Enver Hoxhaj flet për takimin e dytë të ekipit të unitetit me ambasadorin amerikan

Enver Hoxhaj flet për takimin e dytë të ekipit të unitetit me ambasadorin amerikan

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, ka treguar për takimin e dytë të Ekipit të Unitetit, me ftesë të ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier.

Mysafir në këtë takim ishte edhe ish-këshilltari i Ahtisaarit, tani Nënsekretar i Shtetit për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Finlandës, Kai Sauer.

Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka shpërndarë një fotografi nga takimi, dhe ka thënë se mbështetja amerikane dhe evropiane e uniteti politik mbipartiak si përfaqësim i vullnetit të popullit, solli pavarësinë.

“Mbështetja amerikane dhe evropiane e uniteti politik mbipartiak si përfaqësim i vullnetit të popullit, solli pavarësinë! Me ftesë të Ambasadorit Amerikan Jeffrey M. Hovenier, u takuam sërish bashkë, pjesëmarrësit në negociatat e Vjenës për pavarësinë e Kosovës për ta nderuar Kai Sauer, Nënsekretar i Shtetit për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Finlandës.”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai tutje tha se Kosova u është mirënjohës përgjithmonë dy miqve për rolin historik në këtë kohë, kur Kosova kishte më së shumti nevojë për përkrahje ndërkombëtare.

“Sot shkëmbyem kujtimet tona nga puna e përbashkët deri këtu, duke e njohur çdoherë miqësinë e pazëvendësueshme që Kosova ka me ShBA-në dhe BE-në”, ka shkruar Hoxhaj.

Pak më parë, edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka treguar për takimin, ku i ftuar ka qenë edhe Kai Sauer, nënsekretar i shtetit finlandez që në vitin 2006/7 ka shërbyer si këshilltar i Martti Ahtisarit, emisar i OKB-së në negociatat për statusin final të Kosovës.

Shpërndaje në: