Familja Kallaba nga Gjilani dyshon se djali i tyre u mashtrua nga një afgan

Familja Kallaba nga Gjilani dyshon se djali i tyre u mashtrua nga një afgan

Familja Kallaba, e cila tash e dy javë është në ankth për të birin e zhdukur, po dyshon se ai u mashtrua nga një afgan, raporton KTV. Nga ky park i Dobërqanit të Gjilanit, Liridon Kallaba mori rrugën drejt perëndimit, duke tentuar t’i kalojë ilegalisht kufijtë.

Në mesditën e 4 gushtit, ai bashkë me motrën e tij, kishin dalë nga shtëpia për të shkuar në dyqan. Motrës i tha të kthehej sepse vetë do të vinte më vonë në shtëpi.

Babai i Liridonit tregon se i biri i tij e kishte zënë shok afganin kur kishin migruar në Gjermani, dy vjet më parë, derisa komunikimi ka vazhduar edhe kur këta u kthyen në Kosovë.

Ai thotë se i ishte lutur atij që të rrinte larg birit të tij, por ai nuk hoqi dorë, derisa erdhi në vizitë edhe në Kosovë te Liridoni.

I ati i Liridonit tregon se djali i tij javën e kaluar e ka kontaktuar atë në telefon, duke i thënë se është mirë dhe se ndodhet në kampet e Hungarisë.

Ai ankohet se Policia nuk po ndërmerr asgjë që përmes numrit, me të cilin është lajmëruar, ta gjejnë vendndodhjen e tij. Por, ndryshe thotë Policia e Kosovës.

Sipas tyre, djali i mitur, Liridoni, i është dhënë vullnetarisht personit afgan, për ta dërguar atë ilegalisht, nëpërmjet Serbisë, për në Gjermani.

Shpërndaje në: