Escobar për dialogun Kosovë-Serbi: Pajtohemi në gjithçka me BE-në

Escobar për dialogun Kosovë-Serbi: Pajtohemi në gjithçka me BE-në

I dërguari i presidentit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë për së afërmi me Bashkimin Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

“Jam i lumtur të them se nuk ka asnjë fushë në të cilën nuk pajtohemi me BE-në, mbi këto çështje”, ka thënë Escobar për REL.

“Përveç kësaj, kemi partneritet në rritje me Serbinë, që është fitimprurëse për të dyja vendet”, ka thënë Gabriel Escobar.

Ndërkaq “prospekt shumë të mirë” ka dhënë për Bosnjen dhe Hercegovinën, përderisa njerëzit “e kuptojnë që BeH duhet të mbetet sovrane, e pavarur dhe territorialisht e plotë, duke respektuar plotësisht Marrëveshjen e Dejtonit”.

Prioritetet e ShBA-së në Ballkan nuk kanë ndryshuar, siguron Escobar.

“Kur shikoj situatën dhe shoh 20 vjet para, për njerëzit që po lindin tashmë në Ballkan, ata duhet të gjejnë mundësi të jetojnë jetë normale, ekonomikisht të mira në vendet ku kanë lindur, nëse zgjedhin kështu”.

“Sepse”, vazhdoi ai, “siç është tani është e vështirë që njerëzit të vendosin të rrinë në Ballkan për shkak të situatës ekonomike”.

“Njerëzit nga Ballkani, dhe e kam fjalën për shqiptarët, boshnjakët, kroatët, serbët, të gjithë, ata po e ndërtojnë vendin tim, po e ndërtojnë evropën”, tregoi diplomati amerikan.

“Kemi nevojë që tash Ballkanin ta ndërtojnë”.

“Ne duam të jemi partnerë me atë gjeneratë që të shfrytëzojmë mundësitë”, përfundoi ai.

Shpërndaje në: