Fatos Klosi: Berisha komunist i devotshëm, ka qenë spiun i dyfishtë i UDB-së

Fatos Klosi: Berisha komunist i devotshëm, ka qenë spiun i dyfishtë i UDB-së

Në kulmin e debateve për dosjet, shtohen zërat se Sali Berisha ka qenë spiun i UDB dhe bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Pas ish-deputeti të Partisë Socialiste, Spartak Braho edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi duket se është i bindur se Berisha ka qenë pjesë e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe spiun i Ish-Sigurimit të Shtetit.

Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, zoti Klosi theksoi se Berisha ka qenë “i përkëdhelur” i sistemit komunist, ndërsa shtoi se ky privilegj, është përdorur nga ish-kryeministri për të marrë në qafë shumë njerëz, sidomos gjatë kohës që ka qenë Sekretari i Byrosë së Partisë së Punës së Shqipërisë në Fakultetin e Mjekësisë.

“Sigurisht që ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë komunist dhe komunist i rangut të lartë dhe besnik i Partisë së Punës. Berisha ka qenë Sekretari i Byrosë së Partisë së Punës së Shqipërisë në Fakultetin e Mjekësisë. Pra, Berisha ka qenë jo komunist i zakonshëm, por komunist i rangjeve të larta. Kështu që më duket habi, por edhe nuk çuditem fare që Saliu sulmon komunizmin, në një kohë që ka qenë vetë komunist dhe thuhet se ka marrë në qafë shumë persona. A e kuptoni që Berisha ka qenë sekret i PPSH në një Fakultet, ku kishte mbi 100 komunistë dhe anëtar partie?! Në dijeni time Berisha ka pasur edhe teserë partie. Megjithatë, është e kot që të shtrojmë dhe debatojmë nëse Berisha ka qenë apo jo komunist, pasi ai ka qenë i tillë. Dhe fakti që ai bën si demokrat i flakët, i shkon për shtat një thënie e ish-presidenti dhe dramaturgu disident çek, i cili ka thënë që: “Nuk ka komunist më të keq sesa komunisti antikomunist””, deklaroi ai.

Berisha bashkëpuntor i ish-Sigurimit

Por të qenit anëtar dhe madje në rangun më të lartë i Partisë së Punës së Shqipërisë, nuk është i vetmi “cen” që e përndjek edhe sot e kësaj dite ish-kryeministrin Sali Berisha. Për ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë edhe një spiun i Ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas tij dhe në këtë pikë ai flet me përgjegjësi pasi ka qenë drejtues i një institucioni të rëndësishëm si SHISH, teksa zbulon Berisha kur erdhi në pushtet u kujdes që të asgjësonte dosjet e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, ekzistenca e së cilave mund t’i hidhini në erë karrierën politike. “Në dijeninë time si ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, di që Sali Berisha kur ka ardhur në pushte në vitet ’90 i ka pastruar dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, duke filluar nga vetja e tij, deri tek bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë”, u shpreh ai për gazetën “SOT”.

Lidhje e Saliut me UDB

Më tej ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi theksoi për gazetën “SOT, se ish-kryeministri Sali Berisha nuk asgjësi vetëm dosjet që kishte ai dhe që tregonin lidhjet me Sigurimin e Shtetit, por edhe dokumente të qenësishme që e identifikonin atë si person që kishte lidhje me Shërbimin Jugosllav. “Nga ana tjetër unë e kam thënë për gazetën tuaj dhe ndërkohë po e theksoj sërish që në dijeninë time, di që ka dosje të asgjësuara me procesverbale, sipas të gjitha rregullave. Pra, duke qenë dhëndër në një familje gjysmë serbe, Sali Berisha është ndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit, si bashkëpunëtor i mundshëm i UDB jugosllave. Unë nuk kam gjetur gjë në dosje, sepse kur unë vajta në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, Berisha kishte pesë vjet në pushtet dhe i kishte rregulluar të gjitha gjërat. Por që Berisha ka qenë i ndjekur për lidhje të mundshme me UDB, këtë e thonë oficerët që kanë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe që e kanë parë dosjen e si i tillë”, nënvizoi për gazetën “SOT”, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi.

Klosi: Berisha, komunist i devotshëm

“Sali Berisha ka qenë komunist e madje me teserë partie dhe nuk ka asnjë lloj merite në rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës. Berisha nuk ka asnjë meritë në rrëzimin e regjimit komunist. Saliu ka marrë shumë merita për veten e vet më vonë, por që asnjë nuk i takon. Berisha ishte askushi në 20 shkurtin e vitit 1991. Meritë për rrëzimin e regjimit komunist dhe shtatores së Enver Hoxhës 31 vite më parë, nuk e ka kërkush nga politika shqiptare, pasi ishte populli që u ngrit dhe jo ata. Po të ishin 10 apo 100 veta në 20 shkurtin e ’91, natyrisht që policia do t’i kishte ndaluar, se ajo ishte aty. Por duke qenë se ishin qindra qytetarë, edhe polica u zmbraps. Ishin aq shumë protestues në atë 20 shkurt, sa policia nuk guxoi të ndërhynte dhe u dorëzua. Kështu që mos besoni përrallat e Saliut se bustin e rrëzoi ai dhe se ai ishte koka e dhjetoristëve”, deklaroi në shkurt të këtij viti, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi për gazetën “SOT”.

Klosi: Berisha ka gisht në vrasjen e Azem Hajdarit

“Sali Berisha e ka përdorur vrasjen e Azem Hajdarit për të akuzuar të gjithë kundërshtarët politikë që donte, në fillim Fatos Nanon pastaj edhe Rexhep Mejdanin, por dhe mua si vegla e tyre. Akuzat erdhën nga Sali Berisha, ndërkohë që mos harroni se dy bashkëpunëtorët më të afërt të Sali Berishës në atë kohë, e akuzojnë atë ditë pas dite se është i implikuar në këtë çështje. Ore a kuptoni ju apo jo që Sali Berisha ka qenë shumë vite në pushtet, ka pasur në dorë të gjithë sistemin gjyqësor dhe shumë institucione të tjera dhe nëse do të kishte dashur ta zbardhte apo ta zgjidhte çështjen “Hajdari”, mund ta kishte bërë. Ju kam thënë dhe juve si gazetë, por edhe në media të tjera që të gjithë e dinë se Saliu gjysmë ore mbas ngjarjes, ka treguar versionin e ngjarjes dhe kurrë nuk shkoi në prokurori apo në gjykatë. Berisha e dinte skenarin që do ndodhte që përpara ekzekutimit të Azem Hajdarit dhe mund të them se është i implikuar në vrasjen e tij. Pra, Berisha ka gisht në vrasjen e Azem, Hajdarit”, u shpreh pak kohë më parë ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi për gazetën “SOT”.

Ish-kreu i SHISH: Ja pse Sali Berisha e zhduku Remzi Hoxhën

“Remzi Hoxhën e vrau Shërbimi Informativ Kombëtar i asaj kohë që varej nga Sali Berisha. Domethënë në mënyrë të qëllimshme apo jo të qëllimshme, në dijeninë time di që i ndjeri Remzi Hoxha i ka ngelur në dorë SHIK-ut. SHIK-u e mori Remzi Hoxhën dhe e torturoi në zyrat e tyre. Por mesa duket personat që e torturuan, nuk kishin përgjegjësinë e masës dhe ai iu ngeli në dorë, duke vdekur. Mos harroni që të gjithë njerëzit që kishin lidhje me këtë ngjarje, me anë të pasaportave diplomatike para ‘97, ikën jashtë. Shërbimi Informativ Kombëtar në atë kohë që drejtohej nga Gazidede e kishte të qartë që kishte gabuar. Me budallallëkun e tyre, me joprofesionalizmin e tyre, e kishin torturuar aq shumë saqë iu ngeli në dorë. Mirëpo, ata zbatuan urdhrin e Berishës se këtij të fundit i interesonte vrasja e Remzi Hoxhës. Megjithatë, një gjë është e sigurtë që Remzi Hoxha ka vdekur në zyrat e SHIK-ut”, deklaroi pak kohë më parë ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi për gazetën “SOT”.

Shpërndaje në: