Është koha të flasim seriozisht për Mc Kreshën dhe Lyrical Son

Është koha të flasim seriozisht për Mc Kreshën dhe Lyrical Son

Dy reperët më të mirë në Kosovë, absolutisht, nuk janë aq të mirë sa mirë sa mund të mendoni pas një reflektimi sipërfaqësor.

Aftësitë e tyre impresive lirike së fundmi kanë filluar të mbeten nën hijën e insistimit për të punuar me producentët e njejtë vazhdimisht, shkruan Periskopi.

Mendojmë, niveli i produksionit në albumin ‘Muzikë e Alltisë’ është brilant, dorën në zemër, por pas kaq shumë vitesh e kaq shumë albumesh me ekipin e njejtë të producentëve – më së shumti K Master, vërehet qartë njëfarë monotonie paksa e pashpjegueshme dhe e paqartë në materiale.

Pavarësisht se, sipas raporteve, është vetëm gjysma e parë e albumit, këngët janë të nivelit mbi mediokër por – pavarësisht kësaj – nuk të japin ndonjë entuziazëm të madh për rikthim dëgjimi pasi t’i jepni shansin e parë.

Lojë fjalësh nga Kresha, fllow dhe ‘delivery’ impresiv – të gjitha këto të sillen në mendje derisa jeni duke e dëgjuar por asnjëherë nuk është se realisht ndizeni dhe ngazëlleheni për atë që po dëgjoni.

Insistimi i vazhdueshëm i Kreshës për të treguar aftësitë dhe intelektin e tij, shpeshherë të sforcuar dhe të mbi bërë, i japin një hije paksa të mërzitshme albumit, pasi janë gjëra që tashmë veç i dimë dhe jemi shumë të familjarizuar me këtë lloj çasje nga i njëjti.

Ndërlidhja e fjalëve me vendosmërinë e pakompromis për t’i shpalosur njohuritë e gjithanshme – pavarësisht sa impresive mund të jetë kjo – e bëjnë Kreshën ‘të burgosur’ ndaj intelektit të vet, duke humbur intuitën për të pasur realisht sens në atë që thotë nganjëherë.

Kur dëgjojmë repturat e Kreshës te këngët si Kangë e Shahirave, Paret Lejla, JCVD, Rrugë e Gjatë dhe Gunners, të japin ndjesinë sikur Wikipedia dhe fjalori po bashkëpunojnë për të krijuar rima të shthurura, të cilat janë thjesht tog fjalësha me kuptime jo aq të thella sa mund të mendoni realisht.

Pavarësisht fllowit impresiv në raste, mbi bërja e Kreshës në pothuajse shumicën e rimave, të fut një mërzi dhe përtacëri për ta dëgjuar – jemi gjithnjë duke folur për albumin ‘Muzikë e Alltisë’.

Të gjitha këto që i cekëm më lart, duken të përmirësuara dhe të eleminuara kur flasim për Lyrical Son, i cili gati në secilën repturë – përveç te ‘Paret Lejla’ ku zhgënjen mjerisht – është shumë më i pastër dhe më i qartë në referenca historike, sociale, sportive e të tjera, të cilave u referohet dhe realisht mund ta kuptoni pa pasur nevojë të futeni në Wikipedia, siç ndodhë me Kreshën për t’ia kuptuar një metaforë që nuk është aq e nevojshme të mbi bëhet në atë formë.

Për një kohë të gjatë e kemi lejuar të na rrëshqasë në vetëdije pak edhe qëllimisht duke i falur për shkak të aftësive impresive si reperë, por aspekti kredibil dhe i besueshmërisë në repturat e dyshes është padyshim një prej pikave më të dobëta të tyre.

Kur flasin për gjëra që kanë të bëjnë me rrugën – vrasje, armë, dhunë dhe të shtëna – e vështirë se dikush që i dëgjon realisht u beson se janë për atë jetë.

Por, pavarësisht kësaj, ata insistojnë që vazhdimisht ta paraqesin atë stil jetese sikur njëmend është ‘vdekje e sigurtë’ kruarja me ta.

Nga një deri në dhjetë, një, sa i përket besueshmërisë se e jetojnë apo e kanë jetuar ndonjëherë atë për të cilën flasin.

Vetëm dy bashkëpunime, Ledri Vula dhe Elvana Gjata, derisa këngët me fokus romancën dhe marrëdhëniet private, janë pika më e fortë e këtij albumi, pa pikë dyshimi.

Bitat janë në rregull, por jo përtej atyre që i kemi dëgjuar deri tash nga K Master, të cilit duket sikur dyshja i janë borxhli të mëdhenj dhe e respektojnë deri në atë pikë sa refuzojnë të punojnë me producentë tjerë për të zhvilluar ‘soundin’ dhe për të zgjeruar diapazonin dhe shtrirjen artistike nëpër tinguj të ndryshëm.

Aspekti artistik me një anë, Mc Kresha dhe Lyrical Son duhet të jenë ndër menaxherët më të dobët dhe më nonshalantë rrotull.

Asnjë prej artistëve që i kanë rekrutuar në llejbëllin PINT, nuk ka përmbushur pritshmëritë. Ndoshta, me Semiautomaticun përjashtim këtu, pasi ka qenë më i zellshmi sa i përket etikës së punës nga artistët e rinj në PINT, por materialet e tij asnjëherë nuk është se janë pritur e përcjellur me entuziazëm të madh nga audienca.

Lluni, i cili shihej si artisti më premtues që do ta pasonte dhe do ta vazhdonte krenarinë që do ta linin prapa dy mogujt e hip-hopit, ka shënuar rënie drastike prej kur i është bashkuar ekipit të Kreshës dhe Lyricalit, duke lansuar ca projekte aty-këtu, derisa vazhdimisht ka pasur shtyerje e vonesa të pashpjegueshme – të cilat të lënë përshtypjen se po bëhen më së shumti për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë – në lansimin e albumit të tij të parë të shumë pritur.

Largimi i Mossit qysh në fillim nga PINT për të vazhduar karrierën si i pavarur, e që i doli të jetë vendimi më i mirë që mund të merrte – marrë parasysh mënyrën si shkoi karriera e tij pas largimit nga kjo kompani – i pasuar nga largimi i Bllekit për të vazhduar edhe ky si i pavarur dhe ‘zhdukja’ nga horizonti i Fatos Bombës, nënvizon se gjërat nuk është se shkojnë më së miri në botë në ‘PërInatiNjaniTjetrit’.

I çuditshëm fakti se me asnjë prej artistëve të rinj nuk ka bashkëpunim në pjesën e parë të ‘Muzikë e Alltisë’ por ndoshta mund të dëgjojmë më shumë nga ta në pjesën e dytë të projektit, përndryshe është mungesë e theksuar e besimit në artistët e tyre nëse nuk shfaqen fare në këtë album. /Periskopi.com/

 

 

Shpërndaje në: