Eksperti i komunikacionit: Gropat goditëse mund të kenë qenë shkaku i aksidentit tragjik në Podujevë

Eksperti i komunikacionit: Gropat goditëse mund të kenë qenë shkaku i aksidentit tragjik në Podujevë

Eksperti i komunikacionit, Nol Deda, ka folur për shkaqet që kanë mundur të çojnë në aksidentin mes një veture dhe një autobusi në magjistralen Prishtinë – Podujevë, nga ku mbetën të vdekur një burrë e grua, që ishin duke ardhur nga mërgimi, ndërkohë që dy fëmijët e tyre po vazhdojnë trajtimin mjekësor.

Deda ngriti dyshimet se “gropat goditëse” mund të kenë qenë shkaktare e aksidentit.

“Në rrugën ku është e papërfunduar, ekzistojnë ato që i quajmë “gropa goditëse”, të cilat nuk vërehen fare natën, dhe kalimi i automjetit në bazë të tyre, e çrregullon psiqikisht drejtuesin e automjetit, madje edhe ia humb drejtimi, dhe drejtuesi i automjetit nuk e ka më kohën e reagimit për sistem frenimi”, u shpreh ai.

“Janë raste komplekse këto të natës, nuk janë sikur të ditës, ka elemente shtesë me të cilat duhet marrur”

Tutje eksperti i komunikacionit ngriti shqetësimin se në muajt qershor, korrik dhe gusht, ndodhin më së shumti aksidente, kohë kjo kur mërgata ia mësyn Kosovës.

Mungesa e sinjalizimit po ashtu u përmend si një shkaktare.

“Përveç mungesës së sinjalizimit, është edhe mungesa e sinkronizimit të tyre, sinjalizimit horizontal dhe vertikal. Kemi edhe sinjalizim të deformuar, në momentin kur një shenjë është me koruzion, atëherë de-fakto nuk e jep mesazhin e duhur”.

Deda po ashtu tregoi se ka pasur raste kur palët e përfshira në aksident kanë paditur në gjykatë Ministrinë e Infrastrukturës, kur aksidentet kanë përfunduar me fatalitet për shkak të mungesës së sinjalistikës.

“Janë dënuar me kusht përgjegjësit nga Drejtoria e Rrugëve, të Ministrisë së Transportit”, tregoi ai.

Deda tha se nëse autobusi do të ishte në lëvizje në kohën kur u godit nga mbrapa nga vetura, pasojat do të ishin më të vogla.

“Nëse kanë qenë edhe autobusi edhe automjeti në lëvizje, nëse janë në lëvizje dhe goditet nga mbrapa, atëherë armotizimi i forcave është shumë më i vogël”, tha ai në Klan Kosova/

Shpërndaje në: