Ekzaltimi i Kurtit e Osmanit për takimet me ish-at e politikës amerikane në varrimin e Albright

Ekzaltimi i Kurtit e Osmanit për takimet me ish-at e politikës amerikane në varrimin e Albright

Të ftuar në ceremoninë  e varrimit të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright. Në këto rrethana fluturuan presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti në Amerikë. Madje ky i fundit, kishte udhëtimin e parë atje që nga marrja e mandatit. Pra, jo për ndonjë takim zyrtar me Bidenin apo zyrtar të lartë të shtetit në Shtëpnë e Bardhë. Megjithatë, dy krerët e Kosovës arritën që korridoreve e kalimthi të shkëmbejnë përshëndetje me ish-a  të politikës amerikane e Blinkenin…

Në mesin e mbi 1400 të ftuarve, në ceremoninë e varrimit të mikes së madhe të Kosovës ishin edhe Albin Kurti e Vjosa Osmani. Këta të dy, me të përfunduar ceremonia nuk kursyen ekzaltimin para publikut kosovar përmes rrjeteve sociale, për faktin që kishin arritur të takojnë shkurtimisht figura si John Kerry, Bill dhe Hillary Clinton, Elton Engel  etj, që të gjithë ish-përfaqësues të lartë të Amerikës. Në një fotografi të përbashkët u panë edhe me Sekretarin Amerikan, Antony Blinken.

Edhe Osmani edhe Kurti nisën të publikojnë një mori fotografish me këto figura, duke ngritur lartë kontributin e tyre për shtet-ndërtimin e Kosovës e duke i etiketuar si ‘’shpëtimtarët tanë’’.

Kryeministër Kurti përmes një postimi numëroi gjashtë ish-a të politikës amerikane, me të cilët tha se pati rastin të takohet në varrimin e Albright.

‘’Në kuadër të ceremonisë, patëm rast të takoheshim me mysafirë të tjerë dhe miq të çmuar të Kosovës, duke përfshirë sekretarin aktual të Shtetit, z. Antony Blinken, ish presidentin e ShBA-së, z. Bill Clinton, ish zëvëndëspresidentin, z. Albert Gore, ish sekretarët e Shtetit znj. Hillary Rodham Clinton, znj. Condoleezza Rice dhe z. John Kerry, si dhe ish kongresistin z. Eliot Engel. Përveç Presidentit Joseph Biden, ish Presidentit Bill Clinton dhe ish Sekretares së Shtetit Hilary Clinton, fjalim prekës mbajtën edhe tri vajzat e saj: Alice, Anne dhe Katharine.’’, thuhet në postimin e Kurtit.

Njëjtë veproi edhe presidente Osmani, ku përmes një postimi në Facebook tregoi se si e kishte falënderuar Blinkenin për ndihmën e mbështetjen ndaj Kosovës, pikërisht në takimin kalimthi me të.

‘’E falënderuam për kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe për lidershipin e treguar nga SHBA-të në kohën kur paqja dhe demokracia në Evropë po cenohen sërish.’’, shkruajti Osmani.

Nuk vonoi pak, e një postim tjetër e bëri për Clintonët. Pra në total, presidentja kishte tre postime nga takimet e ceremonisë së varrimit të Madeleine Albright.

‘Befasi’ shkaktoi takimi Kurti-Osmani-Jahjaga atje. Me shaka nëpër rrjete sociale u pa si ‘historike’. Në këtë rreth hynë edhe fotomontazhat kinse Kurti e Osmani u pozicionuan në rendin e parë të ulësve në ceremoni. Këtë fore u pa se e hëngrën militantët e simpatizuesit e Vetëvendosjes.

T’i kthehemi pak seriozitetit. Kryeministër Albin Kurti ende nuk e ka zhvilluar vizitën e shumëpritur në Shtëpinë e Bardhë të Washington.  Paralajmëroi se do e bënte vitin e kaluar, nuk ndodhi. Tash thotë se do bëhet në maj. – Po presim. Përtej kësaj, ai është kritikuar, duke lënë hapësirë të aludohet se raportet e tij me zyrtarë amerikanë mund të mos jenë në nivelin më të mirë, duke marrë për bazë qëndrimet për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Edhe ambasadori serb, Marko Gjuriq arriti të futet në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë e të takohet me Biden, por jo edhe Albin Kurti.

Analisti amerikan dhe njohësi i rrethanave të Ballkanit, Daniel Serwer në një intervistë për Periskopin kishte thënë se do donte ta shihte Kurtin sërish në Amerikë, por për këtë gjë lypset dialog e kushte./PERISKOPI/

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: