Eksperti nga Kembrixhi: Finalja e dialogut Kosovë-Serbi do të jetë shkëmbimi i territorit 

Eksperti nga Kembrixhi: Finalja e dialogut Kosovë-Serbi do të jetë shkëmbimi i territorit 

Eksperti nga Univeristeti i Kembrixhit, Timoti Les, ka folur në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi ku sipas tij “finalja e kësaj drame dy-dekadëshe” do të përfundojë me shkëmbim të territoreve.

“Do të jetë një zhvillim dramatik i situatës, por është logjike që ky është skenari i vetëm që mbetet, nëse shqiptarët nuk duan status quo -në ose formimin e Bashkimit të Komunave Serbe, dhe Serbia refuzon idenë e Integrimit të Veriut në pjesën tjetër të Kosovës,” tha Les, përcjell Periskopi.

Sipas tij, kjo do të krijonte dy fakte të reja në terren, Beogradi kontrollon Veriun dhe Prishtina kontrollon Jugun, “i cili ka qenë gjithmonë skenari më i sigurt për Kosovën, duke pasur parasysh të dhënat demografike”, shprehet Les.

Les gjithashtu beson se kjo do të përmbysë debatin për të ardhmen e Kosovës, sepse sipas tij statusi i serbëve në Jug do të fillojë të konsiderohet, dhe pa dyshim do ta lidhë Serbinë me statusin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Siç parashikon ai, çështja e së ardhmes së Kosovës do të marrë një dimension më të gjerë, sepse sipas tij ”Kriza në Bosnjë po rritet paralelisht, ku serbët po përpiqen për shpërbërjen përfundimtare të shtetit, dhe këto dy drama sigurisht që do të lidhen”.

“Në çdo rast, rezultati përfundimtar do të jetë shkëmbimi i territoreve midis dy palëve”, parashikon Les.

“Në çdo rast, nëse Serbia kërcënon Kosovën, dhe vëzhguesit e jashtëm nuk e mbështesin Kosovën, është pothuajse e sigurt që Kosova do t’i afrohet Shqipërisë, në mënyrë që të fitojë mbështetje dhe siguri, gjë që do ta bëjë bashkimin edhe më të sigurt,” shprehet eksperti nga Kembrixhi./PERISKOPI/

Shpërndaje në: