FBI i bastisi shtëpinë, Trump “kyc gojën” para prokurorëve: Gjueti shtrigash

FBI i bastisi shtëpinë, Trump “kyc gojën” para prokurorëve: Gjueti shtrigash

Donald Trump ka pranuar se ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të ngritura nga hetimi i Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit të Nju Jorkut për transaksionet e tij të pasurive të paluajtshme.

Siç ka shpjeguar ai vetë, ish-presidenti amerikan, në deklaratën e tij nën betim është thirrur në Amendamentin e Pestë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili i lejon një qytetari të mos dëshmojë për asgjë që mund ta inkriminojë.

Hetimi u hap në vitin 2019 dhe ka të bëjë nëse kompania e Trump (Trump Organization) ka fryrë artificialisht çmimet e pronave që zotëronte për të kërkuar lehtësime tatimore dhe për të marrë kredi. Trump u përpoq ta vononte atë për aq kohë sa të ishte e mundur, duke përdorur çdo armë ligjore në dispozicion.

Megjithatë, Ivanka Trump dhe Donald Jr., dy nga fëmijët e Trump, kanë dëshmuar tashmë tek autoritetet.

Sot, e mërkurë, ishte radha e Trump për të deklaruar. Një orë pasi ka mbërritur në prokurori, ai publikoi një deklaratë për “gjuetinë e shtrenjtë të shtrigave ndaj tij”

Në deklaratë, Trump sulmoi Prokuroren e Përgjithshme Leticia James dhe median e lajmeve të rreme, ndërsa i referohet kontrollit të rezidencës së tij në Florida, ku agjentët e FBI morën disa kuti me materiale si pjesë e një hetimi për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga ish-presidenti.

“Më pyetën një herë: “Nëse je i pafajshëm, pse po i referohesh Amendamentit të Pestë?”, tha ai në deklaratën e tij. Ai shtoi se kur të gjithë rreth tij, në familjen dhe bizneset e tij, janë në qendër të një “gjuetie të pabazë dhe të motivuar politikisht të shtrigave nga avokatët, prokurorët dhe mediat që përhapin lajme të rreme”.

Trump tha gjithashtu se “bastisja e FBI-së në Mar-a-Lago, vetëm dy ditë para kësaj dëshmie, hoqi çdo pasiguri.

“Nuk kisha zgjidhje tjetër, sepse kjo administratë dhe shumë prokurorë në këtë vend i kanë kaluar të gjitha kufijtë moralë të mirësjelljes”, tha Trump.

Ai e mbylli deklaratën duke thënë se për këto arsye dhe me këshillën e avokatit të tij, ai përdori Amendamentin “me të drejtën dhe privilegjin e çdo qytetari sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara”.

Shpërndaje në: