Federer nuk do të luajë në Australian Open

Federer nuk do të luajë në Australian Open

Roger Federer nuk do të luajë në Australian Open në janar sipas të gjitha gjasave, pasi ende është në proces të rikuperimit nga lëndimi i gjurit.

Përkundër kësaj mungese, zvicerani planifikon të vazhdojë karrierën e tij, të paktën sipas fjalëve të trajnerit të tij.

Zvicerani 40-vjeçar nuk ka luajtur tenis që prej humbjes në çerekfinale të Wimbledonit në korrik dhe pas disa operacioneve të tjera në gju, por kjo nuk ia ka humbur motivin, përcjell Periskopi.

“Mendoj se Australian Open nuk është një mundësi reale tani”, tha Ljubicic i pyetur nëse Federeri do të marrë pjesë në grand slamin e parë të vitit kalendarik.

“Mendoj se ka pak mundësi, sepse ai është ende duke u riaftësuar dhe duke e njohur atë, ai dëshiron të sigurohet se mund të luajë për të fituar turneun dhe të jetë 100 për qind i gatshëm”, shtoi ai.

Trajneri kroat, ish-numri tre i botës si tenist, këmbënguli se Federeri s’e ka ndër mend të pensionohet akoma.

“Kam folur me të dhe mund t’ju garantoj se ai dëshiron të rikthehet në fushën e tenisit”, nënvizoi ai.

“Kur të vendosë t’i japë fund, ai do të pensionohet, por nuk mendoj se do të ndodhë papritmas”, theksoi Ljubicic. /Periskopi/  

Shpërndaje në: