Enver Hoxhaj për Reuters: Kah fundi i vitit ose në pranverë presim të arrihet marrëveshja me Serbinë

Enver Hoxhaj për Reuters: Kah fundi i vitit ose në pranverë presim të arrihet marrëveshja me Serbinë

Enver Hoxhaj në një intervistë për Reuters, ka refuzuar që të flasë për shkëmbimin e territoreve, duke thënë se është ende herët të flitet për përmbajtjen e marrëveshjes, ku ka shtuar se tash është vetëm fillimi i fazës së re të negociatave. Në anën tjetër ai ka deklaruar se pritet që një marrëveshje Kosovë-Serbi të arrihet në fund të këtij viti ose në pranverën e vitit 2019.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se në fund të këtij viti ose në pranverën e ardhshme pritet që të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi.

Kjo sipas tij është mënyra e vetme që të dy vendet të lëvizin drejt Bashkimit Evropian, shkruan Reuters.

“Mendoj se kah fundi i vitit ose në pranverën e ardhshme”, është përgjigjur Hoxhaj për Reuters në pyetjen se, kur pret që të ketë një marrëveshje.

Ai nga forumi i Bledit, ka thënë se Kosova nënshkruan marrëveshjen vetëm nëse në të përfshihet njohja e pavarësisë.

“S’nënshkruajmë asnjë marrëveshje tjetër”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq “është personi i fundit të cilit ne i besojmë” ka thënë Hoxhaj.

Vartësi i Haradinajt në Qeveri, ka deklaruar se shpreson që besimi mund të ndërtohet gjatë procesit të negociatave duke shtuar se nuk ka tjetër me kë të bisedohet në Serbi, përveç Vuçiq, pasi që sipas tij ai është personi që ka gjithçka nën kontroll atje.

Hoxhaj ka refuzuar që të përgjigjet nëse është hedhur në tavolinë ideja e shkëmbimit të territoreve.

“Se çfarë elementesh ka në marrëveshje është herët të flitet sepse ne jemi në fillim të fazës së re të negociatave”.

Hoxhaj nuk ka dhënë asnjë detaj të mundësisë që tokat të shkëmbehen.

Shpërndaje në: