EULEX: Do të vazhdojmë punën në gjetjen e fatit të zhdukurve

EULEX: Do të vazhdojmë punën në gjetjen e fatit të zhdukurve

Misioni Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, ka thënë se për mijëra njerëz në Kosovë, kjo është një çështje e ndjeshme dhe paraqet një nga çështjet më të rëndësishme për EULEX-in.

EULEX thotë se kjo shërben për të ngritur vëmendjen e autoriteteve, mediave dhe opinionit të përgjithshëm anembanë botës për gjendjen e vështirë të të Pagjeturve dhe familjeve të tyre.

“EULEX-i ndihmon Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, në përpjekjet e tij intensive në përcaktimin e fatit e të Zhdukurve. Veç kësaj, EULEX/IML fuqimisht bashkërendon veprimet me shoqatat e familjeve, familjet individualisht dhe akterët tjerë në proces. Qysh se ka filluar punën EULEX-i në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në dhjetor 2008, mbetjet mortore të 491 viktimave nga konflikti iu janë kthyer familjeve të tyre. Nga kjo dalin 387 persona të zhdukur e të cilët janë gjetur nga puna intensive në teren (mbi 554 operacione fushore), analiza laboratorike (punë intensive të autopsive dhe identifikimeve, përfshirë 2100 mostra ashtërore të zgjedhura për teste të AND-së) dhe inspektime arkivore”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Instituti i Mjekësisë Ligjore, me përkrahjen e ekspertëve mjeko-ligjorë të EULEX-it, do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e tij në gjetjen e fatit të zhdukurve sa më shpejtë që të jetë e mundur.

 

Shpërndaje në: