Erdogan – shqiptarëve: Gëzimi juaj është gëzimi i Turqisë, hidhërimi juaj – hidhërim i Turqisë

Erdogan – shqiptarëve: Gëzimi juaj është gëzimi i Turqisë, hidhërimi juaj – hidhërim i Turqisë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se të 522 njësitë e banimit që Turqia ndërtoi në Laç, kushtuan rreth 42 milionë euro. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të çelësave të këtyre banesave, Erdogan theksoi edhe një herë ndjenjën e vëllazërisë së turqve për shqiptarët.

Ai kritikoi nga Laçi shtetet e fuqishme të botës, për qasjen e tyre gjatë pandemisë. “Shqipëria dhe Turqia ndajnë së bashku vlera të tjera historike. Të jesh me vëllain në kohë të mira dhe të vështira është një ndër to. Gjatë pandemisë të gjithë shtetet e mëdha u kyçën dhe mbyllën edhe sytë e tyre, ama ne bëmë të kundërtën, dolëm edhe jashtë kufijve për të parë dramat e vëllezërve tanë për t’u qëndruar pranë me çdo mundësi”, tha Erdogan.

“Gëzimi juaj është edhe gëzimi i Turqisë, hidhërimi juaj është edhe hidhërimi i Turqisë. Duke qenë se edhe populli turk ka përjetuar dhimbje të ngjashme, tërmetet e shtatorit dhe nëntorit lënduan zemrat tona njëlloj si popullit shqiptar. Fakti që Turqia është nga vendet e para që i erdhi në ndihmë Shqipërisë, është dëshmi e qartë e solidaritetit të fortë mes nesh”, tha Erdogan.

“Falënderoj të madhin Zot që, edhe pse Turqia u sprovua gjatë këtij procesi me tërmete e zjarre, përsëri arritëm të mbajmë premtimin tonë ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Ajo që dua të theksoj është parim besimi: shenja e vëllazërisë nuk është kur ti të vish kur të thërrasin, por të qëndrosh pranë vëllait tënd kur ai ka nevojë. Shpresoj që kjo miqësi me baza kaq të forta, të vazhdojë deri në pafundësi”.

Një përshëndetje speciale, Erdogan pati edhe për “mikun tim Edi Rama, që gjatë gjithë këtij procesi ka qëndruar pranë me çdo mundësi”.

Shpërndaje në: