Etaloni i së keqes në Evropë: “Jemi bërë si Shqipëria”!

Enton Palushi Op-Ed

Jan Boehmerman nuk është një komedian nga këta që sheh në Shqipëri. Satira e ka vendosur shpesh në situata të sikletshme gjermanin e njohur, sidomos kur u tall me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Por, në fillim të prillit të këtij viti, kur mori çmimin “Romy” në Austri, ai foli për diçka që mbeti mister për shumëkënd deri më 17 maj.

“Teksa ju po e shijoni këtë gala, duke pirë verë të gazuar dhe duke ngrënë sandviçë të vegjël, unë jam i zënë duke mbushur hundët me kokainë bashkë me disa miq të mi të Partisë së Lirisë, në një vilë oligarkësh rusë në Ibiza, duke negociuar se si të marr nën kontroll gazetën ‘Krone Zeitung’ për të ndikuar opinionin në Austri”, tha ai.

Të premten e shkuar, një skandal tronditi Austrinë. Dy gazeta liberale gjermane publikuan një video ku zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache, lider i Partisë së Lirisë, bënte pikërisht ato gjëra që paralajmëronte komediani: nën efektin e pijeve, negocionte me “mbesën” e një oligarku rus për mundësinë që pasanikja të merrte nën kontroll gazetën më të madhe austriake, “Kronen”, për të avancuar më tej agjendën e ekstremit të djathtë. Në këmbim, ajo do fitonte kontrata të mira nga Qeveria austriake.

Takimi është zhvilluar përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, por videoja është publikuar tani. Edhe pse mediat gjermane – që e publikuan videon – thonë se ajo nuk ka lidhje me zgjedhjet e pritshme evropiane, duket se qëllimi ka qenë pikërisht ai: të goditet ekstremi i djathtë në momentin e duhur. Jo më kot videoja doli në dritë kur politikanët e ekstremit të djathtë do lansonin projektin e tyre për një aks të populistëve, me italianin Salvini, francezen Le Pen dhe austriakun Strache. Goditja që iu dha zëvendëskancelarit – tashmë të larguar nga qeveria dhe praktikisht edhe nga politika austriake – ishte mjaft e rëndësishme.

Mbetet akoma një mister se kush e “gatoi” videon që do të trondiste politikën austriake dhe të djathtën ekstreme në Evropë. Deri tash gjithçka duket e orkestruar shumë mirë nga një dorë e majtë, që ka pasur për qëllim të tregojë fytyrën e vërtetë të së djathtës populiste. Thuhet se një organizatë me artistë gjermanë ka dorë në këtë histori. Të tjerë shkojnë më tej kur thonë se këtu ka gisht shërbimi sekret gjerman. Por, teoritë konspirative shfrenohen plotësisht kur shohin dorën e kancelarit riosh austriak, Sebastian Kurz, pas kësaj historie. Ky i fundit vendosi të qeverisë me Partinë e Lirisë – një lëvizje neo-naziste me rrënjë të thella në politikën e Austrisë – duke u premtuar evropianëve se mënyra më e mirë për ta mbajtur nën kontroll “bishën” e ekstremit të djathtë është që të qeverisësh me të. Kurz premtoi se do ta zbuste “bishën”, por ajo thjesht veproi siç di të bëjë gjithmonë derisa erdhëm në pikën kur 32-vjeçari Kurz reagoi me zemërim ndaj tyre: “Mjaft është mjaft”, tha ai në një konferencë për shtyp. Për shumë analistë, Kurz ka dozën e tij të fajit për këtë situatë. Revista gjermane “Der Spiegel” thotë se Austria tanimë duket si një republikë bananesh. Të tjerët, si gazeta “Bild”, shohin një mundësi për Kurzin që ai të rikthehet sërish si kancelar, tashmë pa barrën e neonazistëve mbi shpinë, pasi ylli i tij në rritje nuk do ndalet.

Të prekur në sedër nga etiketimet “republikë bananesh”, austriakët kanë nxituar të botojnë një krahasim duke thënë se në Shqipëri, një video-skandal i publikuar disa vite më parë, jo vetëm që nuk ia ndërpreu karrierën një politikani si Ilir Meta, por ai arriti të bëhej president.

“Ja ku jemi katandisur, jemi bërë si Shqipëria”, komenton dikush në shkrimin e postuar nga “Die Presse”.

“Kjo nuk është më republikë bananesh, kjo nuk është më Shqipëria. Ne jemi bërë republikë turpi”, shkruan botuesi i portalit “Austria”, Wolfgang Fellner.

Por, teksa Shqipëria vazhdon të mbetet “etalon” i së keqes në Evropë, shqiptarëve të shumtë në rrjetet sociale u ka ardhur në majë të hundës nga krahasimet dhe duan ta shohin skandalin e Austrisë si një shembull që duhet marrë nga politikanët e lartë shqiptarë – kur bie fjala për reagimin ndaj video-përgjimeve.

Se çfarë skenarësh do të pasojnë në politikën austriake, kjo nuk dihet, por fakt është se shqiptarët mund të nxjerrin disa mësime nga kjo situatë. Së pari, që të bëjnë kujdes kur zgjedhin aleatët për të diskutuar disa teza që janë të ndjeshme për shqiptarët. Vërtet duket i tepruar spekulimi se Austria, e cila ishte ndër të paktat vende që u rreshtua pro-idesë së ndarjes së Kosovës, nuk i do shqiptarët. Por, fakt është se mjedisi politik austriak ishte bërë kaq acid kohët e fundit, sa që kryeministri shqiptar, Edi Rama, do ta kishte neveritur jo vetëm si politikan, por edhe si artist. Gjurmët e skandalit të fundit tregojnë sesa të forta janë lidhjet e rusëve kur bie fjala tek ekstremet politike. Strache ishte i relaksuar përballë “mbesës” së oligarkut rus, pasi e dinte se miliarderi në fjalë është mik i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Jo vetëm kaq, por problemi më i madh me Partinë e Lirisë ishte ministri i tyre i Brendshëm, Herbert Kickl. Disa vende evropiane e ndërprenë bashkëpunimin me shërbimet e inteligjencës në Austri nga frika se lidhjet e Kicklit me Rusinë janë të thella.

E dyta, rasti në fjalë tregoi se populizmi e ka “lëkurën” kaq të hollë sa vetë ideologjinë. Në thelb, populizmi, të cilin po e shohim edhe në politikën shqiptare, që prej momentit kur kryeministri Edi Rama nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi duke e parë të keqen vetëm te të tjerët, është një ideologji e thjeshtë: ne jemi njerëzit e mirë, gjithë të tjerët janë të këqij. Por, rasti në fjalë dhe shumë të tjerë tregojnë se populistët jo vetëm që nuk janë ndryshe nga të tjerët, por janë “krijesa moçalesh” të korruptuara dhe të rrezikshme, siç i etiketon Bloomberg.

Së treti, skandali në fjalë na ndihmon ta zgjerojmë panoramën më shumë kur bie fjala tek situata në Evropë, e cila na prezantohet nga qeveria shqiptare si shkaku kryesor se përse ka ngecur integrimi i Shqipërisë. Historia e Partisë së Lirisë dhe skandaleve të saj daton që prej viteve ’60 të shekullit të shkuar. Evropa ka njohur vazhdimisht situata të tilla dhe kjo që po përjetojmë tani nuk është as e para dhe as më e rënda, siç po na thonë qeveritarët. Para një dekade, teksa shkruante në gazetën “Bild” në një letër të hapur historike, ish-kancelari gjerman Helmut Kohl theksonte se rruga e Evropës së bashkuar ka qenë gjithmonë shumë e vështirë. Sidomos në vitin 2008, Unioni njohu momente krize që vijnë njëherë në shekull ndoshta. A e imagjinoni për një moment sikur Edi Rama të ishte kryeministër gjatë kësaj kohe se çfarë mund të kishte shpikur?

Së fundmi dhe ndoshta më e rëndësishme, shqiptarët duhet të mësojnë se kur bie fjala tek vlerësimi i një qeverisje, atje në majë të hierarkisë së gjykimit qëndrojnë skandalet. Mjafton një skandal për të rrëzuar një qeveri. Nisur nga ky kut, kjo qeveri do të ishte rrëzuar kushedi sa herë. Fjala bie, nëse ministri i Brendshëm i një qeverie të huaj do ishte nën akuzë për lidhje të tilla me krimin e organizuar (vetë Saimir Tahiri thotë se akuzat i ka njësoj si të Aldo Bares), ajo qeveri dhe ai kryeministër do ishin tretur në histori. Nëse do kishin dalë përgjime si këto të dosjeve 339 apo 184, ai kryeministër do ishte harruar tashmë.

Dhe, ka një arsye të fortë se përse kur dalin skandalet, bien qeveritë. Kjo jo vetëm për shkak se kanë dalë në shesh të palarat. Por, sepse duke u përpjekur të mbrosh një skandal, duhet të deformosh të gjithë demokracinë, duke e vendosur sistemin nën kontroll. Fillimisht duhet të vësh median nën kontroll për të treguar se skandali nuk është ashtu siç duket. Pastaj duhet të vendosësh nën kontroll drejtësinë për të treguar se nuk është konsumuar ndonjë krim. Pastaj duhet të kapësh Parlamentin për të mos i lënë shteg legjislativit të kryejë funksionet e tij të kontrollit dhe balancës mbi ekzekutivin. Pastaj duhet të masakrosh opozitën që ajo të mos jetë më zëri i vetëm që mbron demokracinë. Pastaj duhet të tredhësh intelektualët dhe elitën që të mos shohin as gjurmët dhe as ujkun. Pastaj duhet të vësh në rresht të gjithë njerëzit në parti për të mos lejuar pipëtima kundër. E, në fund, pasi i ke bërë të gjitha këto, të shpërthen një krizë si kjo aktualja ku të gjitha deformimet e demokracisë vetëm sa vijnë e shumëfishohen. Kjo është arsyeja se përse skandalet janë në majë të vlerësimit për një qeverisje: Për t’i ndalur rrugën efektit domino të shtrembërimit të demokracisë që na çon në këtë pikë ku jemi tani. Të keqes duhet t’ia presësh kokën që në fillim. Tani është thjesht shumë, shumë vonë. /Mapo/

Shpërndaje në: