Eksportet e Kosovës ia panë sherrin MSA-së

Eksportet e Kosovës ia panë sherrin MSA-së

Janë këta tre muajt e fundit që kur ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, që nga Qeveria kosovare u proklamua si një marrëveshje e mirë dhe në favor të prodhuesve kosovarë.

Por sipas të dhënave zyrtare po del të jetë e dëmshme për kosovarët dhe në favor të prodhuesve evropian.

Statistikat tregojnë se prodhimet vendore nuk kanë gjetur treg në Kosovë për t’i shitur mallrat e tyre, që vitin e kaluar apo një vit më parë i kishin shitur jashtë vendit.

E në anën tjetër, sipas të dhënave zyrtare, importet drejt Kosovës janë rritur.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së në muajin korrik arritën në 5 milionë euro, ose rreth 65.4 për qind më pak se në muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërsa vetëm gjatë muajit gusht, eksportet e Kosovës në BE, kanë pësuar rënie në 4.6 milionë euro, që i bie rreth 45.1 përqind më pak se në të njejtën periudhë të një viti më parë, ose rreth 0.4 milionë më pak se para një muaji.

Në muajin shtator eksportet e Kosovës në vendet e BE-së, kanë qenë më të mëdha se në muajin gusht, apo në vlerë prej 5,8 milionë euro, por shumë më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, një rënie prej 21.9  për qind në krahasim me periudhën kur nuk ishte në fuqi MSA-ja.

Sipas të dhënave zyrtare, sherrin e kësaj marrëveshjeje ia kanë parë edhe vendet fqinje të cilat kanë shënuar rënje në eksportet e tyre drejt Kosovës.

Vetëm në muajin shtator është shënuar një rënie prej 8.2 për qind.

Bizneset: Kosova nuk mund të mburret me MSA-në

As për bizneset, MSA-ja, nuk shihet si e arritur me të cilën Kosova  mund të mburret.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka thënë për Gazetën Fjala, se politikat aktuale, po ndikojnë direkt tek prodhuesit, duke i bërë ata të pafuqishëm, në treg me konkurrentët evropian.

“MSA e cila muajve të kaluar ishte nje nga temat më të diskutueshme në biznes ,nuk ka rezultate të prekshme me të cilat mund të mburremi. Politikat aktuale e prekun drejtpërdrejtë prodhuesin e bëjnë të pafuqishëm në konkurrencë me vendet e bashkimit evropian prandaj MSA, duhet të përcjellet me politika të tjera”,  ka thënë shkurt për Gazetën, Shahini.

Sipas tij për arritjete e kësaj marrëveshje mund të flitet tek vitin e ardhshëm.

Se janë konkurrentë në një treg të vogël, që nuk premton shumë, mendon edhe pronari i kompanisë së pijeve “Laberion”, nga Podujeva, Bashkim Osmani.

Osmani thotë, se nuk u është dhënë shumë mundësi për të promovuar produktet e tyre në rajon, përshak të tregut të vogël që ka Kosova.

Sipas pronarit të kompanisë “Laberion”, prodhuesit kanë nevojë që t’iu ipet më shumë mundësi për të promovuar produktet e tyre.

“Jemi treg i vogel , kemi nevojë  me na dhanë ma shumë mundësi me i promovu produktet. Ja kena pa hajrin njëfarë mënyre por tregu ynë është i vogël, Kosova e vogël, e kemi të pamundshme me qarkullu në tregun evropian”,  ka thënë  ai.

Për kryeministrin, MSA po jep rezultate

Mendimet e njejta si të pronarëve të kompanive, nuk i ka kryeministri Isa Mustafa.

Mustafa një muaj para se të hynte në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), pati thënë se kjo do të jetë një mundësi e mëdha për prodhuesit kosovarë. Prodhimet Made in Kosova do të depërtojnë pa asnjë kufizim në një treg mbi 508 milionë konsumatorë të Bashkimit Evropian dhe do të krijohen mundësi të mëdha partneriteti dhe inkurajim të investimeve.

“Edhe statistikat e muajve të parë të këtij viti tregojnë për një ekspansion të eksportit të prodhimeve vendore, respektivisht atyre bujqësore dhe agropërpunuese. Më gëzon fakti se krahas fuqizimit të eksportit, është rritur dukshëm edhe konsumi vendor i prodhimeve bujqësore. Këto të dhëna janë fakte fundamentale se politikat tona ekonomike, sidomos ato fiskale dhe të agrobiznesit po japin rezultate të matshme”, pati shkruar Mustafa.

Përderisa para hyrjes në fuqi të MSA-së, kryeministri Mustafa ishte gëzuar me faktin e rritjes së eksporti, tre muaj pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, të dhënat tregojnë se kryeministri duhet të jetë i shqetësuar dhe të mbaj premtimin e dhënë se “do të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet shtetëror dhe institucional për të qenë në shërbim të prodhuesve kosovarë, për të rritur prodhimtarinë e tyre, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm”. /Gazeta Fjala

Shpërndaje në: