Ekrem Hyseni në Podujevë: Prodhuesit llapjanë do ta kenë mbështetjen tonë

Ekrem Hyseni në Podujevë: Prodhuesit llapjanë do ta kenë mbështetjen tonë

Kandidati për kryetar të Podujevës nga LDK-ja, Ekrem Hyseni ka premtuar përkrahje dhe mbështetje për prodhuesit llapjanë.

Ai gjatë ditës bashkë me kandidatët për asamblistë ka vizituar fabrikën e tekstilit “S/Sprint” në Podujevë, dhe ka theksuar se produktet e prodhuara duhet të kalojnë në tregun evropian.

“Është një brend shumë i njohur, i cili nuk është i njohur vetëm në Kosovë, brendi “S/Sprint” është i njohur edhe jashtë Kosovës. Është një shembull i suksesit të një pune të madhe qe është bërë dhe vazhdon të rritet. Ky të shërbej si një shembull se si një biznes privat arrin të punësoj shumë njerëz dhe njëkohësisht të pushtoj trendin botëror. Të gjitha aktiviteteve ekonomike u kemi lënë emrin e programit tonë “Ekonomia llapjane për tregun evropian”. Edhe kjo fabrikë edhe të gjithë prodhuesit do të kenë mbështetjen me të gjitha mundësitë dhe forcat tona që të gjitha produktet të kalojnë në tregun evropian”, ka thënë Hyseni.

Pronari i kësaj fabrike të tekstilit, Sami Sopa ka kërkuar përkrahje nga udhëheqësi i ardhshëm i Podujevës.

“Falënderoj të gjithë llapjanët që na kanë përkrahur që kemi ardhur deri këtu. Uroj që këta të kenë sukses dhe të na përkrahen maksimalisht”, u shpreh ai.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Podujevën, Ekrem Hyseni gjatë ditës do të vizitojë edhe kompaninë “Pastrimi”.

Shpërndaje në: