Fatmiri, Emani, Visari kritikues të VV’së, Demhasaj: Ka gjasa që dikush largohet nga kjo parti

Fatmiri, Emani, Visari kritikues të VV’së, Demhasaj: Ka gjasa që dikush largohet nga kjo parti

Përpos deputetit Fatmir Humolli, që tash e sa kohë kritikon qasjen e Qeverisë Kurti e për disa çështje të rëndësishme doli ndryshe me votë prej partisë, tash është edhe Eman Rrahmani e Visar Korenica që po ngrisin zërin kritikues. Tash kur zgjedhjet brenda Vetëvendosjes morën fund, u shpërfaqën plot pakënaqësi nëpër degë e pati edhe dorëheqje.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Demhasaj në një prononcim për Periskopin ka thënë se këto pakënaqësi me shumë gjasa vijnë si pasojë e mosvotimit të Projektkodit Civil. Dhe pikërisht atyre njerëzve ju kushtoi në zgjedhjet e brendshme.

‘’Duket se ka pasë një kushtëzim brenda partisë që deputetët e Vetëvendosjes të votojnë Kodin Civil. Kështu që ata që nuk kanë pranuar ta votojnë atë, në njëfarë mënyre në zgjedhjet e brendshme tash që janë mbajtë brenda Vetëvendosjes janë largu nga mundësia për me u zgjedhë apo rizgjedhë nëpër degë të tyre. Kështu që kjo pakënaqësi po mendoj se pak a shumë po lidhet me këtë çështje.’’, ka thënë Demhasaj për Periskopin.

Ai mendon se dikush nga deputetët e pakënaqur të Vetëvendosjes, nëse vazhdon kjo situatë, mund të japin dorëheqje.

‘’Ka mundësi që rrugëtimi i tyre politik të bëhet i pamundur brenda këtij subjekti ku nuk ka mirëkuptim dhe ka gjasa potenciale që një prej deputetëve munden me u largu nga kjo parti.’’, shtoi ai.

Deputeti Eman Rrahmani, ka thënë se votimi i tij kundër projekt Kodit Civil që lejonte edhe martesat brenda gjinisë së njëjtë ka lënë pasoja në raport me kolegët deputetë brenda partisë.

“Disa deputetë brenda Lëvizjes janë duke i fryrë kësaj linjës [se po largohen nga LVV disa deputetë]. Janë dy-tre deputetë “servil” që mundohen me përfitua prej çdo situate dhe shkojnë te secili deputetë dhe ju thonë se kinse disa deputetë do të largohen nga LVV. Janë këta deputetë që rrinë gjithë ditën në korridore të Kuvendit dhe Qeverisë dhe ata më së shumti pengojnë punën e Kuvendit dhe Qeverisë”, shtoi ai.

Ndërkaq, Visar Korenica, deputet i Vetëvendosjes ka thënë se ka tendencë të kontrollit brenda partisë.

“Unë kështu them, ka tendencë të kontrollit. A ka të drejtë me kundërshtu, ka . Unë e kam përdorë të drejtën time me kundërshtu…Kur them tendencë e kontrollit, them për mos me rrëshitë gjërat në procesin negativ për organizatën, por kjo nuk ish dashtë me qenë pengesë për dikë me propozu dicka ndryshe brenda organizatës. Në rrethana tjera, po shihet që ka nevojë më shumë që të ketë zëra kritik brenda organizatës në mënyrë që të avancohet”, theksoi ai.

Kritika të ashpra në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje ka dhënë edhe deputeti tjetër i kësaj partie, Fatmir Humolli.

“Vetëvendosja është duke i humbur shpresat tek populli dhe po e rrezikon stabilitetin e vendit, po e rrezikon në fazën kur Kosova është në proces të bisedimeve. Kosova është dashtë me qenë shumë stabile dhe shumë e qartë në atë çka po don dhe shumë e vendosur në krejt opinionin”, është shprehur Humolli./PERISKOPI/

 

 

Shpërndaje në: