Escobar e Lajçak marrin pjesë në takimin e radhës të “Open Balkan” që mbahet sot në Beograd

Escobar e Lajçak marrin pjesë në takimin e radhës të “Open Balkan” që mbahet sot në Beograd

Sot do të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të nismës “Open Balkan”. Mbledhja do të zhvillohet në parlamentin serb, por disa prej pjesmarrësve do t’i bashkohen takimit online.

Në Beograd do të jetë dhe i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak. Ndërsa kryeministri Edi Rama, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Gabriel Escobar dhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov do t’i bashkohet konferencës online.

Kjo nismë është refuzuar nga Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi. Ndërkombëtarët kanë këmbëngulur për një nismë që përfshin të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor, por vendet pjesmarrëse janë shprehur se nuk pranojnë të jenë peng e qëndrimeve të shteteve që kanë refuzuar.

Vijimësia e “Open Balkan” u vu në pikëpyetje pas dorëheqjes së kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, por ai dhe Dimitrov që po përfaqëson MV, janë shprehur se Maqedonia e Veriut do të vijojë të jetë pjesë e nismës.

Takimi i radhës do të zhvillohet në fund të dhjetorit në Tiranë, ndërsa është premtuar se pas një viti e gjysmë nuk do të ketë asnjë pengesë në kufi. Kryeministri Edi Rama i mëshon faktit që kjo është një nismë e rëndësishme për vendet që janë përfshirë, duke vënë theksin se nxit zhvillimin e ekonomisë. Por nga ana tjetër qëndrimet e ndryshme referuar kësaj çështjeje mës Tiranës zyrtare dhe Prishtinës kanë sjellë dhe “përplasje”.

Shpërndaje në: