Fëmijët e çiftit mërgimtar që vdiqën në aksident janë 4-5 vjeç: Mjeku tregon gjendjen e tyre

Fëmijët e çiftit mërgimtar që vdiqën në aksident janë 4-5 vjeç: Mjeku tregon gjendjen e tyre

Një aksident i rëndë, me dy të vdekur, ka ndodhur sot në Podujevë.

Nga Emergjenca e Qendrës Klinike dhe Universitare e Kosovës kanë dhënë detaje për gjendjen e dy fëmijëve që mbetën të lënduar nga aksidenti në Podujevë, ku vdiqën dy persona.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka thënë se gjendja e tyre është stabile aktualisht, por se kanë lëndime të rënda.

Ai ka treguar se mosha e fëmijëve është 4 dhe 5 vjeç.

“Që të dy janë duke u trajtuar në Qendrën Emergjente. Janë kryer disa ekzaminime mjekësore të cilat kanë qenë të nevojshme dhe për momentin gjendja e tyre është stabile, mirëpo kanë lëndime të rënda”, tha Syla për media.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ahmeti ka bërë me dije se nga ky aksident kanë mbetur të lënduar dy fëmijë.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, derisa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave :Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

 

Shpërndaje në: