Express Delawie: Intervistë me një varg refuzimesh
Ambasadori amerikan në Kosovë, Gregg Delawie, në një intervistë të shkurtë për Gazetën Express, u përgjigj në disa pyetje që kishin të bënin me demarkacionin dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai u shpreh se kufiri i shënuar nga Komisioni Shtetëror i përgjigjet atij të vitit 1974 – dhe si i këtillë është plotësisht në rregull. Ambasadori ngulmon se është e rëndësishme për Kosovën që kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvend. Por gjithashtu thotë se kjo nuk është çështja më e rëndësishme që e preokupon vendin tonë.
Edhe pas marrëveshjes, lufta politike do të vazhdojë – shprehet ai – pavarësisht nëse marrëveshja miratohet ose jo. Por i pyetur nga Express nëse duhet të shpallen Zgjedhje të reja në rast se ratifikimi i marrëveshjes dështon – ai refuzon të përgjigjjet. Në të vërtetë, ambasadori refuzon të japë çfarëdo mendimi për situatën pa demarkacion. Nga kjo kuptohet se, për mendimin e Delawie-t, demarkacioni nuk është çështje e rëndësishme për Kosovën, por megjithatë i rëndësishëm është miratimi i saj.
Për Delawien, kundërshtimi që vjen nga opozita nuk bazohet në fakte por në luftën e saj për pushtet. Sfidë të madhe për Kosovën, ai e quan dhunën politike. Expressi i shtron një pyetje mjaft të çuditshme: se a duhet ndaluar me ligj pjesëmarrjen në zgjedhje të Lëvizjes Vetëvendosje? Delawie përsëri refuzon të komentojë duke thënë se nuk i takon ta bëjë një gjë të tillë. Ai poashtu nuk ka komentuar as arrestimet e gjashtë aktivistëve të kësaj Lëvizjeje, meqë, sipas tij, procesi gjyqësor nuk ka përfunduar.
Delawie, për gazetën në fjalë, ka dhënë një varg refuzimesh në pyetjet që i shtroheshin.



