EKSKLUZIVE: Cilat janë lidhjet e Behgjet Pacollit me narkotrafikantin nga Amerika Latine?

EKSKLUZIVE: Cilat janë lidhjet e Behgjet Pacollit me narkotrafikantin nga Amerika Latine?

Jack Davies

Enrique Rais është menaxher i kompanisë ‘Rais Group International NC,LLC’ e cila figuron në dokumentet e drejtësisë amerikane si ‘subjekt i hetimit ndërkombëtar për lidhjet e tij me grupe kriminale të organizuara, kompani fantazmë, kartele dhe politikanë të korruptuar’. Hulumtimi i Periskopit, ka gjetur se në njërën nga dokumentet e kompanisë, emri i ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli figuron si njëri nga ‘menaxherët’ e kompanisë.  Artikulli në vijim, sjell edhe detaje të tjera që kanë ngritur dyshime për bashkëpunimin e Pacollit me Rais…

Që nga ditët e tij të para, karriera e Behgjet Pacollit në sytë e publikut ka qenë e shoqëruar me skandale. Tash del se emri i ministrit të jashtëm është shfaqur në gjykatatat amerikane si partner biznesor i një njeriu për të cilin ishte dyshuar për trafikim ndërkombëtar të kokainës, dhe që prej vitit të kaluar është në Listën e Kuqe të Interpolit dhe një prej “më të kërkuarve” nga El Salvadori.

Ndërmarrja biznesore në fjalë – Rais Group International NC, LLC – ishte konstatuar nga forcat e ligjit në ShBA se punonte si “kompani për prodhimin e pipave për pije” e themeluar nga një njeri me emrin Enrique Rais, që të lehtësonte përdorimin e avionëve të dyshuar se përdoreshin për të kontrabanduar drogë nga Amerika Jugore për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dokumentet e lëshuara për publik nga gjykata lidhen me një kërkesë të lëshuar më 2016 nga zyra e Sherifit të Floridas për të konfiskuar katër avionë nën Aktin e Konfiskimit të Kontrabandës së Floridas. Zyra e Sherifit e kishte hequr kërkesën e saj, dy muaj më vonë, pasi Rais ishte pajtuar të paguante një marrëveshje prej 20 mijë Dollarësh.

Megjithëse nuk ka asnjë implikim në dokumentet ligjore se Pacolli ishte i përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, listimi i tij në dokumentet zyrtare si “menaxher” në Rais Group International [të cilën Pacolli fuqishëm e ka mohuar] ngrit pyetje për rolin e ministrit të jashtëm në organizatë ashtu si për marrëdhëniet e tij me Raisin. Biznesmeni salvadorian ishte emëruar në dokumentet e gjykatës si “Objektiv me Prioritet” për Agjencinë Amerikane të Ligjit kundër Drogave [DEA], ashtu si “subjekt i investigimit ndërkombëtar për lidhjet e tij me […] grupe kriminale të organizuara, kompani fantazmë, kartele dhe politikanë të korruptuar.”

Marrëdhënia e Pacollit vjen në një fokus edhe më të qartë duke thënë se gjatë fillimit të këtij viti, Raisi e pa veten në Listën e Kuqe të Interpolit, të njohur gjerësisht si urdhër-arrest ndërkombëtar. Besohet se Raisi e ka kaluar vitin që shkoi në Zvicër, nënshtetësinë e së cilës e ka, në përpjekjen për t’iu shmangur akuzave për korruptimin e rangjeve të larta të gjyqësorit të vendit të tij. Policia Civile Nacionale e El Salvadorit tash po kërkon kthimin e tij që të përballet me drejtësinë.

Në një korrespondencë private me e-mail, Raisi e ka përshkruar Pacollin si “shokun dhe bashkëpunëtorin e tij.” Kompania e Pacollit “Mabetexi” thuhet se i shiti Raisit një apartament luksoz në Zvicër me çmim shumë më të ulët se sa kushtonte në vitin 2010, dhe në vitin 2011 u raportua se Pacolli, në rolin e tij si zëvendës-kryeministër, nominoi Raisin për një post diplomatik në Honduras, që do t’i vinte bashkë me imunitet diplomatik.

Fillimi i një shoqërie të bukur

Për të dalë te gjeneza e marrëdhënies së tyre, duhet të kthehemi në kohë gati për një dekadë, në vitin 2009. Kosova e kishte shpallur pavarësinë veç një vit më herët dhe ishte e uritur për njohje ndërkombëtare. Pacolli, atëherë një biznesmen privat, i dha vetes detyrën që t’i binte kryq e tërthor globit me një avion privat për të takuar liderë të rëndësishëm ndërkombëtar si Koloneli libian Gadaffi  dhe ministri i jashtëm i Maldiveve, Ahmed Shaheed.  Qëllimi i deklaruar i tij ishte të rriste numrin e njohjeve të vendeve për pavarësinë e Kosovës.

Në kuadër të këtyre udhëtimeve, në prill të vitit 2009, Pacolli arrin në kryeqytetin e El Salvadorit, San Salvador, ku e ndihmoi Raisi që t’i çilte dyert për në korridoret e pushtetit të këtij kombi tropikal.

Nuk dihet nëse Raisi dhe Pacolli janë takuar me njëri-tjetrin para këtij takimi, por sipas hulumtimit të Periskopit, ky është takimi i parë i dokumentuar mes të dyve. Atyre iu kishte bashkuar në takime me politikanë të lartë.

Marrë parasysh që Kosova e kishte shpallur pavarësinë veç një vit më herët dhe ende po përpiqej të arrinte njohje ndërkombëtare për sovranitetin e saj, lidhjet e Raisit zor e bëjnë atë aleat ideal në legjitimimin e vendit.

Në vitin 2008, veç një vit para takimit të Pacollit me të, bashkëpronari i Raisit në Mides, një biznes që trajtonte mbeturinat, Jose Luis Merino, “ndihmoi një organizatë terroriste kolumbiane që të merrte armë;” sipas dokumenteve të gjykatës nga Martin County.

 

 

Raisi do t’i bashkohej Merinos në shtator të 2011-s si pjesë e një delegacioni zyrtar nga vendi amerikolatin i Hondurasit për në Kosovë, me ftesën e atëherë-zëvendës-kryeministrit të parë të vendit, Behgjet Pacollit.

Sipas një artikulli të botuar më 2015 nga revista salvadoriane Revista Factum dhe në faqen e internetit simotër për Krime të Organizuara dhe Projektit për Raportim të Korrupsionit, Insight on Crime, më 2010, një vit pasi u takua Pacolli me Raisin, grupi inxhinierik Mabetex në pronësi të të parit ia shiti të dytit një apartament në Hotelin Swiss Diamond në Lugano. Artikulli ishte bazuar në korrespondencën e raportuar se u dërgua nga e-maili personal i Raisit.

Më tej pretendohet që e-maili tregon se jo vetëm që Raisi e bleu apartamentin në kompleksin hotelerik luksoz – për një fraksion të çmimit të atëhershëm në Lugano – por edhe që pagoi me këste nga një varg llogarish bankare ndërkombëtare me transaksione të lidhura në mënyra që dukej se nuk kishin asgjë të bënin me pasuritë reale – për shembull, “Misionin për në Tuvalu.”

Revista Factum dhe Insight On Crime po ashtu kanë raportuar një e-mail të dërguar nga Raisi më 23 shkurt të një viti më vonë te bashkëpunëtorët e tij të biznesit:

“Shoku dhe bashkëpunëtori im Bedjet [sic] Pacolli është betuar dje si president i Kosovës. Kjo është ajo që e prisja dhe ne tashmë e kemi nisur kompaninë e groposjes në Tripoli dhe Libi [sic],”  kishte shkruar ai.

Nuk dihet se pse saktësisht Raisi po priste që Pacolli të bëhej president apo cila ishte lidhja për Tripoli/Lipi. Sidoqoftë, zgjedhja e Pacollit u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës vetëm një muaj më pas.

I detyruar të dorëhiqet, ish persidenti menjëherë u bë zëvendëskryeministër me portfolion e punëve të jashtme. Në atë kapacitet, më vonë gjatë atj viti, Koha.net raportoi se ai kishte propozuar Raisin si konsull nderi të Kosovës në Honduras, në një listë me pesë të tjerë ngjashëm të propozuar për vende të tjera.

Koha.net raportoi në atë kohë se Ministri i Punëve të Jashtme refuzoi të komentonte për konsujt e tij të nderit. Edhe kur ky artikull doli në shtyp, ministri po ashtu kishte refuzuar kërkesën për t’u përgjigjur. Por as Agjencia e Kosovës për Inteligjencën [AKI], që është përgjegjëse për verifikimin potencial të konsujve të nderit.

Megjithatë, dy nga gjashtë emrat në listën e Kohës janë verifikuar si konsuj nderi nga Periskopi.

Duke marrë murin zyrtar të heshtjes që rrethonte të propozuarit për konsuj nderi, deri më tash nuk ka qenë e mundur të kostatohet se kur gjatë vitit 2011 ata duhej të ishin nominuar.

‘Grupet e organizuara kriminale, kompanitë fantazmë, kartelet, dhe politikanët e korruptuar’

Viti 2011 është po ashtu domethënës për marrëdhënien Pacolli-Rais për një tjetër arsye, sepse është 17 nëntori i 2011-s kur në dokumentet e korporatës listohet Pacolli – që ishte ende zëvendës kryeministër i Kosovës – si menaxher në kompaninë transportuese Rais Group International. Dokumenti e përdorë të njëjtin keq-germëzim të emrit të Pacollit si “Bedjet” si në e-mailin e 23 shkurtit që i referohet emërimit të Pacollit si president i Kosovës.

Për shkak të natyrës së regjistreve të biznesit në Karolinën Veriore, ku kjo firmë transportuese u regjistrua, nuk është e mundur të sigurohemi plotësisht se kur Pacolli fillimisht u listua si menaxher i kompanisë, apo nëse ende mbetet i listuar në këtë pozitë.

Në janar të të njëjtit vit, megjithatë, Rais Group International nisi lëshimin e Canadair Bomardier, një avion i vogël pasagjerësh nga një operacion tjetër i Raisit, JODA LLC. Ky aeroplan, me numrin e regjistrimit N400KM, është një prej katër avionëve që shumë agjenci të ligjit në ShBA besojnë se po përdoreshin për trafikim ndërkombëtar të narkotikëve, dhe që më vonë u provua të konfiskohej më 2016.

Dokumentet e gjykatës thonë që një nga avionët e tjerë, Learjet 31a Fixed Wing, aeroplan shumë-motorik, me numër regjistrimi N54HT, po ashtu ishte i regjistruar për Rais Group International.

Në kërkesën 112 pikëshe të Gjykatës, të Martin Countyt të Floridas, paraqiten prova se Rais Group International dhe të tjera organizata të emëruara në kërkesë ishin “kompani për prodhmin e pipave të pijes” për Raisin, që kishte në pronësi aeroplanë “individualisht dhe hapurazi”. Sipas kërkesës, Raisi përdori qyteterarët amerikanë “të fshihte pronësinë e tij nga avioni i regjistruar në ShBA,” praktikë e dëshirueshme nga organizatat prej Amerikës Jugore dhe Qendrore që merren me trafikim droge shkaku që verifikohen më pak në sigurinë e aeroporteve ndërkombëtare,” dhe që është më pak e mundshme të konfiskohen në vende tjera.

Të tre, piloti kryesor, bashkëpiloti dhe mekaniku i Raisit i thanë agjentëve të DEA-s se aeroplanët e tij ishin kryesisht jashtë El Salvadorit – për të cilën kërkesa vëren se ishte “një qendër e drogës për organizatat e trafikimit të drogës në Amerikën Qendrore” – pavarësisht sigurimeve të dhëna nga Raisi në dokumente legale që ata do të përdoreshin për fluturime ‘charter’ poshtë e lartë bregut të Floridas.

Dokumentet e gjykatës pretendojnë se një agjent i DEA-s gjeti se piloti kryesor i N440KM kishte një pasaportë “të mbuluar me vula nga Venezuela, Hondurasi, El Salvadori dhe Meksika, të cilat janë vendet që më së shumti i përshkojnë trafikantët e drogës nga Amerika Qendrore dhe Jugore.”

Po ashtu thuhet se një qen nuhatës i drogës dha indikacione se edhe në N440KM por edhe në N54HT ishin përdorur për transportim droge, me një qen të dytë nuhatës që i konfirmoi këto të gjetura, ndërsa agjenti i DEA-s vërejti se interori i N440KM ishte rinovuar për të mbajtur më pak se gjysmën e ngarkesave të pasagjerit, për të cilin dokumenti thotë se është “gjë konsistente me kontrabanduesit e drogës.”

Kërkesa po ashtu vëren që shefi i operacioneve të fluturimeve të Rais Group International, Charles Blount, ishte identifikuar nga DEA nga një informator i besueshëm si dikush që “kishte pilotuar një avion që përdorej për transportimin e heroinës për në ShBA, dhe i cili, paraprakisht, ishte zbuluar derisa pilotonte një Boeing 727, avion që në mënyrë standarde mbante 189 pasagjerë por që ishte modifikuar për t’i mbajtur vetëm dymbëdhjetë sosh.”

Në ndërkohë, kërkesa po ashtu thotë se JODA, LLC – “pronarja e pipave për të pirë ujë” për Raisin që lëshoi me qera avionin N440KM te Rais Group International – ishte identifikuar nga inteligjenca e DEA-s si “subjekt i të paktën katër konfiskimeve në lidhje me drogën, një prej të cilave rezultoi në konfiskimin e më shumë se 6,8 kilogramëve [15 Pound] kokainë dhe 4,5 kilogramëve [10 Pound] kanabis.”

E përfshirë si pjesë e ngjitur me dokumentin është një fotografi që besohet të jetë e interiorit të N440KM, duke shfaqur Raisin bashkë me ish presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa. I biri i Sosas, Fabio Lobo, po e kryen dënimin prej 24 vitesh në burgun federal në ShBA pasi një gjykatë në Manhattan e shpalli fajtor në shtator të 2017-s për konspirimin që t’i kontrabandonte 5 kilogramë kokainë në Amerikë. Gjatë seancës ku po shpallej fajtor Lobo, një ish anëtar i lartë i bandës së drogës nga Hondurasi Los Cachiros dëshmoi se organizata e tij i kishte dhënë ryshfet babait të Lobos, atëherë president, me qindra mijëra dollarë për “asistencë”.

dhënat e arkivuara që Periskopi ka marrë nga serveri i Martin County FTP tregojnë se për një periudhë tetë mujore nga korriku 2013 e deri në mars 2014, N440KM bëri të paktën pesë fluturime nga Aeroporti Stuart, në Florida për në Aeroportin Ilopango të El Salvadorit.

Ilopango, Florida dhe Kokaina kanë një një pedigre të gjatë si treshe. Në vitin 1997, Zyra e Departamentit të Drejtësisë e Inspektorit Gjeneral lëshoi një raport që ekzaminonte pretendimet se CIA dhe Kontrasët e Nikaraguas [shën.i Periskopit: grup rebel i djathtë i mbështetur nga ShBA-të] kishin operuar bashkërisht për të kontrabanduar sasi industriale të kokainës për në ShBA gjatë viteve ’80. Aeroporti Ilopango kohë pas kohe merrej si vend ku agjentët e DEA-s dhe informatorët e tyre thonin se droga vinte nga Amerika Jugore për të mbërritur në aeroportet e Floridës.

Nuk ka evidencë konkrete që pesë fluturimet e listuara në të dhënat e Martin Countyt ishin të lidhur me tregtimin e drogës. Sidoqoftë, ato përputhen brenda modelit të vendosur nga dokumentet e gjykatës së Martin Countyt, të aeroplanëve brenda fluturimeve të Raisit për në El Salvador, “një qendër e njohur e drogës për organizatat e trafikimit të drogës nga Amerika Qendrore dhe një ndalesë përgjatë rrugëve më të shkelura në tregtinë ndërkombëtare të drogës”.

Për habi, i vetmi udhëtim i regjistruar në të dhënat e Martin County-t është për në një zonë private aeroplanësh në Bahamas, që ishte cilësuar nga juridiksioni si “shqetësim primar” në një raport të vitit 2014 nga Departamenti amerikan i Shtetit sepse mendohej se ishte pikë tranzitore për drogën që shkonte për në ShBA, ashtu si një parajsë për taksat për trafikantët që ta fshihnin pasurinë kriminale të tyre.

Ndërsa pretendimi për konfiskim ishte vendosur, pozicioni i listuar i Pacollit si menaxher i Rais Group International, dhe marrëdhënia e tij e dokumentar me Raisin shtrihet në më shumë se një dekadë, që do të thotë se ka pyetje serioze që duhet t’i bëhen ministrit të jashtëm.

“Cili ishte – apo është – roli i tij në Rais Group International? A ishte i ndërgjegjshëm se avionët e regjistruar të kësaj organizate ishin të ridizajnuar në një mënyrë që me konsistencë përdoret nga trafikantët ndërkombëtarë të narkotikëve? A e dinte ai që individë nën këtë organizatë – përfshirë Raisin – ishin të lidhur nga autoritetet e zbatimit të ligjit në ShBA me botën e nëntokës së kontrabandimit të drogës? Çfarë lidhjesh tjera biznesore ka ai me Raisin? A i ka ofruar post në shërbimin diplomatik të Kosovës?

Në komentet përmes emailit, shefi i kabinetit të Pacollit, Jetlir Zyberaj mohoi që ministri i jashtëm ishte i përfshirë në Rais Group International: “Z.Pacolli nuk ka të bëj asgjë me ato që po implikoni, asgjë me asnjë prej pretendimeve tuaja. Z.Pacolli kurrë nuk ka shërbyer në kapacitetin e Drejtorit apo Menaxherit të asgjëje së cilës i referoheni,” shkroi ai.

Megjithatë, ai konfirmoi se përgjatë viteve 2011-2012 [vite në të cilat dokumentat e regjistrimit të korporatës thonë se Pacolli u bë partner biznesi me Raisin] që Raisi ishte propozuar për pozicionin e konsullit të nderit “megjithëse të jetë e qartë dhe korrekte, se një propozim i tillë kurrë nuk ishte formal dhe si rrjedhojë u tërhoq, u revokua.”

Zyberaj e mbylli duke thënë “Mund të shtoj se pretendimet tua rrjedhin nga informacionet e pasakta që mund t’i keni” dhe ngriti mundësinë e procedurave legale nëse Periskopi të botonte “ndonjë informacion që mund të dëmtonte figurën publike të z.Pacolli”.

 Jack Davies, është gazetar i pavarur që merret kryesisht me tema rreth Ballkanit Perëndimor. Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Periskopin. 

 

Shpërndaje në: