Erion ​Veliaj- Ilir Metës: Ke nostalgji për Tiranën kur ishte qyteti i fuksave të sigurimit

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj reagoi sot pas publikimit në rrjetet sociale nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta të një fotoje të Tiranës në vitin 1980 dhe në vitin 2021.

Në një postim në twitter, Veliaj shprehet se “të kesh nostalgji për Tiranën kur ishte qyteti i fuksave të sigurimit, është e drejta jote. Por siç të mirëpriti ty, ka mirëpritur dhe 1 milionë të tjerë”.

“PS. Foto e Tiranës 1999 kur ishe KM me Sharrën tym e flakë e gelqeret e Krujës si vello. S’ke asnjë ndërtesë 2021 në foto!”, shprehet Veliaj.

Në foton e publikuar ku krahasonte Tiranën e viteve ’80 me Tiranën në vitin 2021, Meta shprehej: “koha për t’u zgjuar që Tirana të çlirohet dhe të marrë frymë përsëri”.

Më herët reagoi edhe Bashkia e Tiranës duke deklaruar se në foton që Meta pretendon se është Tirana e vitit 2021, në fakt nuk është Tirana, por ngjason me shumë me Kabulin.

“Me synimin për të sulmuar kryebashkiakun Erion Veliaj, Ilir Meta postoi sot një foto me pamje nga lart të një qyteti, për të cilën pretendoi se ishte shkrepur në Tiranën e vitit 2021. Por, nga një kërkim i thjeshtë në Google tregon se fotoja daton të jetë postuar për herë të parë në vitin 2017 nga gazeta “Rilindja Demokratike” e Sali Berishës. Përveç kësaj, pamja në foto që ngjason më shumë me Kabulin, nuk ka lidhje me asnjë zonë të Tiranës, dhe dyshohet se është shkrepur në Shkup rreth atij viti”, theksoi Bashkia.