Eksperti Weber: Gjermania do të angazhohet për rifillim serioz të dialogut

Eksperti Weber: Gjermania do të angazhohet për rifillim serioz të dialogut

Eksperti i njohur gjerman për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politika të Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber, pret një angazhim më të fortë të qeverisë së re gjermane për një rifillim serioz të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Ai gjithashtu tha se me shkuarjen e kancelares Merkel pret një marrëdhënie të re të Berlinit ndaj qeverisë së Vuçiqit dhe “fundin e shikimit nëpër gishta në lidhje me sundimin autoritar dhe autokratik të regjimit në Serbi që e kemi parë në 10 vitet e fundit”.

Nga sot në Gjermani është në pushtet një koalicion i ri, kurse qeveria drejtohet nga një kancelar i ri për herë të parë, pas 16 vitesh qeverisje të Angela Merkelit.

Sipas ekspertit gjerman për Ballkanin, transmeton “N1”, kjo nuk është vetëm një epokë e re për Gjermaninë, por edhe një epokë e re e marrëdhënieve të Gjermanisë me Serbinë.

“Pres ndryshime ndaj Serbisë. Qëndrimi i qeverisë së kancelares në largim Merkel filloi me politikën parimore të vendosjes së dialogut politik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mbi parime të qarta dhe në një kornizë të qartë negociuese. Ajo në një farë mënyre e krijoi zotin Vuçiq dhe fillimi i tij u shënua nga një farë evropianizimi i politikës së tij. Por, për shkak të humbjes së drejtimit strategjik të kësaj politike të Bashkimit Evropian të udhëhequr nga Gjermania dhe kancelarja në fund, ne morëm një shikim përmes gishtave të Berlinit dhe Brukselit për gjendjen dhe zhvillimin e demokracisë në Serbi. Në të njëjtën kohë, kancelarja dhe Berlini mbetën mjaft duarthatë, sepse ai dialog [Kosovë-Serbi], ndryshe nga fillimi i tij historik, u kthye në të kundërtën e tij”, thotë Weber.

Analisti gjerman vlerëson se “marrëdhënia mes Merkeli-Vuçiq, e cila deri diku krijoi regjimin aktual në Serbi, dhe në një farë mënyre kancelarja dhe Berlini ishin peng i kësaj marrëdhënie, tani shkon bashkë me zonjën Merkel”.

“Kështu që, veçanërisht për shkak të rolit të gjelbërve në qeverinë e re, unë pres një kthesë politike”, tha ai.

Weber thotë se pret një qëndrim më të fortë dhe një angazhim më të fortë nga qeveria e re gjermane.

“Pres një angazhim më të fortë për integrimin në BE dhe grindje të hapur me presidentin francez Macron për bllokadën e tij për anëtarësim të ri. Pres një angazhim më të fortë të qeverisë së re për një rifillim serioz të negociatave të Serbisë me Kosovën, të cilat janë bllokuar plotësisht vitet e fundit dhe në të njëjtën kohë, pres një marrëdhënie të re mes qeverisë së re dhe Berlinit ndaj qeverisë së Vuçiqit në Serbi, i mbështetur në me theks të veçantë në parimet demokratike dhe vlerat e sundimit të ligjit, si dhe fundin e shikimit nëpër gishta në lidhje me sundimin autoritar dhe autokratik të regjimit në Serbi që e kemi parë në 10 vitet e fundit”, shprehet Weber.

 

Shpërndaje në: