgora, të lumtur dhe me buzëqeshje të vazhdueshme, nuk e fshihnin dot gëzimin dhe krenarinë e të qenit pjesë e ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar, çmimeve më prestigjioze në kinematografinë botërore që ndahen nga Akademia Amerikane e Filmit, Artit dhe Shkencës.

“Ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e mirë. Ecja në tapetin e kuq ka qenë gjë e jashtëzakonshme, takimi me yjet e Hollyëoodit edhe të botës ka qenë gjithashtu e jashtëzakonshme, krejt ngjarja ka qenë e jashtëzakonshme”, tha Lum Veseli.

Ai ia kaloi fjalën me buzëqeshje dhe humor, shokut të tij Andi Bajgorës i cili nuk e fshihet krenarinë që janë aktorët e parë shqiptarë që kanë përfaqësuar kombin me film të prodhuar nga këto treva.

“Edhe për mua ka qenë diçka shumë e mirë dhe e madhe sepse kemi qenë njerëzit e parë që po ecim në tapetin e kuq, nga Kosova. Kështu që e kemi përfaqësuar krejt Kosovën dhe është një send i mirë jo veç për mua por edhe për krejt stafin dhe çdo njeri që ka gjak shqiptari”, tha Andi.

Në pyetjen e gazetarëve se cila ishte ndjenja e të qenit prezent në natën e ndarjes së çmimeve Oscar, Lumi u përgjigj me gaz në buzë se, ajo ndjenjë vështirë mund të përshkruhet.

“Salla ka qenë shumë e madhe, ka qenë 5 kat, pra ne kemi qenë në pjesën ku i kemi parë të gjithë ata që kanë hipur në skenë, kemi parë krejt publikun, ka qenë e jashtëzakonshme”, tha Lumi.

Sa i përket momentit që më së shumti iu ka lënë përshtypje gjatë këtij udhëtimi historik në “Qytetin e Yjeve të Filmit”, Lumi dhe Andi pa hezitim e përmendën ecjen dhe fotografimin në tapetin e kuq, përkrah superyjeve të kinematografisë botërore, para fillimit të ceremonisë së 88-të të ndarjeve të çmimit Oscar.

“Shok” është filmi i parë kosovar që është nominuar dhe ka hyrë në garën më të ngushtë për Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër apo “Live Action Short Film”. Ky film është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me producentët Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku po ashtu nuk e fshihte gëzimin dhe krenarinë që filmi “SHOK” i ka hapur rrugën kinematografisë kosovare për në botë.

“Kjo është një punë që është bërë me vite të tëra dhe dëshiroj t’i falënderoj njerëzit që kanë punuar për këtë, njerëzit që kanë kontribuar për të krijuar një klimë ma të përshtatshme për të prodhuar film në Kosovë. Më vjen mirë që filmi ‘Shok’ ka patur një sukses kaq të madh dhe ne jemi shumë krenar sepse na ka hapur shumë rrugë dhe e ka çel botën për Kosovën dhe i ka bërë gjithë shqiptarët dhe kosovarët krenar. Ky film jo vetëm se është i mirë por edhe e ka sjell një rrëfim tepër të dhimbshëm të asaj që e kemi përjetuar, asaj traume të madhe sociale që e kemi përjetuar ne të rinjtë e asaj kohe dhe gjithë shqiptarët e Kosovës në atë kohë. Tash edhe artistët kosovarë dhe Kosova, kinematografia kosovare i kanë dyert shumë të hapura në botë”, tha Zharku.

Ai shtoi se, tash bota e njeh Kosovën edhe nëpërmjet veprave të bukura artistike dhe kjo e bënë komplet ekipin e këtij filmi, shumë krenar.

Edhe pse filmi “Shok” u kthye pa fituar Oscarin, për të cilin ekipi shpresoi shumë se do ta fitonte, ndërsa kritika ndërkombëtare është çuditur që ky film mbeti pa çmimi sepse konsiderohej si favoriti kryesor, Zharku u shpreh se realizuesit janë krenar sepse ky është filmi i parë i cili e “theu akullin” dhe po thuaj se e “preku” Oscarin, në veçanti me tematikën e ndjeshme që e kishte trajtuar ky film.

“Shok” është një film i cili trajton periudhën e luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë dhe populli i ishte nënshtruar spastrimit etnik. Ky film pasqyron sprovën e kufijve të miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Ky film që shënoi suksesin historikë të kinematografisë kosovare është realizuar në nëntor 2014, në Shalë të Bajgorës, ndërsa aty luajnë, përveç dy djelmoshave Lum Veselit dhe Andi Bajgorës, edhe Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raca, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi dhe të tjerë.

Shpërndaje në: