Eksperti amerikan: Vendimi për targat u mor për të ndryshuar dinamikën e dialogut

Eksperti amerikan: Vendimi për targat u mor për të ndryshuar dinamikën e dialogut

Eksperti amerikan për Ballkanin, Alon Ben Meir është deklaruar së fundi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë dhe vendimin që secili automjet që hynë nga Serbia në Kosovë të vendos targat provuese.

Ben Meir tha se vendimi i kryeministrit, Albin Kurti për tërhequr targat serbe nga makinat të cilat hyjnë në Kosovë ishte një hap i domosdoshëm për t’u ndërmarrë në këtë moment të veçantë, veçanërisht kur vështirë se ka ndonjë përparim në dialogun mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve.

“Duhej bërë diçka për të prishur status-kuo’n, në mënyrë që të ndryshonte dinamikën e negociatave në mes dy vendeve”, shtoi ai.

Eksperti amerikan tha se në këtë drejtim, vendimi i Kurtit kishte për qëllim të dërgonte një mesazh të qartë se ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e Bashkimit Evropian në veçanti, që njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës, të kërkojnë masa të barabarta nga të dyja vendet.

Duhet përkujtuar që tash e 10 ditë Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e reciprocitetit ndaj shtetit serb.

Që nga ajo ditë automjetet të cilat duan të futen në territorin e Kosovës duhet që me patjetër të pajisen me targa të përkohshme, në të kundërtën nuk do të mund të hyjnë.

Por serbë të shumtë vazhdojnë të protestojnë tash e 10 ditë në afërsi të pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Për dallim nga këto dy pika kufitare, tek Dheu i Bardhë dhe në Merdare procesi i pajisjes me këto targa provuese nuk ka pasur ndonjë kundërshtim të madh.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme ditë më parë u bë e ditur se pajisja me këto targa është duke vazhduar në mënyrë të rregullt.

Lidhur me situatën e krijuar në veri nga marrja e këtij vendimi reagime të shumta pati edhe nga ndërkombëtarët.

Përfaqësuesit e BE-së dhe ata të Shteteve të Bashkuara vazhdimisht kanë deklaruar se mënyra e vetme për të zgjidhur këtë situatë është dialogu.

Në Bruksel sot po zhvillohet dialogu në mes përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, nga ku pritet edhe të merret porosia e ndërkombëtarëve se si të veprohet tash e tutje me situatën e krijuar në mes dy vendeve.

Shpërndaje në: