Enver Hoxhaj: Reciprociteti është mbulesë e dështimeve të Kurtit

Enver Hoxhaj: Reciprociteti është mbulesë e dështimeve të Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të takohen në Bruksel më 18 gusht.

Takimi vjen pas situatës të tensionuar në veri të Kosovës më 31 korrik, kur serbët lokalë vendosën barrikada si formë kundërshtie ndaj reciprocitetit të Kosovës që do të hynte në fuqi më 1 gusht.

Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës tha për “Front Online” se e kanë përkrahur si opozitë vendimin e ekzekutivit, ani se ka qenë me prapavijë.

“Reciprociteti i targave dhe dokumenteve është vetëm një mbulesë e madhe për dështimet tjera dhe ikje nga qëllimi kryesor: njohja e ndërsjellët”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj për takimin Kurti-Vuçiq: Pritjet janë zero, Qeveria “Kurti” e paaftë

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj nuk pret asgjë nga takimi i paralajmëruar Kurti – Vuçiq, që do të jetë vetëm i treti mes tyre.

“Pritjet tona nga takimi më 18 gusht janë zero dhe do të shpërfaqet përsëri paaftësia tipike e kësaj Qeverie për dialogun me Serbinë, ku në vend që të kërkohet arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me fokus njohjen e ndërsjellët, duke përshirë të gjitha elementet e domosdoshme, do diskutohen tema teknike”, deklaroi Hoxhaj për Front Online.

Hoxhaj: Sa më shumë që shtyhet marrëveshja finale aq më shumë favorizohet Serbia

Sipas Hoxhajt, kryeministri Kurti sa më shumë që e shtyn arritjen e marrëveshjes finale, aq më shumë e favorizon Serbinë.

“Sa më shumë që e shtyn arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellët, aq më shumë e favorizon Serbinë dhe e dëmton Kosovës, se ende ka një mundësi dhe vëmendje ndërkombëtare për një gjë të tillë”, potencoi Hoxhaj.

Hoxhaj që aktualisht është deputet i PDK-së, vlerësoi se dialogu deri tani është dialog pa parime e pa platformë.

“Dialogu është më shumë një qasje krijo probleme të vogla, merre vëmendje të madhe vendore dhe ndërkombëtare, duke lënë përshtypjen qe gjoja po i zgjidh ato me bilancin: merru me problemet që krijon dhe zhvendose vëmendje nga temat e madhe ekonomike dhe energjetike të cilat kanë kapluar vendin”, tha Hoxhaj për Front Online.

Qeveria e Kosovës e shtyu për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit me Serbinë për dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të automjeteve të Serbisë, me kusht që të hiqen barrikadat nga rrugët në veriun e Kosovës.

Këtë vendim, qeveria e Kosovës e mori pak para mesnatës së 31 korrikut, pas kërkesës së SHBA-së. Këtë kërkesë e ka formuluar ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pas takimit me të gjithë udhëheqësit më të lartë të Kosovës.

Shpërndaje në: